Njoftime

KLSH zhvillon analizën vjetore në frymën e INTOSAINT

30.01.2015

Në datat 26-27 Janar 2015,  Kontrolli i Lartë i Shtetit zhvilloi në qytetin e Vlorës Analizën Vjetore të punës së Institucionit për vitin 2014.
Analiza në seancë plenare dhe analizat në nivel departamentesh auditimi u mbajtën në mjediset e Universitetit publik “Ismail Qemali” të Vlorës. Ato u realizuan  nën një këndvështrim të ri, në frymën e Metodologjisë IntoSAINT (Metoda e Vetëvlerësimit të Integritetit për Institucionet Supreme të Auditimit publik), e përgatitur dhe përhapur në të gjithë SAI-et nga Gjykata e Auditimit të Holandës.

analiza 1

Krahas analizës se punës nën këndvështrimin e IntoSAINT-it, kjo analizë e KLSH-së solli edhe dy risi të tjera. Së pari, vlerësimin e performancës së institucionit, në bashkëveprim me pedagoget dhe studentët e një universiteti publik sepse mjedisi akademik gjeneron ide, përqasje dhe debate interesante e me shumë vlerë.
Së dyti, analiza u zhvillua me pjesëmarrjen e shumë përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe organizatave profesionale të fushës, partnerë të KLSH-së, si Prof. Dr. Jorgji Bollano, Prof. Dr. Skënder Osmani, Prof. Ass.Dr. Sazan Guri, z.Gledis Gjipali, etj., si dhe analistë dhe publicistë të njohur, si z.Artur Çani, z.Mitro Çela, z. Ago Nezha dhe gazetarë të qytetit të Vlorës.
Eksperienca, dijet dhe pavarësia e plotë e mendimit të tyre ndihmoi audituesit e KLSH-së që të shohin më qartë arritjet e tyre përgjatë vitit 2014 por edhe dobësitë e mangësitë e punës së tyre, me qëllim përmirësimin e tyre në të ardhmen. 
Të gjithë Departamentet e Auditimit dhe Drejtoritë mbështetëse realizuan analizat e strukturave të tyre në salla të veçanta pasditen e datës 26 janar dhe paraditen e datës 27 janar. Në secilin prej Departamenteve ishin prezentë  përfaqësues të shoqërisë civile, analistë, pedagogë dhe studentë  të Universitetit “Ismail Qemali”. Ne përfundim, çdo punonjës i KLSH-së plotësoi edhe një pyetësor vetëvlerësimi për analizën e veprimtarisë vjetore te strukturës në të cilën bën pjesë. Pyetjet kishin lidhje me njohjen e subjektit të Auditimit, planifikimin vjetor, programet, kryerjen, raportimin dhe kontrollin e cilësisë së auditimeve të realizuara.

