Njoftime

KLSH merr pjesë në seminarin: “Praktikat më të mira ndërkombëtare në forcimin e integritetit në sektorin publik”..

13.03.2014

Në datat 3-7 Mars 2014, në Szarvas të Hungarisë u zhvillua seminari me temë “Praktikat më të mira ndërkombëtare në forcimin e integritetit në sektorin publik”, organizuar nga Zyra Shtetërore e Auditimit të Hungarisë për të mbështetur punën kundër korrupsionit të Institucioneve Supreme të Auditimit në vendet në zhvillim.

fotogrup2

Qëllimi i këtij seminari ishte që të rritej integriteti i institucioneve publike në vendet në zhvillim, të shpjegohej metodologjia e anketimit mbi integritetin e aplikuar gjatë këtyre viteve të fundit nga SAI Hungarez, si dhe të shkëmbeheshin eksperiencat e ndryshme të SAI-eve ndërmjet pjesëmarrësve në këtë seminar.
Në luftën kundër korrupsionit, anketimi mbi integritetin i SAI-it Hungarez, mbetet një model unik madje edhe në nivelin Europian. SAI Hungarez ka arritur që ta shtrijë këtë model në të gjithë sektorin publik të Hungarisë, duke e konsideruar atë si pjesë të misionit të tij në luftën kundër korrupsionit. Auditimi i integritetit të sektorit publik nga ana e SAI-it Hungarez përshtatet më së miri dhe me strategjinë e këtij institucioni në të cilën integriteti, transparenca, përgjegjshmëria në lidhje me fondet publike, si dhe roli i tyre në luftën kundër korrupsionit kanë një rëndësi të veçantë.
Për të kuptuar këtë model Hungarez, 44 përfaqësues nga 22 SAI-e të ndryshme të botës, morën pjesë në seminarin e zhvilluar nga datat 3 deri në 7 Mars 2014, në Szarvas të Hungarisë. Nëpërmjet këtij seminari SAO synonte që të mbështeste SAI-et e vendeve në zhvillim në punën e tyre kundër korrupsionit, duke e ditur që lufta kundër korrupsionit ka nevojë për një bashkëpunim efecient ndërkombëtar.
Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua në këtë seminar nga; Z. Bajram Lamaj (Drejtor Departamenti Auditimi) si dhe Z. Ermal Yzeiraj e Z. Koço Sokoli (Drejtoria Juridike).
 
Gjatë ditëve të këtij seminari, pjesëmarrësit ndoqën leksione dhe prezantime të bëra nga përfaqësues të SAI-t Hungarez, atij Polak dhe Hollandez, të cilët folën në lidhje me auditimin e integritetit në sektorin publik si dhe rolin e tij në luftën kundër korrupsionit. Në këtë seminar pjesëmarrësit u angazhuan disa herë edhe në grupe pune të veçanta, për tu familjarizuar më tepër me bazat teorike, metodologjinë, rezultatet më të fundit dhe eksperiencat e anketimit të integritetit, si dhe shkëmbyer me njëri tjetrin përvojat në SAI-et e tyre respektive.
Gjatë seminarit, pjesëmarrësit u njohën me metodologjinë e anketimit mbi integritetin dhe gjithashtu praktikuan nëpërmjet punës në grup, elementët më të rëndësishëm të implementimit të një anketimi të suksesshëm si identifikimi i risqeve të korrupsionit në sferën publike, vlerësimin e kontrolleve të ndryshme të cilat mbrojnë nga korrupsioni, plotësimin e pyetësorëve të cilat janë bazat e anketimit si dhe vlerësimin dhe përdorimin e rezultateve të anketimit.
Në ditën e parë të seminarit, pjesëmarrësit u përshëndetën nga Z. Mihály Babák kryebashkiaku i Szarvas-it, i cili iu prezantoi pjesëmarrësve dhe qytetin mikpritës të këtij eventi duke shprehur dhe opinionin e tij në lidhje me këtë seminar.
