Njoftime

KLSH Kallëzon në Prokurori 2 ish Kryetarë dhe 8 ish Kryetar të Komisionit Ndarjes Tokës të ish Komunës Velipojë

 

12.12.2015

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programeve të auditimit nr. 573/1, datë 05.06.2015, ka përfunduar auditimin në ish Komunën Velipojë, Qarku Shkodër, për periudhën Janar 2013 – 31.12.2014 të aktivitetit të kësaj komune, në përfundim të të cilit me Vendimin nr. 144, datë 20.10.2015 të Kryetarit të KLSH, është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit së bashku me masat dhe rekomandimet përkatëse për përmirësimin e gjendjes..

Gjithashtu nga auditimi, u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore e nënligjore, me  tjetërsim të pamerituar të pronës (tokë bujqësore) personave të afërm dhe me interesa të caktuara për një sipërfaqe prej 111ha tokë bujqësore dhe dëm ekonomik në vlerën 142.7 milion lekë dhe të ardhura të munguar në shumën 315.7 milion lekë, mbi bazën e të cilave KLSH, më datë 04.12.2015, depozitoi kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, për z. B.N, D.K dhe N.M ish-Kryetar Komune, K.B, L.B, M.B, RR.RR, A.F, T.V dhe T.M ish Kryetarë të Komisionit Ndarjes së Tokës, për fshatin Velipojë Sektor, akuzuar për konsumim të elementëve të figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Nga auditimi rezultuan një sërë shkeljesh, të metash dhe mangësish, në zbatimin e procedurave ligjore në  moszbatimin e ndarjes së tokës bujqësore,lëshimin e dokumenteve të parregullta(AMTP) për tokat e ish-KB Velipojë dhe pajisur persona jashtë gjendjes familjare të vitit 1991 e lënë pa tokë familjeve që u takonte sipas ligjit. Veprime këto të kryera në kundërshtim me; ligjin nr. 7501, datë 19.07.1991 “Për Tokën”, ligjin nr. 8752, datë 26.3.2001 “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, ndryshuar, ligjin nr. 9948, datë 7.7.2008“Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”; Ligjin nr. 8312, datë 26.3.1998 "Për tokat bujqësore të pandara" i ndryshuar, UKM nr. 1 datë 18.7.2012 “Për procedurat e dhënies me qira të tokave bujqësore të pandara”; VKM nr. 529, datë 8.6.2011 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”, VKM nr. 532, date 31.10.2002” Për Mënyrat e Ushtrimit te Funksioneve nga Seksionet e Administrimit dhe te Mbrojtjes se Tokës ne Qark dhe Zyrat e Menaxhimit dhe te Mbrojtjes se Tokës nëKomunë dhe /ose Bashki”. Mos ushtrim të kompetencave për verifikimin e titujve të pronësisë së tokës bujqësore, në kundërshtim me; Ligjin nr. 10119, datë 23.04.2009 “Për Planifikimin e  Territorit”, i ndryshuar dhe VKM  nr. 480, datë 22.06.2011 “Për miratimin e rregullores model të planifikimit” e ndryshuar.

