Njoftime

Përfaqësuesit e KLSH-së do të jenë pjesë e strukturave të ECA-s.

20.10.2014

Në vijim të marrjes nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat për në BE, përfaqësues të KLSH-së janë ftuar për herë të parë të marrin pjesë në programet e internshipit që organizohen pranë Gjykatës Evropiane të Audituesve, ECA. Ky institucion organizon dy programe internshipi në vit për auditues të SAI-ve të vendeve kandidate. Këto programe zhvillohen për një periudhë 5-mujore dhe kjo skemë ka filluar të praktikohet që prej vitit 1999 duke u konsideruar një mjet shumë i rëndësishëm për të ofruar njohuri mbi auditimin e fondeve të BE-së, për audituesit e SAI-ve të vendeve që aspirojnë të bëhen anëtare të BE-së.

Aplikimet për pjesëmarrjen në programet e intershipit u zhvilluan gjatë muajit shtator dhe nga KLSH u përzgjodhën si fitues tre kandidatë, z.Idlir Dervishi, zj.Aulona Jani dhe zj.Redina Karapici.

Të tre audituesit e KLSH-së do të jenë pjesë e strukturave të ECA-s për periudhën mars-korrik 2015 ku janë përcaktuar të kontribuojnë pranë Departamenteve-Drejtorive të ndryshme të ECA-s, përkatësisht të Drejtorisë së Besueshmërisë së llogarive dhe menaxhimit të përfaqësive, si dhe Dhomës II, Punësimi dhe çështjet sociale – Auditimi financiar.

Në mesazhin e tij drejtuar Kryetarit të KLSH-së z.Bujar Leskaj, z.Vitor Caldeira, President i ECA-s, pasi i uroi mirëseardhjen për herë të parë përfaqësuesve të KLSH-së në këtë program, theksoi edhe një herë faktin se skema e internshipit për audituesit është përftuese dhe me vlerë si për audituesit e SAI-ve të vendeve kandidate, ashtu edhe për ECA-n dhe se ky investim dypalësh, kontribuon në bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet institucioneve.

Ky bashkëpunim i suksesshëm u konfirmua edhe një herë gjatë takimit që z.Caldeira zhvilloi me Kryetarin e KLSH-së, z.Leskaj në Luksemburg, në kuadër të pjesëmarrjes në punimet e Komitetit të Kontaktit të Presidentëve të SAI-ve të vendeve anëtare të BE-së.

Presidenti i Gjykatës Evropiane të Audituesve, z.Caldeira, vitin e ardhshëm do të vizitojë vendin tonë.