Seminari u hap zyrtarisht nga Dr. Gyula Pulay, Menaxher Mbikëqyrës i SAI-it Hungarez, i cili theksoi që në luftën kundër korrupsionit SAI Hungarez kishte zhvilluar një mjet të ri dhe pikërisht anketimin mbi integritetin, model ky unik në nivelin Europian.
Pas hapjes së seminarit, leksionin e parë e mbajti Prof. Zbysław Dobrowolski, Drejtor i Degës Rajonale të SAI-t të Polonisë, i cili foli në lidhje me aktivitetin dhe rezultatet e Grupit të Punës të INTOSAI-t mbi Luftën Kundër Korrupsionit dhe Pastrimit të Parave. Në leksionin e tij Z. Dobrowolski theksoi rëndësinë e marrëdhënies ndërmjet besimit, korrupsionit dhe qeverisjes. Besimi - u shpreh ai - është zemra e cdo transaksioni dhe mund të konsiderohet fare mirë edhe si kapital. Besimi ndërmjet palëve të interesuara dhe organizatave publike ndikon automatikisht edhe në besimin e publikut ndaj sektorit publik.
Më pas Z. Dobrowolski foli për rolin e SAI-eve në promovimin e qeverisjes së mirë, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e besimit publik. Ndërmjet një sërë synimesh të INTOSAI-it, ai theksoi rëndësinë e shkëmbimit të njohurive dhe praktikave më të mira ndërmjet SAI-eve, duke nënvizuar që INTOSAI duhet të udhëheqë nëpërmjet shembujve konkret në luftën kundër korrupsionit. Në këtë aspekt – u shpreh ai – eksperiencat duhet të përqendrohen në forcimin e llogaridhënies, transparencës si dhe integritetit të sektorit publik.
Gjithashtu, gjatë kësaj dite pjesëmarrësit prezantuan secili veten e tyre dhe institucionet nga ata vinin dhe më pas zhvilluan një testim hyrës në lidhje me çështjet që do të trajtoheshin në seminar. Në prezantimin e SAI-it Shqiptar, të bërë nga Z. Ermal Yzeiraj, ai foli për rezultatet e arritura nga KLSH-ja gjatë këtyre dy viteve të fundit në luftën kundër korrupsionit si dhe për rëndësinë që ne si institucion dëshirojmë ti japim aplikimit në praktikë të INTOSAINT-it si masë efikase parandaluese në luftën kundër korrupsionit.
Gjatë ditës së dytë të punimeve të seminarit, Znj. Ina de Haan nga Gjykata Hollandeze e Auditimit (NCA) ndau me ne një prezantim mbi përqasjen Hollandeze ndaj integritetit, duke u përqendruar në metodën SAINT si dhe transformimin e saj të mëvonshëm në INTOSAINT.
Ajo theksoi që NCA-ja aktualisht kryen një punë të dyfishtë në luftën kundër korrupsionit duke përfshirë në të edhe promovimin e integritetit. Sipas saj, ato mund të jenë të suksesshme vetëm nëse ato ecin krah për krah me njëra tjetrën. Mashtrimi dhe korrupsioni, nënkuptojnë mungesën e integritetit, theksoi ajo në fjalën e saj.
Më pas, Znj. Ina de Haan u fokusua në një sërë pyetjesh mbi integritetin, theksoi rëndësinë e besimit ndaj institucioneve publike si dhe theksoi idenë që parandalimi i korrupsionit mbetet një variant më i mirë se kurimi.
Duke folur për sektorin publik në detaje, ajo përmendi faktin se si funksionon menaxhimi i integritetit. Ajo theksoi që efektiviteti i menaxhimit të integritetit përcaktohet kryesisht nga kontrollet e buta dhe kontrollet e buta të cilat funksionojnë mirë kanë një impakt pozitiv si në ndjekjen e rregullave ashtu dhe në sjelljen dhe ndërgjegjen morale të nëpunësve. Sipas saj, të injorosh problemet është një nga gabimet më të mëdhaja të menaxhimit.
