KLSH zhvillon workshop-in me temë “Performanca e Auditimeve të Performancës”
21.04.2015
Me datë 20.04.2015, KLSH në bashkëpunim me Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan zhvilloi në mjediset e bibliotekës së këtij Universiteti workshop-in me temë “Performanca e Auditimeve të Performancës”. Në këtë workshop morën pjesë Kryetari i KLSH z. Bujar Leskaj, deputetët e këtij qarku zj. Evis Kushi dhe z. Aqif Rakipi, rektori i Universitetit Prof.Dr. Liman Varoshi, drejtues dhe auditues të departamenteve të KLSH-së, pedagogë dhe student të këtij universiteti, ekspertë të jashtëm të KLSH-së të angazhuar në auditimet e performances, media dhe të ftuar të tjerë.
Në fjalën e hapjes së Kryetarit të KLSH z. Bujar Leskaj u theksua se tashmë, pas shumë përpjekjeve është arritur që auditimet bashkëkohore të performances, si një nga sfidat e veprimtarisë së KLSH aktualisht dhe në të ardhmen, të jenë sanksionuar në ligjin nr.154/2014, datë 27.11.2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”. Z. Leskaj ju përcolli deputetëve të pranishëm falënderimet e rastit për kontributin e tyre në këtë procedurë relativisht të gjatë dhe të vështirë të miratimit të këtij ligji në kuvend. Në vijim z. Leskaj evidentoi ecurinë e auditimeve të performances në periudhën 2012-2015, të cilët kanë njohur jo vetëm rritje sasiore të dukshme deri së fundi në 8 auditime në vit, por edhe zgjerimin e fushave të përfshira në këto auditime, fokusimin në tema të problematikës së publikut dhe taksapaguesve shqiptar, duke dhënë mesazhin e nevojës së vazhdueshme për mirëqeverisje të aseteve publike në funksion të përmirësimit të jetës ekonomike dhe sociale në vendin tonë. Në mënyrë të spikatur ishin gjetjet dhe rekomandimet e auditimeve të performancës mbi ndarjen territoriale, realizimin e censusit, shërbimi spitalor etj. Me gjithë arritjet e deritanishme, KLSH do të insistojë në rritjen e numrit të auditimeve të performancës me objektiv rreth 10 % të të gjitha auditimeve, si dhe ajo cfar është më e rëndësishme do të kërkohet në mënyrë permanente përmirësimi dhe ngritja cilësore e tyre, si një pasqyrim i nivelit të lartë trajnimeve të fushës brenda dhe jashtë vendit, si dhe rekrutimeve të reja me integritet dhe profesionalitet të lartë. Arritjet e deritanishme në auditimet e performancës, janë krahas të tjerave dhe rezultat i angazhimit dhe konsultimit të materialeve raportuese me ekspertë dhe specialistë të fushave të përfshira në auditim.
Në fjalën e tij përshëndetëse rektori i Universitetit të Elbasanit Prof.Dr. Liman Varoshi, krahas të tjerave evidentoj vizionin e ri të viteve të fundit të KLSH-së, në kërkim të vazhdueshëm të bashkëpunimit me botën akademike, me përfitime të dyanshme në të mirë të publikut shqiptar. Z. Varoshi u shpreh i hapur dhe bashkëpunues për kontribute të ndërsjella për çështje të rëndësishme që karakterizojnë arsimin e lartë në vendin tonë.
Deputetja e qarkut të Elbasanit Zj. Evis Kushi, në cilësinë e anëtares së Komisionit për Ekonominë dhe Financat shprehu mbështetjen e dhënë në miratimin e një ligji bashkëkohor për organizimin dhe funksionimin e KLSH-së, për t’i dhënë pavarësinë, kompetencat dhe fushat e përfshira në auditim, si dhe vuri theksin në përkushtimin për të ardhmen që duhet të kenë institucionet publike të audituara për zbatimin e detyrave të rekomanduar nga KLSH.
Workshop-i vijoj me paraqitjen e punimeve nga Departamenti i Auditimeve të Performancës, ku ishin integruar trajtimi teorik i procesit të këtij auditimi me veprimtarinë praktike, të sintetizuara në Raportet dhe Projektraportet audituese. Drejtori i Departamentit të Auditimit të Performancës Dr. Rinald Muça prezantoi “Problematikat e aplikimit të metodologjisë në auditimin e performancës”, duke u ndalur në mënyrë të detajuar në specifikat e secilit hap që shoqëron këtë proces auditimi.
