Takim i Kryetarit të KLSH-së, z.Bujar Leskaj me të Ngarkuarin me Punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës, z.Ramiz Lladrovci
23.12.2014
Në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë, në datën 22 dhjetor 2014, u zhvillua një takim mes të Ngarkuarit me Punë në këtë Ambasadë, z.Ramiz Lladrovci dhe një grupi drejtuesish të lartë të KLSH-së.
Kryetari i KLSH-së, z.Leskaj, uroi fillimisht z.Lladrovci për konstituimin e institucioneve të Kosovës, zgjedhjen e Drejtuesve të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të Kryeministrit.
Zoti Leskaj i shprehu gjithashtu, z.Lladrovci kënaqësinë që marrëdhëniet mes KLSH-së dhe Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës (ZAP) janë shumë të mira dhe janë tashmë të institucionalizuara nëpërmjet nënshkrimit të një marrëveshje bashkëpunimi në shkurt të vitit 2012. Kjo marrëveshje ka ecur pozitivisht dhe ka pasur rezultate konkrete sidomos në drejtim të trajnimit të stafeve respektive dhe të shkëmbimit të eksperiencës.
Zoti Ramiz Lladrovci, e mbështeti këtë bashkëpunim dhe duke pasur parasysh edhe detyrën e tij të mëparshme si Deputet i Kuvendit të Kosovës dhe Zëvendëskryetar i Parë i Komisionit për Mbikqyrjen e Financave Publike, vlerësoi rëndësinë që ka Auditimi i Jashtëm si në Shqipëri dhe në Kosovë për përmirësimin e Qeverisjes, si edhe këshilloi për përmirësimin e punës dhe bashkëpunimin e mëtejshëm me ZAP-in, Kosovë.
Në këtë takim zyrtar dhe miqësor u bisedua gjithashtu për tema historike dhe u kujtuan me respekt figura të rëndësishme të kombit shqiptar, veçanërisht të gjithë ata që kontribuan për çlirimin e Kosovës dhe drejtuan UÇK. Drejtuesit e UÇK, përveç kontributit të patjetërsueshëm që dhanë gjatë luftës, po punojnë në kushtet aktuale dhe po drejtojnë me dinjitet shtetin e ri të Kosovës në rrugën e Integrimit Europian dhe të strukturave të NATO-s.
Kryetari i KLSH-së shoqërohej në këtë takim nga zj.Luljeta Nano, Sekretare e Përgjithshme e KLSH-se dhe nga Drejtorët e Departamenteve dhe Drejtorive zj.Manjola Naço, zj.Albana Agolli, zj.Irena Islami, z.Bajram Lamaj, z.Xhafer Xhoxhaj dhe z.Reinald Muça.