Takimi i Kryetarit të KLSH-së, z.Bujar Leskaj me përfaqësues të Gjykatës Evropiane të Audituesve, ECA dhe Delegacionit të BE-së në Tiranë
11.06.2015
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit zhvilloi një takim me përfaqësues të Gjykatës Evropiane të Audituesve ECA, përfaqësuar nga Dr.Szabolcs Fazakas, Drejtues i Drejtorisë për Dhomën 3 të kësaj Gjykate, z. Dennis Wernerus, asistent i drejtorit dhe auditues në Dhomën 3, si dhe përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së në Tiranë, z. Claus Lech.
Takimi u zhvillua në kuadrin e misionit të ECA’s në Tiranë mbi Meta-Audit (auditim që bazohet në rezultatet e auditimeve të mëparshme), lidhur me Asistencën e para-zgjerimit në Ballkanin Perëndimor (IPA I and IPA II) dhe kishte për qëllim informimin mbi kuadrin e përgjithshëm organizativ dhe të funksionimit të KLSH-së, pas miratimit edhe të Ligjit të ri të institucionit, mandatin e KLSH-së, pavarësinë, burimet financiare dhe njerëzore, transparencën me publikun dhe grupet e interesit në lidhje me publikimin dhe shpërndarjen e raporteve të auditimit të KLSH-së, zbatimin e rekomandimeve të lëna nga KLSH, rastet e zbuluara dhe të denoncuara në kuadrin e luftës ndaj korrupsionit dhe mashtrimit, etj.
Në vijim, z.Leskaj paraqiti një ekspoze të përgjithshme të funksionimit të KLSH-së, duke u përqendruar në arritjet e tre viteve të fundit të KLSH-së, ku një vend të veçantë zë padyshim miratimi i Ligjit të ri Organik të institucionit. Ky ligj që arriti të miratohej edhe me ndihmën e Delegacionit të BE-së, DG Budget dhe SIGMA’s, është baza drejt modernizimit të mëtejshëm të institucionit nëpërmjet arritjes së një pavarësie të plotë institucionale, përmbushjes dhe aplikimit të standarteve të INTOSAI’t dhe praktikave më të mira europiane në auditime, zhvillimit të auditimeve të performancës, auditimit të IT, rritjes së transparencës dhe luftës ndaj korrupsionit, etj.
Disa indikatorë të rëndësishëm të performancës së KLSH-së për vitin 2014 dhe katër mujorin e parë të 2015 janë :
Për vitin 2014 KLSH ka realizuar 160 auditime ose 4.6% më shumë se në vitin 2013 dhe ka konstatuar një dëm ekonomik dhe parregullsi financiare në 11.2 miliard lekë.
Indikatori i dobishmërisë së KLSH-së vijoi z.Leskaj, për vitet 2010-2011, është se për 1 Lek të shpenzuar nga buxheti i shtetit është kërkuar dëmshpërblimi me 19 Lekë mesatarisht në vit, ndërsa për vitet 2012-2014, për 1 Lek të shpenzuar, KLSH ka kërkuar dëmshpërblimin me 47 lekë ose 28 lekë më shumë në një vit kalendarik.
KLSH i ka dhënë rëndësinë maksimale edhe auditimeve të përfomancës, duke realizuar gjatë vitit 2014, 8 auditime performance në fusha të ndryshme me interes për vendin.
KLSH ka denoncuar rastet e abuzimit me fondet publike dhe ka bashkëpunuar me institucionet e tjera të Shtetit, me shoqërinë civile dhe me mediat, për kufizimin e rasteve të mashtrimit dhe ka bërë 41 kallëzime penale për zyrtarë të niveleve të ulta, mesatare dhe të larta.
Duke vazhduar më tej në analizën e tij, z.Leskaj dha një përmbledhje edhe të arritjeve të menaxhimit institucional, si bashkëpunimi tepër i suksesshëm me partnerët e SAI-ve homologe, bashkëpunimi me OJF-të aktive në luftën kundër korrupsionit dhe me partnerë profesionalë; vijimi i botimeve të KLSH-së, të cilat përfshirë 5 mujorin e parë të vitit 2015 kanë arritur shifrën 41;organizimi me sukses gjatë këtyre tre viteve të fundit i tre Konferencave Shkencore, të cilat kanë trajtuar tema me interes për fushën e auditimit dhe të ekonomisë.
Në kuadër të asistencës për Shqipërinë dhe të zbatimit të Instrumentit të Parazgjerimit, IPA 2013, komponenti i I-rë, KLSH aplikoi dhe ka fituar një financim nga Bashkimi Evropian për projektin e binjakëzimit mbi “Forcimin e kapaciteteve të Auditimit të Jashtëm” me vlerë 2.11 milionë euro. Projekti, i cili do të realizohet në partneritet me Institucionin Suprem të Auditimit të Polonisë, NIK dhe SAI’n e Kroacisë, do të jetë një mbështetje e rëndësishme teknike për zbatimin e ligjit të ri, diversifikimin e mëtejshëm të llojeve të auditimeve të KLSH-së dhe rritjes së cilësisë dhe impaktit në auditim.
E gjithë puna e KLSH-së është e bazuar në Planin e Zhvillimit Institucional, ku aktualisht po zbatohen objektivat dhe nën-objektivat e Planit Strategjik të Zhvillimit (2013-2017), të rishikuar për vitet 2015-2017.
Përfaqësuesit e ECA’s e falënderuan z.Leskaj dhe e përshëndetën për të gjithë punën e bërë gjatë këtyre tre viteve të fundit, punë e cila, u shprehën ata, është lehtësisht e dallueshme dhe e shprehur edhe në progres raportet e vlerësimit nga BE, së fundi, duke vlerësuar rritjen e performancës së institucionit dhe të të gjithë indikatorëve të saj, në drejtim të rekomandimeve dhe të raporteve të Auditimit të KLSH-së dhe veçanërisht të frymës së ndëshkueshmërisë për të gjithë ata që abuzojnë me fondet publike, apo edhe bashkëpunimin konkret me ECA-n, DG Budget, kontributin në EUROSAI, etj.
Në fjalën e tij, Kryetari i KLSH-së, Z. Bujar Leskaj falenderoi përzemërsisht përfaqësuesit e Gjykatës Evropiane të Audituesve, duke shprehur në veçanti falenderimet dhe vlerësimet për Presidentin e këtij institucioni, z.Vitor Caldeira për prezencën e tij në Tiranë gjatë festimeve të përvjetorit të 90 të krijimit të KLSH-së, për gatishmërinë dhe vullnetin e mirë të shprehur në intensifikimin e bashkëpunimit të ndërsjellë midis dy institucioneve gjatë dy viteve të fundit.
Nga palët në takim, u konfirmua edhe një herë vullneti i mirë për të vijuar dhe thelluar më tej bashkëpunimin mes ECA dhe KLSH-së, i cili tashmë është konkretizuar edhe nëpërmjet internshipit 6 mujor të tre audituesve të KLSH-së pranë këtij institucioni, por gjithashtu edhe nëpërmjet kurseve të trajnimit që ECA organizon mbi çështje të interesit të përbashkët, ku përfaqësuesit e KLSH-së kanë dhënë kontributin e tyre.
Gjithashtu me specialistët dhe Drejtuesit e KLSH-së në të njëjtën datë, zhvilluan takime pune zj.Malgorzata Skocinska, përfaqësuese e Delegacionit të BE-së në Tiranë dhe z.Nicola Berloco, Auditues i ECA.