KLSH kallëzon në Prokurori, në datë 3.07.2014 Administratorin e “Albpetrol” sh.a.
04.07.2014
(Për veprën penale të “Kundërshtimit të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose shërbim publik”, parashikuar nga neni 235 i Kodit Penal)
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të tij të auditimit nr. 528/1 prot, datë 28.05.2014 inicioi auditimin e radhës në shoqërinë Albpetrol sh.a. Patos, me objekt “Zbatimi i ligjshmërisë dhe rregullshmërisë së veprimtarisë ekonomiko-financiare”, i cili përfshinte periudhën 01.08.2013 - 30.06.2014 të veprimtarisë së kësaj shoqërie.
Në zbatim të pikave të programit të auditimit si dhe dispozitave përkatëse ligjore të Ligjit nr. 8270, datë 23.12.1997 “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, KLSH i ka kërkuar në mënyrë të ripërsëritur administratorit të Albpetrol sh.a. vënien në dispozicion të grupit të autorizuar të auditimit, të gjithë informacionin dhe dokumentacionin e nevojshëm për kryerjen e këtij auditimi.
Në kundërshtim flagrant me detyrimet e tij ligjore si subjekt i auditimit, administratori i Albpetrol sh.a. refuzoi në mënyrë të vazhdueshme për mëse 1 muaj, vënien në dispozicion të grupit të auditimit, të marrëveshjeve të hidrokarbureve që Albpetrol sh.a. kishte nënshkruar me subjektet private, me justifikimin e ruajtjes së konfidencialitetit të këtyre marrëveshjeve.
Veprimet e mësipërme të administratorit të Albpetrol sh.a. përveçse të kryera në kundërshtim me ligjin, kanë shkaktuar edhe pengimin serioz të kryerjes së këtij auditimi nga ana e KLSH-së, në përpjekje për të shmangur nga objekti i auditimit çështje të caktuara të veprimtarisë së tij si administrator i kësaj shoqërie.
Në kërkesat e vazhdueshme të KLSH-së për vënien në dispozicion të këtij dokumentacioni, KLSH i ka bërë të ditur administratorit të shoqërisë Albpetrol sh.a. që konfidencialiteti i këtij dokumentacioni përsa i përket subjekteve private me të cilat Albpetrol sh.a. ka lidhur marrëveshjet e hidrokarbureve nuk vihet asnjëherë në rrezik si pasojë e këtij auditimi, pasi KLSH në asnjë rast nuk ka kërkuar informacion mbi veprimtarinë e subjekteve private dhe marrëveshjet, projektet, plan-bizneset apo resurset e tyre, pasi ato nuk janë objekt i auditimit të KLSH-së, por veprimtaria e Albpetrol sh.a.
Si rrjedhojë e hasjes së këtyre pengesave të qëllimshme, KLSH, në kushtet kur këto veprime kanë dëmtuar rëndë interesat e shtetit, kanë sjellë si pasojë dështimin e disa prej pikave të programit të auditimit duke mbajtur në errësirë të plotë kontratat e lidhura ndërmjet Albpetrol sh.a. dhe kompanive private, vendosi të depozitojë pranë organit të Prokurorisë Fier, në datën 03.07.2014, kallëzimin përkatës penal ndaj administratorit të Albpetrol sh.a. për veprën penale të “Kundërshtimit të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose shërbim publik”, parashikuar nga neni 235 i Kodit Penal.
KLSH, thekson që kjo është hera e parë në historinë e këtyre 24 viteve të demokracisë apo edhe gjatë kohës së monizmit, pavarësisht formave dhe fazave të organizimit në të cilat ka kaluar Albpetrol sh.a. që administratori i kësaj shoqërie vendos të pengojë një institucion kushtetues si KLSH, organi më i lartë i kontrollit ekonomiko – financiar në vend (neni 162 i Kushtetutës) dhe audituesit e këtij institucioni në kryerjen e detyrës së tyre ligjore. Ky mbetet një rast unikal, ku vetë shtetit i cili zotëron 100% të aksioneve të një shoqërie i mohohet e drejta e aksesit dhe kontrollit mbi dokumentacionin dhe veprimtarinë e kësaj shoqërie dhe çka është më absurdja nga vetë administratorët e saj.
Shqetësimi kryesor i KLSH-së në lidhje me këto vonesa të qëllimshme, mbetet mospërfundimi në kohë i këtij auditimi apo më keq akoma mospërfundimi i tij, gjë që do të ndikojë në raportin e përvitshëm të KLSH-së mbi buxhetin faktik të shtetit, i cili i dërgohet Kuvendit në muajin Shtator, si dhe fakti që këto vonesa mund të krijojnë premisa për tjetërsimin, transformimin apo falsifikimin që mund ti bëhet dokumentacionit të shoqërisë Albpetrol sh.a. që deri më sot nuk i është vënë në dispozicion KLSH-së.
KONTROLLI I LARTË I SHTETIT