Më pas u prezantua “Performanca e KESH Sha-Domosdoshmëria e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike” duke u përqendruar në kontekstin e problemit social që ka shërbyer për kryerjen e këtij auditimi, analizën e risqeve të subjekteve nën auditim, metodologjinë dhe teknikat e përdorura, si dhe gjetjet e rekomandimet përkatëse, duke arritur në konkluzionin se ndryshimet organizative dhe administrative të KESH Sha dhe rritja e performancës së burimeve njerëzore të saj, përmirësimet ligjore në fushën e energjisë elektrike në përputhje me kërkesat e BE-së, përmirësimi i raporteve prodhues privat të energjisë elektrike me KESH Sha dhe e kësaj të fundit me OSHEE, bëjnë të mundur furnizimin e qëndrueshëm dhe ruajtjen e pandryshuar të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjar, i cili aktualisht është nga më të lartët në Ballkan për një popullsi me nivelin më të ulët të mirëqenies në rajon e më gjerë.
Gjatë prezantimit të auditimit të infrastrukturës së shërbimit bibliotekar kombëtar, u trajtuan në mënyrë të strukturar, midis të tjerave çështjet që kanë të bëjnë me qëllimin dhe objektivin e auditimit, kriteret, pyetjet dhe nën-pyetjet e shtjelluara, mesazhin kryesor etj. Me materiale dokumentare është arritur në mesazhin kryesor të këtij auditimi se: “Biblioteka Kombëtare dhe Rrjeti Bibliotekar Kombëtar, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, Ministrinë e Kulturës dhe pushtetin vendor, të krijojnë një qasje të re në vlerësim të librit dhe shërbimit qytetar, me synim ruajtjen e kulturës kombëtare dhe rritjen e vetë-edukimit të shoqërisë”.
“Përmirësimi i funksionimit të tregut të brendshëm duke promovuar shërbime të sigurta, efikase dhe ekologjikisht të shëndosha” është qëllimi i auditimit që po zhvillohet mbi liberalizimin e tregut në ofrimin e shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve. Nga paraqitja e kësaj veprimtarie rezulton se po bëhen përpjekje për t’i dhënë përgjigje pyetjes “A i përbush shërbimi i kontrollit teknik të mjeteve që kryhet nga një koncesionar, objektivat në mbrojtjen e interesit qytetar dhe taksapaguesit?”
Interes të veçantë paraqiti punimi “Zhvillimi i projekteve bujqësore me financime të huaja”, i fokusuar në matjen e ndikimit tek përfituesit të rezultateve pas përfundimit të zbatimit të Projektit të Shërbimeve Bujqësore, duke arritur në konkluzionin se efektet përmirësuese kanë qenë të ulta në krahasim me parashikimin, si rezultat i monitorimit të dobët gjatë zbatimit të projektit dhe mungesës së strukturave monitoruese në institucionet publike sipas objektivave përkatëse pas përfundimit të tij.
Në këtë workshop janë mbajtur dhe disa punime të tjera mbi auditime të zhvilluara për performancën e RTSH-së, trashëgimin kulturore, të drejtën e autorit etj. Gjatë prezantimeve, audituesit e departamentit cilësuan dhe veprimtarinë promovuese të auditimeve të përformancës nëpërmjet botimit të artikujve në median e shkruar, rrjetet sociale etj.
Gjatë punimeve të këtij workshop-i, në kuadër të partneritetit me shoqërinë civile, Kryetari i KLSH z. Bujar Leskaj ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me OJF “Qendra Shqiptare e Rehabilitimit të Traumës dhe Torturës” të përfaqësuar nga Drejtori Ekzekutiv z. Ardian Kati, duke theksuar se sfidat audituese të KLSH-së, mund të përmbushen në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe organizata e specialistë të fushës.
Në fjalën e tij përmbyllëse, Kryetari i KLSH zoti Bujar Leskaj, pasi përcolli falënderimet për referuesit, rektoratin dhe pedagogët e Universitetit të Elbasanit, vuri theksin në nevojën dhe domosdoshmërinë e thellimit të bashkëpunimit me ekspertë të jashtëm në fushat e auditimit të performancës, në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë së auditimeve për të përcjell tek publiku një mesazh të qartë dhe me gjuhen e duhur, duke ndikuar në këtë mënyrë në transparencën dhe llogaridhënien e administratës publike.