Më pas lektorja Hollandeze e vazhdoi leksionin e saj me auditimin e integritetit. Ajo theksoi që mirëqeverisja nënkupton përgjegjshmërinë dhe transparencën dhe performanca duhet të jetë efektive dhe eficiente. Ajo theksoi që integriteti i një organizate është përgjegjësi e menaxherëve. Është gjithashtu esenciale që organizmat e sektorit publik të kenë një menaxhim të bazuar në analizën e riskut. Ajo theksoi që SAI-et duhet të mbështesin menaxhimin e integritetit në organizmat e sektorit publik dhe detajoi zbatimin e instrumenteve të tilla si kontrollet e forta, të buta dhe të përgjithshme.
Në fund të leksionit të saj ajo u përqendrua në projektin SAINT, shpjegoi aktivitetet e këtij projekti, metodologjitë e tij si dhe rezultatet që ai ka patur deri më tani. Znj. Ina de Haan theksoi që sipas studimeve, shumë rregulla dhe procedura prodhojnë më shumë burokraci dhe në metodën SAINT, burokracia është një nga faktorët që ndikon në rritjen e korrupsionit.
Në pjesën e dytë të seminarit, prezantimin e radhës e mbajti Dr. Gyula Pulay i cili foli në lidhje me aktivitetin e SAI-it Hungarez dhe rolin e tij në luftën kundër korrupsionit nëpërmjet përqasjes së integritetit.
Ai shpjegoi se përse SAI Hungarez iu përkushtua çështjes së integritetit dhe prezantoi detajet e projektit të binjakëzimit ndërmjet SAI-it Hollandez dhe atij Hungarez (iniciuar në vjeshtë të 2006) i cili shërbeu si bazë për anketimin e integritetit. Prezantimin e tij, Dr. Gyula Pulay, e përfundoi duke folur për impaktin që anketimet mbi integritetin kishin patur në veprimtarinë e këtyre viteve të fundit të SAI-it Hungarez.
Në ditën e tretë të seminarit pjesëmarrësit u familjarizuan me metodologjinë e ndjekur nga SAI Hungarez në anketimin e integritetit. Z. Zoltán Gyula Szabó prezantoi dilemat më të rëndësishme në lidhje me zgjedhjen e metodologjisë si dhe pyetësorin dhe sistemin e vlerësimit të përdorur në anketimin e integritetit.
Prezantuesi foli në lidhje me rëndësinë e marrëdhënies ndërmjet qëllimeve të anketimit të integritetit dhe metodologjisë së zgjedhur. ai theksoi që një nga prioritetet e anketimit të integritetit (ndryshimi i kulturës së administratës publike) pati një ndikim të madh në zhvillimin e metodologjisë. Më pas, ai demonstroi procesin e përzgjedhjes së target grupeve si dhe u fokusua në strukturën dhe përmbajtjen e pyetësorit të anketimit duke dhënë një prezantim të detajuar në lidhje me llojet e pyetjeve dhe grupet e përfshira në anketim.
Në fund të prezantimit të tij, Z. Zoltán Gyula Szabó foli në lidhje me sistemin e vlerësimit të përdorur në anketimin e integritetit. Ai demonstroi mënyrën e vlerësimit të pyetjeve të caktuara përmes shembujve si dhe rolin e programit kompjuterik GIS të përdorur në procesin e vlerësimit të pyetësorëve.
Në ditën e katërt të seminarit, pjesëmarrësit kishin mundësinë që të familjarizoheshin me mjetet e komunikimit mediatik që SAI Hungarez përdorte për forcimin e integritetit. Gjatë prezantimit të Znj. Erzsébet Németh PhD, këshilltare e presidentit të SAI-it Hungarez, pjesëmarrësve iu bë një përshkrim i potencialeve të komunikimit online si dhe synimet e SAI-it Hunagrez në krijimin e një Portali Online të Lajmeve.
Referuar prezantimit të Znj. Erzsébet Németh, portali i lajmeve operonte paralelisht me faqen zyrtare të SAI-it Hungarez dhe funksiononte si një burim primar i informacionit, duke i ofruar publikut detaje të përditësuara në lidhje me aktivitetet e kryera si dhe eventet e tjera apo dhe konferencat e shtypit. Besueshmëria e artikujve të publikuar në portalin e lajmeve, garantohej nga vetë burimi i tyre (audituesit ose nëpunës të tjerë), pasi ato çdo lajm i publikuar nënshkruhej në fund prej vetë atyre që e kishin prodhuar atë, fakt ky që riste së tepërmi përgjegjshmërinë e audituesve.
