Njoftime

KLSH merr pjesë në Simpoziumin e 23-të, organizuar në Vjenë nga Kombet e Bashkuara dhe INTOSAI

04.03.2015

Në datat 2-4 mars u zhvillua në Vjenë Simpoziumi i 23-të, organizuar nga Kombet e Bashkuara dhe INTOSAI (Organizata Ndërkombëtare e Institucioneve Supreme të Auditimit) me temë :  " Axhenda e zhvillimit të Kombeve të Bashkuara për periudhën pas 2015:Roli i Institucioneve Supreme të Auditimit për zhvillimin e qëndrueshëm".
Krahas drejtuesve të tjerë të Institucioneve Supreme të Auditimit (SAI) mori pjesë edhe një delegacion i Kontrollit të Lartë të Shtetit, kryesuar nga Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj, zj Albana Agolli, Drejtore e Departamentit të Auditimit të të Ardhurave të Buxhetit të Shtetit dhe zj. Irena Islami, Drejtore e Drejtorisë së Komunikimit, Botimit dhe Mardhenieve me Jashtë.
Simpoziumi drejtojhej nga z.Josef Moser, kryetar i Gjykatës Austriake të Audituesve dhe njëherazi Sekretar i Përgjithshëm i INTOSAI-t dhe z. Wu Hongbo, Nën-Sekretar i Përgjithshëm për Çështjet Social Ekonomike në Kombet e Bashkuara. Punimet e simpoziumit u përshëndetën në ditën e parë të tij nga SHTZ. Heinz Fischer, President i Austrisë.

Çështja e parë që u trajtua lidhej me pritshmërinë që kanë parlamentet, qeveritë, Kombet e Bashkuara, organizatat e shoqërisë civile, donatorët, qytetarët etj, në lidhje me rolin që mund të luajnë Institucionet Supreme të Auditimit (SAI) në zhvillim e qëndrueshëm. U theksua rëndësia e e forcimit të mekanizmave të mbikqyrjes dhe e rolit të parlamenteve dhe rëndësia vitale që ka monitorimi,  dhe raportimi në arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm.
Çështja e dytë lidhej me parakushtet që duhet të plotësojnë SAI-et për t’u anagazhuar në mënyrë efektive ne Axhendën e zhvillimit të Pas-2015, si pavarësia e SAI-ve, kapacitet e nevojshme profesionale të SAI-ve për të audituar objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm, mandatin e nevojshëm, etj.
Simpoziumi u përqëndrua gjithashtu në mundësitë konkrete të SAI-ve për t’u angazhuar në mënyrë efektive në axhendën e Zhvillimit të Pas-2015 dhe eksperiencat konkrete të tyre dhe u evidentuan fushat në të cilat kërkohet përmirësim, si qeverisja dhe ndërtimi i kapaciteteve në administratën publike, transparenca, llogaridhënia dhe partneriteti.
Trajtimi i temës së zhvillimit të qëndrueshëm dhe roli që mund të luajnë SAI-et në këtë drejtim pasqyron rëndësinë që i kanë dhënë Kombet e Bashkuara dhe komuniteti  i  INTOSAI-t avancimit të zhvillimit të qëndrueshëm.
Simpoziumi punoi intensivisht në drejtim të rolit që duhet të luajnë SAI-t në Axhendën e Zhvillimit të Pas-2015 dhe në implementimin e saj.Simpoziumi përpunoi tezat si më poshtë :
•Pritshmëritë që kanë partnerët dhe qytetarët për SAI-t lidhur me çështjet e zhvillimit të qëndrueshëm,
•Parakushtet që duhet të plotësojnë SAI-et për t’u anagazhuar në mënyrë efektive në Axhendën e zhvillimit të Pas-2015 dhe plotësimi i detyrimeve që lindin nga strategjia e objektivave të zhvillimit, të vendosura nga shtetet anëtare në rezolutën A/66/228,
•Eksperienat dhe mundësite e SAI-ve për t’u angazhuar në Axhendën e zhvillimit të Pas-2015.
Në përfundim të punimeve, pjesëmarësit theksuan rëndësinë e përmbushjes së pritshmërive që kanë partnerët tek SAI-t dhe INTOSAI :
•Qytetarët i shikojnë SAI-t si institucione të besueshme, të cilat nëpërmjet raporteve dhe gjetjeve të tyre ndihmojnë në përdorimin e fondeve publike me ekonomicitet, eficiencë dhe efikasitet.
•Legjislativi pret nga SAI-t informacione të pavarura, objektive dhe në kohë në lidhje me përdorimin e fondeve publike me ekonomicitet, eficiencë dhe efikasitet, duke pasur nje vëmendje të vecantë në objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm.
•Kombet e Bashkuara presin nga INTOSAI dhe SAI-t të zhvillojnë standartet dhe kapacitetet e nevojshme, për të qenë të aftë të zbatojnë dhe të arrijnë objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm.
Miratimi në shtator të 2015 i axhendës së Zhvillimit të Pas-2015 pritet të sjellë ndryshime transformuese në lidhje me mënyrën se si do të rriten ekonomitë e vendeve tona, se si do të zhvillohen shoqëritë tona, se si do të bashkëpunojnë të gjitha vendet e zhvilluara dhe më pak të zhvilluara për të luftuar ndryshimet klimatike dhe mbrojtjen e planetit tonë .
Gjatë punimeve te këtij Simpoziumi, Kryetari i KLSH-së u takua me dy drejtuesit e Simpoziumit,  Z.Josef Moser, Sekretar i Përgjithshëm i INTOSAI-t dhe me z. Wu Hongbo, Nën-Sekretar i Përgjithshëm për Çështjet Social Ekonomike në Kombet e Bashkuara, si dhe me homologët e SAI-ve të Polonisë, Turqisë, Kroacisë, Bosnje-Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe përfaqësues të SAI-ve të tjera Evropiane.
Në përfundim të punimeve të Simpoziumit, pjesëmarrësit miratuan Konkluzionet dhe Rekomandimet e këtij aktiviteti të rëndësishëm, të cilat do të bëhen të njohura në gjuhën shqipe ne WEB-in e KLSH-së (përfshirë edhe një material më të zgjeruar me punimet kryesore të Simpoziumit).

Rezoluta e Simpoziumit te 23 UN - INTOSAI.