Njoftime

Trajnim i audituesve të KLSH-së, pranë Zyrës Shtetërore të Auditimit të Republikës së Maqedonisë

31.08.2015

Në strategjinë e Zhvillimit të KLSH-së për periudhën 2013-2017 (rishikuar për periudhën 2015-2017), trajnimi është përcaktuar si prioritetet i institucionit dhe lidhet me rritjen e kapaciteteve audituese dhe të cilësisë së auditimit, duke synuar që “KLSH të përmirësoje kapacitetet, cilësinë dhe produktivitetin e auditimeve të tij në kushtet e një veprimtarie me burime të kufizuara dhe të angazhimit për t’ju përmbajtur Standardeve Profesionale Ndërkombëtare për Institucionet Supreme te Auditimit, bazuar në standardet IFAC”.

Për arritjen e këtij qëllimi strategjik shërben edhe sesioni i trajnimit dy ditor të dhjetë audituesve të KLSH-së (z. Besim Bileri, zj. Nerenxa Llapashtica, z. Shefki Jaupi, z. Kristaq Gjurgjaj, z. Dorino Meço, zj. Valdete Berisha, z. Jonild Hoxhaj, znj. Joniada Gocaj, z. Gerti Bode dhe znj. Genta Brahja), zhvilluar në Zyrën Shtetërore të Auditimit të Republikës së Maqedonisë nga data 30.07.2015 deri më 31.07.2015.

Hapja e sesionit të trajnimit u bë nga z. Naser Ademi, zv. Auditues i Përgjithshëm i  Zyrës Shtetërore të Auditimit të Republikës së Maqedonisë, i cili në fjalën e tij vuri theksin në faktin që dy institucionet e auditimit të lartë publik (SAI-t) të Maqedonisë dhe Shqipërisë kanë një traditë të mirë bashkëpunimi, e cila është intensifikuar pas nënshkrimit në datën  27.09.2013,  të Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes dy SAI-ve në Shkup, Maqedoni.

Bashkëpunimet e Zyrës Shtetërore të Auditimit të Republikës së Maqedonisë me institucionet homologe evropiane në veçanti Kontrollin e Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë, do të intensifikohen nëpërmjet vendosjes së kontakteve të vazhdueshme, aktiviteteve trajnuese, shkëmbimin e informacionit dhe eksperiencave, si dhe kryerjen e aktiviteteve të përbashkëta, të cilat kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në forcimin e kapaciteteve institucionale.

Sesioni i trajnimit ishte ndarë në tre tema:
Tema 1:- Auditimi i partive politike.
Tema 2- Raportimi në Parlament mbi zbatimin e buxhetit.
Tema 3- Auditimi i përputhshmërisë.

Tema 1 “Auditimi i subjekteve politike” u prezantua nga M.Sc.Maksim Acevski, Drejtor Departamenti, M.Sc.Maja Cvetkovski,

Audituese dhe zj. Arta D.Selimi, Audituese.
Në prezantim u theksua se auditimi i partive politike buron nga ligji organik i Zyrës Shtetërore të Auditimit të Republikës së Maqedonisë, Ligji për Partitë Politike, Ligji për financimin e Partive politike dhe Kodi Zgjedhor në Republikën e Maqedonisë.
Në zbatim të kornizës ligjore të cituar më sipër Zyra Shtetërore e Auditimit të Republikës së Maqedonisë, është organi kompetent i ngarkuar me funksionin e auditimit financiar mbi partitë. Ky auditim nuk do të kufizohet vetëm në pjesën e buxhetit të partive që sigurohen nga fondet publike, por do të mbulojë edhe dhuratat dhe ndihmat e përfituara në rrugë të tjera. Zyra Shtetërore e Auditimit të Republikës së Maqedonisë, kishte të drejtë të ushtronte auditim financiar mbi partitë politike para, gjatë dhe pas fushatave elektorale.

Auditimi i partive politike meriton një kujdes të veçantë në raport me auditimet e tjera, pasi duhet të jetë profesional dhe objektiv dhe duhet të kryhet nga auditues me përvojë, me zotësi komunikimi dhe me integritet të lartë.
Referuesi theksoi se në raste të veçanta raportet e llogaridhënies të subjekteve politike  përmbajnë indikacione specifike për të dhëna të pasakta dhe jo të plota.