Nga analiza e përgjigjeve të pyetësorit u evidentuan pikat e forta dhe pikat e dobëta gjatë gjithë procesit të Auditimit, si psh menaxhimi i cilësisë mbetet gjithnjë një çështje kyç për profesionin e audituesit suprem, procesi i hartimit të planit vjetor të auditimeve duhet të jetë më i studiuar, lidhur me përcaktimin e prioriteteve, argumentimin dhe përfshirjen në programin e auditimit të subjekteve të auditimit mbi bazën e vlerësimit të riskut dhe përcaktimit të materialitetit, duke i kombinuar këto auditime me detyrimet ligjore kushtetuese që ka KLSH-ja për auditimin periodik të tyre,etj. Gjithashtu, drejtuesit e departamenteve të auditimit, duhet të marrin masa që në përcaktimin e grupeve të auditimit të përdorin në mënyrë racionale burimet njerëzore që kanë në dispozicion.
Në ditën e dytë të Analizës Vjetore, mbajti një kumtesë interesante Prof.Dr. Skënder Osmani, i cili trajtoi çështje që lidhen me Fazistikën (Fuzzy theory). Profesor Osmani trajtoi çështje të analizës së riskut dhe lidhjen e tyre me teorinë e probabilitetit dhe Fazistikën dhe rëndësinë e padiskutueshme dhe lidhjen konkrete që gjen kjo teori edhe në analizën e riskut ne procesin e auditimit. Kumtesa e Prof.Dr. Skënder Osmanit u ndoq me shumë vëmendje nga të pranishmit dhe i dha karakter shkencor trajtimit të analizës së riskut.
Përsa i përket auditimeve të realizuara për vitin 2014,  KLSH ka kryer 160 auditime gjithsej, nga 153 auditime të kryera në  vitin 2013, ose 4.8 përqind më shumë. Institucioni ka zbuluar dëm ekonomik ndaj Buxhetit të Shtetit në nivelin 11.2 miliardë lekë (ose rreth 80 milionë euro), duke kërkuar shpërblimin e dëmit, pra arkëtimin në Buxhet të 98.9 përqind të tyre. Dëmi ekonomik i zbuluar në të tre vitet 2012, 2013 dhe 2014, është rreth 3.8 herë më i madh se vlera e dëmit të zbuluar në tre vitet 2009, 2010 dhe 2011, të marra së bashku.
Treguesi i eficiencës së institucionit është 38 lekë të zbuluar si dem ekonomik ndaj Buxhetit të Shtetit, për çdo lek të harxhuar nga KLSH gjatë vitit 2014, gjë që dëshmon për dobinë e lartë të aktivitetit auditues. Krahasuar në vite, mesatarja e treguesit të eficiencës së institucionit për tre vitet 2012-2014 është 2.6 herë më e lartë se mesatarja e tre viteve 2009-2011.
Duke zbatuar objektivin e tij strategjik të përmirësimit të qeverisjes, nëpërmjet thellimit të luftës kundër korrupsionit, për shkelje të dispozitave ligjore në fuqi, me pasojë shpërdorimin e fondeve publike dhe dëmtimin e pronës publike, institucioni ka bërë 41 kallëzime penale ndaj 149 punonjësve, përgjithësisht nëpunës të lartë dhe të mesëm të administratës publike.
Nga analiza vjetore 2014 e KLSH-së, doli i qartë mesazhi se korrupsioni është ende mjaft i përhapur në Shqipëri. Në këto kushte, asnjë institucion publik nuk duhet të vetëkënaqet, por duhet të ndihet përgjegjës për këtë situatë. Roli i KLSH-së në këtë drejtim është parësor dhe  Kryetari i KLSH-së në fjalën e tij nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimet me të gjitha Institucionet shtetërore sepse “...Korrupsioni është si një ndërtim pa leje, që legalizohet kur institucionet qeveritare dhe ato të pavarura tregohen indiferente dhe nuk punojnë në sistem me partnerët e tyre të natyrshëm, për ta luftuar atë....”.

analiza 2

Analiza vjetore e KLSH-së në përfundim të saj u shoqërua me promovimin e dy librave, të Dr.Greta Angjelit dhe të Prof.Dr. Bardhosh Gaçes.
Libri  i Zj.Angjeli “Auditimi mjet për një qeverisje më të mirë: rasti i Shqipërisë“, synon të paraqesë një kërkim të rëndësishëm në fushën e auditimit dhe analiza e saj  është e shtrirë në gjerësi dhe në thellësi. Në këtë kontekst ajo çfarë ka synuar autorja me prurjen e këtij materiali të plotë të lidhur me auditimin e jashtëm dhe ndikimin e tij në mirëqeverisjen e vendit është një vlerë në këtë fushë.
Me interes është edhe fotografimi që autorja i ka bërë situatës dhe perceptimit që audituesit e KLSH kanë në lidhje me rolin e treguesve të performancës në përmirësimet institucionale dhe autorja thekson vizionin e qartë që kanë audituesit e KLSH-së në vlerësimin e treguesve të performancës të institucioneve që auditojnë dhe se këto auditime duhet të shihen si një ndihmë për mirëqeverisjen dhe llogaridhënien dhe institucionet duhet të rrisin nivelin e bashkëpunimit me KLSH-në, veçanërisht në drejtim të zbatimit të rekomandimeve të dhëna nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Libri i Prof.Dr. Bardhosh Gaçes “Ata që shpallën Pavarësinë”, është një libër me karakter historik dhe trajton procesin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, duke përfshirë të gjitha figurat që luajtën një rol të rëndësishëm në këtë proces. Një pjesë e këtyre figurave janë pak ose aspak të përmendura më parë. Në libër ka gjithashtu ka edhe dokumente dhe fotografi të pabotuara më parë.

Të dy promovimet u ndoqën më interes nga audituesit e KLSH-së dhe u shoqëruan me pyetje dhe diskutime të ndryshme.