Kryetari i KLSH-së merr pjesë në takimin e Komitetit të Kontaktit të SAI-ve të vendeve të Bashkimit Europian
17.10.2014
Në datat 16 – 17 tetor u zhvillua në Luksemburg takimi i Komitetit të Kontaktit të Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve të BE-së, nën drejtimin e Gjykatës Europiane të Audituesve, në kuadrin e 10 vjetorit të zgjerimit të Bashkimit Europian me 10 anëtarë të rinj në vitin 2004. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të 28 vendeve anëtare të BE-së dhe të SAI-ve të vendeve kandidate dhe para kandidate, si edhe përfaqësues të SIGMA-s.
Gjatë punimeve të Komitetit të Kontaktit u zhvillua edhe takimi përmbledhës i Rrjetit të Presidentëve të SAI-ve të vendeve kandidate dhe para kandidate dhe Gjykatës Europiane të Audituesve, në të cilin bëjnë pjesë Turqia, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Islanda, Serbia dhe Bosnje Hercegovina. Ky takim ishte në kuadër të përfundimeve të arritura gjatë Konferencës mbi Marrëdhëniet midis SAI-ve të vendeve kandidate dhe para kandidate, të mbajtur në Budva, Mal të Zi, në nëntor të vitit 2013.
Në vazhdim të Takimit të Komitetit të Kontaktit iu kushtua vëmendje e veçantë bashkëpunimit të SAI-ve me Gjykatën Europiane të Audituesve dhe me Parlamentin Europian. Gjithashtu u diskutua mundësia e monitorimit të zbatimit të Strategjisë Europiane 2014 – 2020, si dhe mbikëqyrja e bankave të vendeve të BE-së, ku Banka Qendrore Europiane do të luaj një rol të rëndësishëm. Në fund të punimeve Komiteti i Kontaktit arriti, ndër të tjera, përfundimet e mëposhtme:
-Krijimi i një Task Force për forcimin e bashkëpunimit në Europë, qëllimi i së cilës do të jetë bashkëpunimi me i ngushtë dhe praktik në fushën e auditimit;
-U inkurajuan vendet pjesëmarrëse që të marrin pjesë aktivisht në veprimtaritë e organizuara në kuadër të Rrjetit të Strategjisë Europiane të Auditimit 2020;
-U pranua propozimi i SAI-t hungarez për krijimin e disa aktiviteteve bashkëpunuese specifike që kanë si fokus kryesor arsimimin në fushën e auditimit, si një aspekt i veçantë dhe i rëndësishëm i Rrjetit të Strategjisë Europiane të Auditimit 2020;
-U pranua propozimi i SAI-t holandez për të kryer një auditim bashkëpunues në fushën e mbikëqyrjes bankare, i cili duhet përgatitur për vitin 2015 dhe duhet vënë në zbatim në vitin 2016 – 2017.
Gjatë dy ditëve të zhvillimit të punimeve të këtij aktiviteti, Kryetari i KLSH-së zhvilloi takime pune me shumë drejtues të SAI-ve, si Presidentët e SAI-ve Polak, Turk, Kroat, Mal i Zi dhe anëtarë të Gjykatës Europiane të Audituesve.
Një takim i vecantë ishte ai me z. Vitor Caldeira, President i Gjykatës Evropiane të Audituesve, i cili do të vizitojë Shqipërinë vitin e ardhshëm.
Takimi i radhës i Komitetit të kontaktit të vendeve të BE-së do te zhvillohet në Riga të Letonisë dhe drejtimi i këtij Komiteti i kalon SAI-t Letonez.
Kontrolli i Lartë i Shtetit merr pjesë për herë të parë në këtë takim si SAI i një vendi kandidat të Bashkimit Europian. Në këtë takim KLSH u përfaqësua nga një delegacion i kryesuar nga z. Bujar Leskaj, Kryetar i KLSH-së.