Në vijim u procedua me diskutime dhe shkëmbime eksperience,  ku auditues të KLSH vunë theksin se me miratimin dhe hyrjen në fuqi të ligjit të ri të KLSH-së konkretisht të pikës  “f” auditimin e partive politike, enteve publike apo shoqatave për fondet që u janë akorduar atyre nga Buxheti i Shtetit, të  nenit 10  Kompetencat, të ligjit  nr. 154/2014  “Për organizimin dhe funksionimin e kontrollit  të lartë të shtetit” dhe neni 23 të ligjit Nr. 8580, datë 17.2.2000 “Për partitë politike”, i ndryshuar, ku shprehimisht përcaktohet se: “Kontrolli i Lartë i Shtetit është organi kompetent i ngarkuar me funksionin e kontrollit financiar mbi partitë. Ky kontroll nuk do të kufizohet vetëm në pjesën e buxhetit të partive që sigurohen nga fondet publike, por do të mbulojë edhe dhuratat dhe ndihmat e përfituara në rrugë të tjera. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka të drejtë të ushtrojë kontroll financiar mbi partitë politike para dhe pas fushatave elektorale”. Institucioni do të ndërmarrë nismat për auditimin e subjekteve politike në Republikën e Shqipërisë.

-Tema 2 “Raportimi në Parlament mbi zbatimin e buxhetit”, u prezantua nga M.Sc. Cveta Ristoivska, Drejtuese Departamenti, zj. Tatjana Dimitrovska dhe zj.Albiona M. Muhadziri, Audituese.
Në këtë temë u prezantuan çështje të cilat kanë të bëjnë me kornizën ligjore, e cila e bën të detyrueshme auditimin e zbatimit të buxhetit të shtetit në Republikën e Maqedonisë nga Zyra Shtetërore e Auditimit.

Në diskutime dhe shkëmbime eksperience, audituesit e KLSH-së theksuan se “auditimi i zbatimit të buxhetit të shtetit” dhe hartimi i raportit të vitit ushtrimor bëhet në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neni 164, ligjit nr. 154/2014  “Për organizimin dhe funksionimin e kontrollit  të lartë të shtetit”,  dhe të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, si dhe të ligjit “Për Buxhetin e vitit ushtrimor e vijues”.
KLSH në funksion të përmbushjes së detyrimit kushtetues dhe ligjor ka orientuar veprimtarinë e tij audituese në konvergjencë dhe në zbatim të plotë të direktivës kryesore të shprehur në Kongresin e XXI të INTOSAI “Auditimi kombëtar të vihet në shërbim të qeverisjes kombëtare, për përmirësimin e menaxhimit publik financiar të vendit”.

Tema 3 “Auditimi i përputhshmërisë” prezantuar nga M.Sc.Liliana Stojanova, drejtuese departamenti dhe z.Orhan Ademi auditues.

Në këtë temë u  prezantuan praktikat më të mira, duke diskutuar çështjet  që lidhen me:

-Planifikimin e  auditimit ( objektivat e planifikimit të auditimit,  procesi i planifikimit të auditimit, përcaktimi i objektivave të auditimit, përcaktimi i materialitetit, vlerësimi i riskut të auditimit dhe metoda e auditimit).
-Ushtrimi i auditimit në terren (testimi i transaksioneve dhe vlerësimi i auditimit dhe auditimit të brendshëm).
-Dokumentimi dhe raportimi i auditimit (analiza e treguesve financiarë, evidenca e auditimit dhe dokumentimi i raportimit të auditimit).

Auditimi i përputhshmërisë synon të verifikojë aktivitetet e subjekteve nëse janë në përputhje me rregulloret, kornizën ligjore, udhëzimet e aktet nënligjore.

Risi e këtij trajnimi ishte hartimi nga stafi i Zyrës Shtetërore të Auditimit të Maqedonisë të Pyetësorëve Standard për auditimin e përputhshmërisë, që duhet të plotësojë një auditues gjatë punës në terren dhe kontrolli në çdo kohë i tij nga strukturat përkatëse, Përgjegjësi i Ekipit të Auditimit apo Drejtori i Departamentit.

Pyetësorët ishin hartuar si për auditimet me bazë sistemi ashtu edhe për auditimet mbi bazë risku. Në këtë sesion u vu theksi që mënyra e hartimit të këtyre programeve të jetë një nga fushat e bashkëpunimit në të ardhmen ndërmjet dy institucioneve të auditimit.

Të gjithë audituesit kontribuan me pjesëmarrje aktive gjatë zhvillimit të debatit mbi faza të veçanta të auditimit të përputhshmërisë, në mënyrë të veçantë në fazën e punës në terren ( të dokumentimit të auditimit) dhe vlerësuan pozitivisht shkëmbimin  e përvojës mes Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Zyrës Shtetërore të Auditimit të Maqedonisë.