Njoftime

KLSH kallëzon në prokurori zëvendës kryetarin dhe dy drejtore në Bashkinë Fier

11.07.2015

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 1201/1, datë 05.01.2015, ka audituar Bashkinë Fier, për periudhën nga Janar 2013 deri më  Dhjetor 2014.

Nga auditimi, u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, mbi bazën e të cilave KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, për 1 (një) Zv.Kryetar, 2 (dy) Drejtues dhe 1 (një) Specialist; F.M.  me detyrë Zv.Kryetar, L.C. me detyrë Drejtor i Zyrës Juridike, P.B. me detyrë Drejtor i Drejtorisë Programim Zhvillimi dhe G.P. me detyrë specialist në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, neni 248 i Kodit Penal, pasi kanë kryer: Shkelje, të meta e mangësi, në fushën e prokurimeve publike, veprime në kundërshtim me ligji nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” i ndryshuar, VKM  nr. 1, datë 10.1.2007 “Për rregullat e prokurimit publik” i ndryshuar dhe VKM nr. 514, datë 15.08.2007,”Për informatizimin e llogaritjes së kostos dhe hartimin e manualeve të çmimeve të punimeve të ndërtimit” i ndryshuar..

Më konkretisht KLSH konstatoi:

1. Në prokurimin publik të kryer në vitin 2014 me objekt “Rikonstruksion i Bulevardit Jakvo Xoxa”, edhe pse të 5-të operatorët ekonomikë që kanë paraqitur ofertat e tyre për këtë prokurim, nuk i plotësojnë kushtet për kualifikim, përfshi operatorin e shpallur fitues, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (KVO) nuk ka proceduar me anulimin e procedurës së prokurimit.

Për këtë procedurë prokurimi KVO nuk duhet të kishte vlerësuar operatorët por ti kishte skualifikuar duke i kërkuar Titullarit të Autoritetit Kontraktor, rifillim të procedurës së prokurimit.

Bashkimi i përkohshëm i Operatorëve Ekonomik të shpallur fitues, nuk siguron ndarjen e qartë të detyrave sipas të dhënave të preventivit ofertues; nuk ka paraqitur vërtetim për pagesat e detyrimeve të Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore; njëra nga OE nuk ka plotësuar kriteret e përgjithshme të kualifikimit, pika 2/b; si dhe nuk kanë paraqitur vërtetime të lëshuara nga Administrata Tatimore (Drejtoritë Rajonale të Tatimeve) për pagesën e detyrimeve të sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore për numër punonjës të siguruar.

2. Në prokurimin publik të kryer në vitin 2014 me objekt “Rikonstruksion i shkollës “Andon Xoxa” Fier”, edhe pse janë paraqitur 5 operator ekonomik nga ku njëri OE ka tërhequr ofertën, të 4 OE, nuk i plotësojnë kushtet për kualifikim, përfshi operatorin e shpallur fitues; Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (KVO) nuk ka proceduar me anulimin e procedurës së prokurimit.

Për këtë procedurë prokurimi KVO nuk duhet të kishte vlerësuar operatorët por ti kishte skualifikuar duke i kërkuar Titullarit të Autoritetit Kontraktor, rifillimin e procedurës së prokurimit.

Bashkimi i përkohshëm i Operatorëve Ekonomik të shpallur fitues, kanë paraqitur kontratë bashkëpunimi dhe kanë rënë dakord për ndarjen e punimeve por ato nuk janë ndarë sipas zërave të preventivit ofertues; Deklarimi për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, nuk janë të konfirmuara nga dega e tatimeve me firmë dhe vulë; kanë ndryshuar kriteret për kualifikim, pa e argumentuar ndryshimin e tyre duke shtyrë afatin e paraqitjes së dokumenteve, në kundërshtim me VKM nr. 1, datë 10.1.2007, Kreu V, pika 2/a dhe 2/b.

3. Në prokurimin publik të kryer në vitin 2014 me objekt “Rikonstruksion i shkollës Jani Bakalli”, edhe pse janë paraqitur 4 operator ekonomik nga ku 2 OE janë skualifikuar pasi nuk kanë plotësuar kushtet për kualifikim, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (KVO) nuk ka proceduar me anulimin e procedurës së prokurimit.
Për këtë procedurë prokurimi NJP dhe KVO nuk duhet të kishte vazhduar procedurën e prokurimit por ti kishte kërkuar Titullarit të Autoritetit Kontraktor, rifillimin e procedurës së prokurimit.
Projekti dhe Preventivi i punimeve i miratuar nuk shprehet për mënyrën e llogaritjes së këtij fondi, si dhe kanë ndryshuar kriteret për kualifikim, duke shtyrë edhe afatin e dorëzimit të dokumenteve të tenderit, pa argumentuar ndryshimin e afatit dhe shkaqet, në kundërshtim me VKM nr. 1, datë 10.1.2007, kreu II, pika 2/c, kreu V pika 1/c e pika 2/a dhe VKM nr. 514, datë 15.08.2007, pika 11.

4. Në prokurimin publik të kryer në vitin 2014 me objekt “Ndërtim i 4 mjediseve sportive në shkolla të qytetit Fier (me 4 lote)”, edhe pse të 4-të operatorët ekonomikë që kanë paraqitur ofertat e tyre për këtë prokurim, nuk i plotësojnë kushtet për kualifikim, përfshi operatorin e shpallur fitues, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (KVO) nuk ka proceduar me anulimin e procedurës së prokurimit.

Për këtë procedurë prokurimi KVO nuk duhet të kishte vlerësuar operatorët por ti kishte skualifikuar duke i kërkuar Titullarit të Autoritetit Kontraktor, rifillim të procedurës së prokurimit.

Nuk është bërë kontrolli i llogaritjes së fondit limit të objekteve të tenderuar; Bashkimi i operatorëve të shpallur fitues, nuk i kanë plotësuar të gjitha kriteret kualifikuese pasi nuk kanë paraqitur dokument vërtetues për pagimin e taksave lokale, në kundërshtim me DST, kërkesat e kualifikimit, pika 2 Kritere të veçanta të kualifikimit 1.2. Kapaciteti ekonomik dhe financiar, paragrafi 4 dhe ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006, Kreu V neni 45, pika 1 dhe VKM nr. 1, datë 10.1.2007, Kreu II, pika 2/c, Kreu V pika 1/c e pika 4/d, Kreu VII, pika 2/c. dhe VKM nr. 514, datë 15.08.2007, pika 11.

KLSH me shkresën nr. 1201/11, datë 10.07.2015 ka kryer kallëzim penal për shpërdorim detyre duke i përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse për Zv/Kryetarin e këtij institucioni, F.M. dy Drejtorët, L.C. me detyrë Drejtor i Zyrës Juridike dhe P.B. me detyrë Drejtor i Drejtorisë Programim Zhvillimi dhe G.P. me detyrë specialist në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, të cilët në mos përmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Në vijim, KLSH i ka kërkuar Kryetarit të Bashkisë Fier, fillimin e procedurave administrative e ligjore për dhënien e masës disiplinore  “Largim nga Shërbimi Civil” të ketyre personave.