KLSH merr pjesë në Workshop-in për auditimin paralel të performancës mbi Eficiencën e Energjisë për vendet e Ballkanit Perëndimor.
16.03.2015
Në datat 10-12.02.2015 u zhvillua në Shkup të Maqedonisë workshop-i i katërt për procesin e Auditimit Paralel të Performancës mbi Eficiencën e Energjisë për vendet Ballkanit Perëndimor, në të cilin merr pjesë Kontrolli i Lartë i Shtetit, i fokusuar në Përdorimin e Burimeve Alternative të Energjisë. Workshop-i kreu punimet nën drejtimin e ekspertëve të Zyrës së Auditimit të Suedisë (Riksrevisionen): Christina Sand, Tony Angleryd, Hazim Sabanoviç, si dhe Dragos Budulac, Gjykata e Llogarive të Rumanisë, përfaqësues i Grupit të Përbashkët të Punës për Veprimtarinë Audituese.
Në këtë workshop krahas audituesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit: Gjovalin Preçi, Andi Buzo dhe Artan Topjana, merrnin pjesë audites nga Kosova, Mali i Zi, Serbia, Bosnia dhe Hercegovina, si dhe Maqedonia.
Audituesit kontribuan me pjesëmarrje aktive gjatë zhvillimit të debatit mbi veprimtarinë audituese të deritanishme si: projektraportin, gjetjet kryesore, rekomandimet, hartimin e matricave të auditimit të performancës etj., duke shkëmbyer eksperiencat e ndryshme të auditimit. Me vëmendje të veçantë u ndoqën trajnimet “Metodat e auditimit të performancës-intervistat dhe pyetësorët”, referuar nga Tony Angleryd dhe Jussi Bright; “Grumbullimi dhe prezantimi i të dhënave statistikore” nga profesoret Emina Resic (phD) dhe Adela Delalic (MSc) të Fakultetit Ekonomik të Sarajevës, si dhe prezantimi i Raportit të auditimit “Si llogarisin, ulin dhe shmangin efektin serë institucionet dhe organet e Bashkimit Europian”, nga Jussi Bright në Gjykatën Evropiane të Auditimit.