Vizita zyrtare e delegacionit të KLSH-së, pranë Zyrës Shtetërore të Auditimit të Kroacisë.
06.03.2014
Në datat 3-4 mars 2014, një delegacion i Kontrollit të Lartë të Shtetit, zhvilloi një vizitë pune në Zyrën Shtetërore të Auditimit të Kroacisë.
Përfaqësuesit e KLSH-së në këtë vizitë ishin z.Xhaferr Xhoxhaj, Drejtor Departamenti, zj.Dëshira Huqi, Përgjegjëse sektori, z.Muhamet Kavaja, Krye/auditues, z.Bashkim Harizaj, Krye/auditues, zj.Nikoleta Piranjani, Audituese e Lartë, zj.Miranda Haxhia, Audituese e Lartë dhe zj.Valentina Golemi, Audituese e parë, ndërsa
Kjo vizitë vjen në vijim të Marrëveshjes së Bashkëpunimit të nënshkruar më 28 Nëntor 2012, nga Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj dhe Audituesi i Përgjithshëm i SAI-t të Kroacisë, z.Ivan Klesic.
Delegacioni i KLSH-së, u prit në një takim të shkurtër mirëseardhjeje nga z.Klesic, i cili pasi uroi mirëseardhjen dhe shprehu kënaqësinë për organizimin e kësaj vizite, theksoi faktin se ky takim i parë, do t’i hapte rrugën edhe shkëmbimeve të tjera të bashkëpunimit.
Më tej, sipas programit të përgatitur, z.Klesic prezantoi stafin drejtues të SAI-t kroat të pranishëm në takim dhe vijoi me një përmbledhje të mënyrës së funksionimit dhe organizimit të Zyrës Shtetërore të Auditimit të Kroacisë.
Për delegacionin shqiptar, z.Xhoxhaj prezantoi shkurtimisht anëtarët e tij dhe më pas, zj.Huqi vijoi me prezantimin e organizimit, funksionimit, si dhe arritjeve e zhvillimeve më të fundit, përgjatë këtyre dy viteve në KLSH. Në përfundim të prezantimit, përfaqësuesit e SAI-t kroat shprehën mjaft interes lidhur me marrëveshjet e bashkëpunimit me homologët, por edhe me TIKA-n dhe shoqërinë civile në Shqipëri. Gjithashtu, mjaft interes ngjalli edhe numri i botimeve (disa prejt tyre iu dhuruan homologëve tanë), veçanërisht botimi mbi kontributin e audituesve të KLSH-së në shtypin e përditshëm, që edhe pse në gjuhën shqipe, e vlerësuan mjaft.
Diskutimet u përqëndruan në vijim ndërmjet dy delegacioneve, lidhur me temat mbi Auditimet e Performancës, Prokurimet publike, Auditimin e fondeve të BE-së para aderimit, si dhe auditimin e fondeve të partive politike.
Tema e auditimit të përformancës u trajtua në këndvështrimin e efektivitetit të auditimeve të realizuara nga ky institucion. Për këtë, SAI kroat mbështetet në ISSAI 300 (standardet e fushës) si dhe në Udhëzuesit e Brendshëm të miratuar për fushat e auditimit.
Në këtë kuadër, një ndihmesë të madhe kanë dhënë edhe auditimet e përbashkëta të realizuara me SAI–t e tjerë për tema specifike, sidomos në fushën e mjedisit. Raportet e këtyre auditimeve i paraqiten Parlamentit si dhe çdo pjesëmarrës në auditim, paraqet rezultatet e auditimit, të cilat janë edhe pjesë e raportit final të përbashkët.
Me mjaft interes u trajtua tema mbi auditimin e partive politike, ku spektri i auditimit ishin jo vetëm fondet e financuara nga buxheti, por edhe të ardhurat e realizuara ( ligjshmëria e krijimit të tyre) si dhe saktësia e paraqitjes në kontabilitet e aseteve të partive politike. Raportet nga auditimi i paraqiten çdo subjekti partie politike dhe raporti përmbledhës i paraqitet Parlamentit.
Lidhur me temën mbi auditimin e fondeve të financuara nga BE nga viti 2003, SAI kroat auditon këto lloj fondesh dhe paraqet raportin përmbledhës për realizimin e projekteve në tërësinë e tyre. Në auditimin e projekteve, audituesit auditojnë deri zbatimin në fakt të kontratave, marrin në konsideratë dhe konkluzionet e nxjerra gjatë zbatimit të kontratave dhe të vërejtjeve të bëra nga mbikëqyrësit e BE dhe të gjitha këto konkluzione, janë pjesë e raporteve përfundimtare.
Me vëmendje nga homologët u prit edhe diskutimi mbi eksperiencat e KLSH-së lidhur me auditimin e fondeve të projekteve me financime të huaja, ku peshën më të madhe e mbajnë projektet e Bankës Botërore.
Tema e auditimit të prokurimeve publike zhvilloi një debat të ndezur përsa i përket shkëmbimit të eksperiencave lidhur me to, ku përfaqësuesit e të dyja delegacioneve paraqitën eksperienca konkrete, shkëmbyen informacione lidhur me kuadrin ligjor respektiv, vështirësitë e hasura, zbatimin e rekomandimeve, etj.
Në mbyllje të diskutimeve, u konkludua se eksperiencat e përcjella në drejtime të veçanta, ishin tepër të frytshme për vazhdimësinë e bashkëpunimit në të ardhmen, si dhe u hodhën disa mendime lidhur me tematikat e mundshme për t’u trajtuar në trajnimet në vijim si thellimi i shkëmbimit të eksperiencave mbi auditimin e fondeve të BE-së dhe të auditimit IT ku dhe SAI kroat ishte në fazat e para të zbatimit. Këto trajnime në kuadër të bashkëpunimit, mund të zhvillohen edhe me ndihmën e TAIEX-it.