Njoftime

Takim i Grupit të Punës të EUROSAI-t për auditimin e fondeve të alokuara në rastet e fatkeqësive dhe katastrofave.

25.02.2015

Në datën 5 Shkurt 2015 në Gjykatën Europiane të Audituesve në Luksemburg u zhvillua takimi i parë i Grupit të Punë së EUROSAI-t për auditimin e fondeve të alokuara ne rastet e fatkeqësive dhe katastrofave. Anëtarë të këtij grupi janë: Gjykata Evropiane e Audituesve, Ukraina, Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bullgaria, Gjeorgjia Italia, Kazakistani, Lituania, Polonia, Moldavia, Rumania Rusia, Serbia  dhe Turqia. Estonia  ka statusin e observuesit në këtë Grup Pune. Në këtë takim Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua nga Drejtori i Departamentit të Auditimit të Buxhetit Qendror,  Administratës së Lartë Publike, Menaxhimit Financiar dhe Auditimit të Brendshëm, znj. Manjola Naço dhe Audituesja e Parë,  znj. Alma Shehu.

luksemburg 2

Në këtë takim u prezantua, diskutua dhe miratua dokumenti i Strategjisë dhe Planit të Veprimit  2015-2017 të këtij grupi. Ky dokument bazohet në Planin Strategjik 2011- 2017 të EUROSAI-t dhe përcakton misionin, vlerat, drejtimet e aktivitetit dhe rezultatet e pritshme  të aktivitetit të Grupit të Punës së EUROSAIT për periudhën ndërmjet kongresit të IX dhe X të EUROSAI-t që zhvillohen në harkun kohor 2012-2017. Misioni i Grupit të Punës së EUROSAI-së është koordinimi dhe konsolidimi i përpjekjeve  të SAI-eve  për të ndihmuar  qeveritë e vendeve të tyre për zhvillimin e instrumenteve efektive për parandalimin, por dhe eliminimin e pasojave që shkaktojnë fatkeqësitë dhe katastrofat natyrore pa anashkaluar dëmet apo katastrofat që janë pasojë e aktivitetit njerëzor.

Strategjia e Grupit të Punës të EUROSAI-t për auditimin e fondeve të alokuara në rastet e fatkeqësive dhe katastrofave ka për qëllim arritjen e këtyre objektivave:

1.Rritjen e kapaciteteve në këto lloj auditimesh
2.Bashkërendimin e përpjekjeve midis SAI-eve duke synuar  shkëmbimin e njohurive dhe përvojave
3.Promovimin e standardeve të lidhura me auditimin e katastrofave dhe fatkeqësive

Për rritjen e kapaciteteve të SAI-ve, veprimtaria e Grupit të Punës do të fokusohet në promovimin dhe mbështetjen e zbatimit të Standardeve Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit  ISSAI 5500-5599 "Udhëzimet për auditimin e fondeve të alokuara  për fatkeqësitë dhe katastrofat” .
Grupi i Punës  gjithashtu do të fokusohen në identifikimin e temave më të rëndësishme të auditimit në fushën e parandalimit dhe eliminimin e pasojave të fatkeqësive, si dhe do t'ju ofrojë ndihmë SAI-ve për kryerjen e auditimeve në këtë fushë brenda komunitetit EUROSAI, kjo duke promovuar përvojat e suksesshme të auditimeve paralele në këtë fushë.

Për qëllim të shkëmbimit të njohurive  dhe përvojave, veprimtaria e Grupit të Punës do të përqëndrohet në organizimin e trajnimeve  dhe workshope-ve  në të cilat pjesëmarrësit  do të diskutojnë  rreth  përvojave në auditimet e kryera  nga SAI- e të ndryshme, problematikat dhe rekomandimet. Në mënyrë që të krijojë kontakte të reja, Grupi i Punës do të synojnë nxitjen e bashkëpunimit me të gjitha strukturat e  INTOSAI-t dhe EUROSAI-t,  partnerët e jashtëm, sigurimin e transparencës maksimale të veprimtarisë së tij dhe objektivitetin në vlerësimin e rezultateve të arritura.

Në këtë takim pati prezantime mbi rezultatet e auditimeve paralele dhe të koordinuara të kryera nga disa SAI ne raste të katastrofave natyrore si ajo e tërmetit në Aquila, Itali apo katastrofave që janë shkaktuar nga njeriu si në rastin e katastrofës së Cernobilit (Chernobyl disaster) Ukrainë.
Në fund u evidentuam fushat me interes për auditime paralele apo auditime të kësaj natyre për çdo SAI, nëpërmjet mbledhjes së mendimeve duke specifikuar dhe kohën e përshtatshme për realizimin e tyre.