Njoftime

KLSH Kallëzon në Prokurori 3 Nëpunës të ish Komunës Gryk-Çajë (Qarku Kukës)

 

03.12.2015

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programeve të auditimit nr. 573/1, datë 05.06.2015, ka përfunduar auditimin në ish Komunën Gryk-Çajë, Qarku Kukës, për periudhën Janar 2013 – 31.12.2014 të aktivitetit të kësaj komune.

Nga auditimi, u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore e nënligjore, mbi bazën e të cilave KLSH me shkresat nr. 573/8, datë 30.10.2015, ka depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Kukës, kallëzim penal për 3 persona, nëpunës të këtij institucioni, me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”.

Më konkretisht nga auditimi rezultoi që:
Në një rast, në prokurimin me objekt “Rehabilitimi i rrugës Çaj-Fshat-Buzmadhe 11.6 km, në Komunën Gryk-Çajë”, me fond limit prej 7,135,166 lekë pa TVSH, u konstatuan një sërë veprimesh të kryera, në kundërshtim me Ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, dhe VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, pasi operatori ekonomik i shpallur fitues, kishte mangësi në dokumentacionin kualifikues, për  shlyer detyrimet fiskale, kontrata e bashkëpunimit nuk ishte sipas kërkesave dhe ndarjes në përqindje të punimeve të zbatimit, si dhe mungonte dokumentimi i punimeve të ngjashme, që të vërtetojë realizimin e punëve në përqindjet e ndarjes, kritere këto skualifikuese.

Në një rast, në prokurimin me objekt “Blerje karburanti për nevojat e Komunës Gryk-Çajë”, u konstatua se nuk ishte llogaritur saktë fondi limit për nevojat për karburant, mbi bazën e mjeteve në dispozicion, volumin e punës që do të kryejnë ato dhe normativa e harxhimit të karburantit për secilin mjet, mungonin specialistët e fushës për kryerjen e prokurimit, Përcaktimi i çmimit nuk ishte bërë sipas kërkesave të pikës 3 të Kreut III, të VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, si dhe operatorët ekonomik pjesëmarrës në tender kishin mungesa në plotësimin e kërkesave kualifikuese të dokumentave standarde të tenderit në lidhje me numrin e punonjësve të siguruar, pasqyrat financiare (bilanci), etj.

Nuk është administruar dhe vepruar sipas kërkesave ligjore për dhënien me qira me procedurën e ankandit, të sipërfaqes pyjore të përfituar, pasi e gjithë sipërfaqja u është lënë në përdorim banorëve pa kundërshpërblim.

Nga moskryerja e procedurave ligjore për shfrytëzimin e resurseve pyjore, kullosore dhe bimë mjekësore(boronicë)nuk janë arkëtuar asnjë lekë të ardhura, por kanë lejuar e përdorimin e resurseve komunale në mënyrë të kundraligjshme në një sipërfaqe prej 370 ha, nga e cila 259 ha janë të shfrytëzueshme me kapacitet prodhimi 130 kv boronicë  e të ardhura të munguara në vlerën 29.9 milion lekë.

Nuk janë administruar kullotat  me sipërfaqe 103 ha, duke krijuar të ardhura të munguar në vlerën 3.1 milion lekë.

Për rrjedhojë, KLSH me shkresën nr. 501/7, datë 25.07.2015 mbështetur në germa “e” dhe “ç”, neni 11, kreun IV, dhe nenin 37 të ligjit nr. 7691, datë 12.07.1995 “Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar dhe kontratës individuale tip, i ka rekomanduar Kryetarit të Bashkisë Kukës (në të cilën është përfshirë komuna Grykë-Çajë), fillimin e procedurave administrative për dhënien e masës disiplinore, nga “Vërejtje” deri “Ndërprerje të marrëdhënie të punës”, sipas shkallës së përgjegjësisë, për 6 nëpunës të kësaj komune.