Njoftime

Takimi i Kryetarit të KLSH-së, me Drejtues të Sektorit të Mbështetjes Makroekonomike në Ministrinë Zvicerane për Çështjet Ekonomike.

21.02.2014

Më datë 21 shkurt 2014, Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj priti në një takim pune zj. Rosmarie Schlup, Zv.Drejtuese e Sektorit të Mbështetjes Makroekonomike në Ministrinë Zvicerane për Çështjet Ekonomike (SECO) si dhe zj.Irene Frei, menaxhere për Shqipërinë, shoqëruar nga z.Eduart Rumani, Zyrtar për Programin Kombëtar pranë Kooperacionit Zviceran.

Përfaqësueset zvicerane paraqitën një përmbledhje të qëllimit të këtij misioni në Shqipëri. Zvicra është në procesin e finalizimit të strategjisë së re të bashkëpunimit 2014-2017 për Shqipërinë dhe synimi kryesor, është mbështetja në procesin e tranzicionit drejt integrimit Europian. Një prej shtyllave kryesore të kësaj strategjie, përbën edhe menaxhimi financiar dhe qëllimi kryesor i takimit ishte pikërisht eksplorimi i nevojave institucionale për asistencë teknike dhe ngritjen e kapaciteteve.

Instrumenti zviceran për bashkëpunim gjithashtu, punon ngushtë me Fondin për Zhvillimin e Kapaciteteve dhe Sekretariatin e Donatorëve të INTOSAI-t. Mjeti për bashkëpunim i INTOSAI-t që do të vendoset së shpejti, do t’i ofrojë mundësi financiare të gjithë SAI-ve anëtare të INTOSAI-t. Një ndihmë shtesë e ofruar nga asistenca zvicerane jepet edhe nëpërmjet ekspertëve të Bankës Botërore. Përfaqësueset zvicerane u shprehën plotësisht të gatshme që të përcillnin pranë Fondit për Zhvillim e Kapaciteteve të INTOSAI-t, të gjitha propozimet specifike të KLSH-së, lidhur me fushat ku nevojitej asistencë.

Gjatë bisedës, z.Leskaj i njohu përfaqësueset zvicerane me një ekspoze të përgjithshme të funksionimit dhe arritjeve, përgjatë 2 viteve të fundit në institucion. Në shkëmbimin e ideve dhe opinioneve, një diskutim i veçantë u zhvillua edhe lidhur me problematikën e Auditimit të Brendshëm në vend. Megjithë përmirësimet në kuadrin ligjor dhe në çertifikimin e audituesve, u theksua fakti i përpjekjeve që bëhen për të mos pasur mbivendosje gjatë punës audituese të KLSH-së me këtë sistem, si dhe lidhur me përmirësimet e domosdoshme për të cilat sistemi ka nevojë, problematikë kjo që theksohet në çdo auditim që KLSH kryen në subjekte të ndryshme. Z.Leskaj, u ofroi mundësinë për të patur një material të plotë, të nxjerrë nga auditimet e kryera nga KLSH, në mënyrë që të mund të krijohej një pasqyrë e qartë, lidhur me dobësitë e këtij sistemi. Ky kontribut i KLSH-së u prit me shumë interes nga përfaqësueset zvicerane si dhe u konsiderua si mjaft i vlefshëm.