Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj zhvillon një takim me z.Francesco Ciardi, zv.Drejtues i Projektit PAMECA IV
25.09.2015
Në datë 25 shtator, 2015 në mjediset e Kontrollit të Lartë të Shtetit, z.Bujar Leskaj Kryetar i KLSH-së, zhvilloi një takim me z.Francesco Ciardi, zv.Drejtuesi i Projektit PAMECA IV në Shqipëri, njëkohësisht dhe Prokuror me eksperiencë të gjatë pune.
Fillimisht, z.Leskaj e falenderoi z.Ciardi për punën e bërë dhe asistencën e vazhdueshme dhe të vlefshme. Z.Leskaj shprehu vlerësimin e tij për këtë projekt asistence, së pari në aspektin e mbështetjes dhënë ndaj policisë së shtetit dhe së dyti, për temën e përzgjedhur për t’u trajtuar.
Z.Leskaj vijoi me një ekspoze të punës së bërë gjatë tre viteve të fundit duke theksuar faktin se KLSH përkrah misionit të saj parësor, atë të auditimit të zbatimit të buxhetit të shtetit, ka intensifikuar dhe punën për denoncimin dhe dërgimin pranë organit të akuzës të rasteve të abuzimit me detyrën, shpërdorimit të fondeve buxhetore duke nisur nga nivelet më të larta të zyrtarëve shtetërorë.
Për t’u vlerësuar mbetet bashkëpunimi i konsoliduar me Prokurorinë e Përgjithshme, institucion me të cilin, KLSH në vitin 2012 ka nënshkruar edhe një Marrëveshje Bashkëpunimi. Së fundi, me këtë institucion po bisedohet edhe për ngritjen e një grupi pune të përbashkët për ndjekjen e çështjeve të denoncuara ku KLSH ofron ekspertizën e saj teknike dhe profesionale në rastet që kanë të bëjnë me prokurimet publike, etj.
Z.Leskaj theksoi edhe një herë në këtë kuadër rëndësinë e respektimit ndaj institucioneve të pavarura, mandateve të tyre, pa ndikueshmërinë nga politika, gjë që do të sjellë një funksionim më të mirë dhe profesional të institucioneve. Z.Leskaj theksoi se mos krijimi i këtyre konflikteve ndër-institucionale, i shërbente më mirë dhe qëllimit të përbashkët të luftës ndaj korrupsionit dhe se fokusi duhet të mbetej rritja eficiente e punës së KLSH-së.
Z.Ciardi e falenderoi z.Leskaj për mundësinë e takimit dhe mbi të gjitha për qasjen mbi këtë çështje, veçanërisht atë të shmangies së konflikteve ndër-institucionale dhe të bashkëpunimit me Prokurorinë e Përgjithshme, duke vënë në dispozicion të tyre edhe aftësitë teknike e profesionale të KLSH-së veçanërisht në fushën e prokurimeve që mbetet një nga fushat më të ndjeshme jo vetëm në Shqipëri, duke vënë në dukje faktin se ky bashkëpunim mund të zhvillohej edhe nëpërmjet trajnimeve të përbashkëta dhe mund të thellohej më tej në informacionet specifike mbi këtë fushë.
Z.Ciardi shprehu dakortësinë e tij mbi ndryshimin që kërkohet ndaj kulturës së pandëshkueshmërisë në Shqipëri dhe se për këtë nevojitej një intensifikim i bashkëpunimit ndërinstitucional në identifikimin e boshllëqeve teknike dhe institucionale, duke ndryshuar edhe kuadrin ligjor përkatës.
Takimi u zhvillua në frymën e mirëkuptimit dhe të bashkepunimit dypalësh.