Miratimi i Ligit për Kontrollin e Lartë të Shtetit i lehtëson rrugën Programit të BE-së për Mbështetjen e Buxhetit – 28 nëntor 2014
03.12.2014
Njoftim per shtyp i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tirane për miratimin e ligjit të ri të KLSH-së nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë në datën 27 nëntor 2014.
Delegacioni i Bashkimit Evropian (BE) në Tiranë përshëndet vendimin e djeshëm të Parlamentit shqiptar mbi Ligjin për Kontrollin e Lartë të Shtetit. Delegacioni i BE-së e përgëzon Parlamentin shqiptar për vendimin e djeshëm për miratimin e Ligjit mbi Kontrollin e Lartë të Shtetit. Ai është jo vetëm një hap i madh përpara lidhur me përpjekjet e Shqipërisë për reformuar auditin e jashtëm të fondeve publike, por gjithashtu i lehtëson rrugën Programit të BE-së për Mbështetjen e Buxhetit për Menaxhimin e Financave Publike.
Ministria e Financave e Shqipërisë ka hartuar një Strategji për Menaxhimin e Financave Publike (MFP), që – pasi të miratohet para fundit të vitit – do të shërbejë si bazë për Programin e BE-së për Mbështetjen e Buxhetit. Një nga kushtet kyçe për dhënien e fondeve të BE-së ishte që Shqipëria të miratonte një ligj të rishikuar mbi Kontrollin e Lartë të Shtetit në përputhje me standardet ndërkombëtare për institucionet e larta të auditit. Ky kush u plotësua me vendimin e djeshëm të Parlamentit.
Programi i BE-së mbi Mbështetjen e Sektorit të Buxhetit për reformën Menaxhimit të Financave Publike në Shqipëri, i pari në llojin e vet për rajonin e Ballkanit Perëndimor, aktualisht po finalizohet në Bruksel. Pasi të miratohet, ai do të sigurojë 40 milionë euro gjatë tre vjetëve për përpjekjet e reformave në Shqipëri. Programi për Mbështetjen e Sektorit të Buxhetit është pjesë e Instrumentit më të gjerë për Asistencë para Anëtarësimit (IPA) që për vitin 2014 arrin në 67 milionë euro.
Shqipëria do të marrë një shumë prej 650 milionë euro në gjashtë vitet në vijim si pjesë e ndihmës financiare të BE-së për periudhën 2014-2020, mbështetje e cila do ta ndihmojë vendin në çuarjen përpara të reformave, lehtësimin e investimeve që lidhen me procesin e anëtarësimit dhe do të ndihmojë në zhvillimin social-ekonomik të Shqipërisë.