Njoftime

Kontrollit i Lartë i Shtetit dhe Shoqata e Bashkive të Shqipërisë nënshkruajnë Marrëveshje Bashkëpunimi

30.12.2013

Në datën 23 Dhjetor 2013, në mjediset e Kontrollit të Lartë të Shtetit, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit mes KLSH dhe Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë. Për Kontrollin e Lartë të Shtetit marrëveshja u nënshkrua nga Sekretari i Përgjithshëm, znj. Luljeta Nano dhe për Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë kjo marrëveshje u  nënshkrua nga Drejtori Ekzekutiv, z. Fatos Hodaj.
Në zbatim të kësaj Marrëveshje, KLSH do të angazhohet për realizimin e aktiviteteve të përbashkëta që synojnë sjelljen e  mendimit më të avancuar  në fushën e standardeve ndërkombëtare të auditimit, rritjen e performancës së njësive të qeverisjes vendore dhe rritjen e cilësisë së punës së stafeve të këtyre njësive.
Nëpërmjet realizimit të kësaj marrëveshje, KLSH është në përmbushje të detyrave për ngritjen e kapaciteteve dhe rritjen e standardeve profesionale, nëpërmjet trajnimeve, workshop-eve dhe aktiviteteve të tjera të përbashkëta.
Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, z. Fatos Hodaj, nga ana e tij, vlerësoi bashkëpunimin  me KLSH, duke theksuar se ky bashkëpunim do ti shërbejë qëllimit të përbashkët, atij të përdorimit efektiv dhe të dobishëm të fondeve, mirëadministrimit financiar dhe zbatimit  të ligjshmërisë në fushën ekonomike e financiare.

Të dyja palët shprehën së fundmi vendosmërinë për zbatimin e kësaj marrëveshjeje si dhe besimin se një bashkëpunim i sinqertë të dy institucioneve do të japë rezultate konkrete në parandalimin e korrupsionit dhe në përmirësimin e qeverisjes.