Më pas, Znj. Erzsébet Németh shfaqi në monitor, portalin e lajmeve të SAI-it Hungarez ku ndër të tjera pasqyrohej edhe seminari që ne po zhvillonim në Szarvas atë javë si dhe foto dhe video nga ky seminar.
Leksioni i radhës u mbajt nga Z. János Szatmári, auditues i SAI-it Hungarez. Në fjalën e tij ai u përqendrua në fushat kryesore të sektorit publik të cilat ishin me të rrezikuara nga kërcënimet e korrupsionit, sipas anketimeve të kryera nga SAI Hungarez gjatë tre viteve të fundit si; fondet e BE-së, prokurimet publike, ndryshimet legjislative dhe organizative, etj. Z. János Szatmári theksoi që rezultatet e anketimit të integritetit mund të përdoren në mënyra të ndryshme. Nga njëra anë, institucionet që merrnin pjesë në anketim, të përballura me risqet e tyre të korrupsionit, mund të përmirësojnë aftësitë e tyre rezistuese ndaj korrupsionit dhe nga ana tjetër, vetë SAI analizon rezultatet e anketimit duke i konsideruar ato si pjesë e punës për analizën e riskut dhe përmirësimin e metodologjive të auditimit. Pra, anketimi kontribuon ndjeshëm në arritjen e një ndryshimi në sektorin publik drejt një kulture të bazuar në integritet.
Në fund të ditës së katër, pjesëmarrësve në këtë seminar ju kërkua që duke punuar në grupe pune të vogla, të hartonin në mënyrë të përmbledhur një listë të subjekteve të cilat do të përfitonin nga rezultatet e një anketimi mbi integritetin që do të zhvillohej nga SAI-et në sektorin publik. Në prezantimin e mbajtur nga Z. Ermal Yzeiraj në emër të grupit të SAI-it Shqiptar dhe atij të Gjeorgjisë, nga organizatorët e seminarit dhe sidomos nga Prof. Zbysław Dobrowolski (përfaqësues i SAI-it Polak dhe INTOSAI-it u pëlqye mjaft rëndësia që ne si grup i kishim dhënë medias dhe publikut në aksesin dhe përdorimin e këtij informacioni, duke i konsideruar ato si motorin i cili vinte në lëvizje çdo institucion tjetër publik dhe automatikisht riste shkallën e efektshmërisë së anketimeve të integritetit.
Ditën e pestë të seminarit, Dr. Balázs Ágoston Nagy, kryekëshilltar i Ministrit të Administratës Publike dhe Drejtësisë, mbajti një prezantim mbi sistemin Hungarez të menaxhimit të integritetit. Ai prezantoi pikëpamjen e Ministrisë mbi integritetin dhe tiparet kryesore të sistemit të tyre të integritetit. Dr. Balázs, theksoi rolin e këshilltarëve të integritetit të caktuar tashmë në çdo institucion të administratës publike dhe shpjegoi detyrat specifike që ata kryenin. Ai prezantoi rolin dhe funksionin e sistemit të menaxhimit të integritetit dhe më pas ai u përqendrua në metodat e përdorura për të analizuar edhe riskun e korrupsionit.
Pas leksionit, pjesëmarrësve në seminar (të ndarë në grupe të vogla pune), ju kërkua që të përgatisin një projekt plan të anketimit të integritetit, përfshirë këtu edhe kohën dhe burimet njerëzore që nevojiten për secilën fazë.
Të gjithë pjesëmarrësit e përfunduan testin me sukses dhe në fund të seminarit, drejtuesi i projektit, Z. János Szatmári pasi përmblodhi dhe vlerësoi arritjet e këtij seminari, shpërndau për pjesëmarrësit çertifikatat përkatëse si dhe vlerësimet për çdo grup përfaqësuesish të SAI-eve të ndryshme, duke e renditur grupin e KLSH-së si grupin e tretë për nga vlerësimi i përgjithshëm dhe aktivizimi në këtë seminar.