Më konkretisht nga auditimi rezultoi që:
- Në 331 raste me sipërfaqe 111.9 ha, në ndarjen e tokës bujqësore , për tokat e ish-KB Velipojë Sektor Fshat Velipojë, janë shkelur dispozitat ligjore dhe janë lëshuar dokumenta të parregullta (AMTP),pajisur me tokë jashtë gjendjes civile të vitit 1991 dhe në 16 raste për sipërfaqe 13.6 ha të zënë, është ndarë për 59 frymë, duke krijuar probleme të rënda sociale e lënë pa tokë 11 familje për sipërfaqe 20 ha tokë që u takonte sipas ligjit.
- Në 238 raste me sipërfaqe 73.7 ha, për tokat e ish-KB Velipojë Sektor Reçi Ri, janë shkelur dispozitat ligjore dhe janë lëshuar dokumenta të parregullta (AMTP), me korrigjime e parakorduar, pajisur me tokë jashtë gjendjes civile të vitit 1991 pa plotësuar me normë në 16 raste me 7.4 ha, dhënë troje mbi normën 300 m2  në  70 raste me 4.3 ha, duke cenuar e kthyer në truall fondin e tokës bujqësore, ndryshuar zërin Kadastral “Tokë bujqësore” për “tokë inproduktive” në 88 raste prej 30 ha të ndodhura buzë zonës së Vilunit dhe në zonën Pulaj Plazh, duke favorizuar pjesëtarë të familjeve të Komisionarëve dhe persona të caktuar
- Në procedurën e prokurimit “Shërbimi i pastrimit mbetjeve urbane”, nuk janë llogaritur kamat vonesave, për mosfurnizimin në kohë të 360 kontenierëve të mbeturinave, duke cënuar drejtëpërsëdrejti cilësinë e shërbimit të pastrimit për komunitetin, dhe shkaktuar buxhetit të komunës Velipojë një dëm ekonomik në shumën 2,2 milion lekë.
- Nuk janë arkëtuar  për periudhën 2013-2015 shuma 147.3 milion lekë, si të ardhura të munguara nga  mos arkëtimi nga subjektet private që kanë kryer aktivitet tregtar në territorin e komunës Velipojë.
- Nuk janë zbatuar aktet ligjore për menaxhimin e kontratave të qirasë në vijën ranore(troje çlodhëse), si ankand apo konkurim, mangësi e vendosjen selektive të afatit dhe vlerës së kontratës nga 2 muaj në 3.5 muaj, duke mos respektuar afatin 5 mujor të përdorur në fakt me një dëm ekonomik në shumën 41.8 milion lekë, veprime në kundërshtim me Ligjin nr. 9632, datë 30.1.2006, i ndryshuar  “Taksat Vendore”, ligjin nr. 8652, datë 31.07.2000 “Për Organizimin dhe funksionimin e Qeverisjes Vendore”, VKM nr. 54, datë 05.02.2014 “Për përcaktimin e kritereve të procedurës e të mënyrës së dhënies me qera enfiteozë të objekteve shtetërore”.
- Në procedurën e prokurimit “Hartimi i instrumenteve vendore të planifikimit të territorit për Komunën Velipojë” viti 2013, nuk janë marrë masa për realizimin e shërbimit në afat(shtyrje të pa justifikuara) dhe nuk janë llogaritur kamat vonesat, konfiskuar garancia e kontratës, duke shkaktuar shkaktuar një dëm ekonomik në shumën 4.57 milion lekë.
-  Në zbatimin e kontratës “Shërbimi i pastrimit mbetjeve urbane” ka munguar mbikëqyrja dhe monitorimi i saj, si dhe mungon dokumentacioni vërtetues për shpenzimet e kryera në vlerën 31 milion lekë me tvsh. Mosveprimet e mësipërme bien në kundërshtim me VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e Rregullave të Prokurimit Publik”, i ndryshuar. - Nuk janë arkëtuar  për periudhën 2013-2015 shuma 147.3 milion lekë, si të ardhura të munguara nga  mos arkëtimi nga subjektet private që kanë kryer aktivitet tregtar në territorin e komunës Velipojë.
- Nuk janë zbatuar aktet ligjore për menaxhimin e kontratave të qirasë në vijën ranore(troje çlodhëse), si ankand apo konkurim, mangësi e vendosjen selektive të afatit dhe vlerës së kontratës nga 2 muaj në 3.5 muaj, duke mos respektuar afatin 5 mujor të përdorur në fakt me një dëm ekonomik në shumën 41.8 milion lekë, veprime në kundërshtim me Ligjin nr. 9632, datë 30.1.2006, i ndryshuar  “Taksat Vendore”, ligjin nr. 8652, datë 31.07.2000 “Për Organizimin dhe funksionimin e Qeverisjes Vendore”, VKM nr. 54, datë 05.02.2014 “Për përcaktimin e kritereve të procedurës e të mënyrës së dhënies me qera enfiteozë të objekteve shtetërore”.
- Janë kryer pagesa të paligjshme këshilltarëve pa marrë pjesë në mbledhjet e këshillit të komunës në shumën 1.4 milion lekë dëm ekonomik.
- Nuk është arkëtuar 78 subjektet  hotelerie  detyrimi i llogaritur në shumën 8.1 milion lekë, dëm ekonomik dhe të ardhura të munguara, për buxhetin e komunës për periudhën 2012-2015.
- Nuk është arkëtuar 116 subjekte nga këto 50 subjekte për shfrytëzim sipërfaqe rëre (vendosje shesllone), 66 subjekte dyqane e 8 subjekte vendosje lodra për fëmijë  shuma e llogaritur prej 21.2 milion lekë, dëm ekonomik  dhe të ardhura të munguara, për buxhetin e komunës për periudhën 2012-2015.
-Janë shkelur aktet ligjore në dhënien e hapësirave për zhfrytëzim , duke mos zbatuar afatin 5 mujor , por në mënyrë selektive në afat 2.5-3 muaj dhe abuzime me sipërfaqen e shfrytëzueshme me një efekt negativ në shumën 5.8 milion lekë dëm ekonomik  dhe shumën 10.2 milion lekë të ardhura të munguara në buxhetin e komunës.
- Nuk është administruar sipas ligjit investimi i kryer në territorin e objektit “Shëtitore e Plazhit Velipojë”, duke lejuar përdorimi i sipërfaqes prej 3300 m2 për aktivitet tregtar pa pagesë qeraje, nga dy subjekte private, që ka sjellë si pasojë  dëmin ekonomik në shumën prej 15,8 milion lekë, llogaritur me nivelin e qerasë.
- Është lejuar përdorimi i sipërfaqes prej 3000 m2  pronë publike, për të tre vitet e audituara pa kontrata qeraje, nga tre subjekte tregtare me aktivitet lodra cirku në territorin e objektit “Shëtitore e Plazhit Velipojë” me vlerë inventari 93,792,804 lekë pronë e Komunës, që ka sjellë si pasojë  dëmin ekonomik në vlerën prej 10,8 milion lekë llogaritur me nivelin e qerasë për 3vjet,
- Janë krijuar të ardhura të munguara në shumën 158.2 milion lekë nga mos inventarizimi, identifikimi, mosvënia në eficencë e lënia në përdorim të tretëve të aseteve ndërtesa, troje,  nga keq menaxhimi e administrimi i resurseve sipërfaqes ranore plazh ,etj.

Për rrjedhojë, KLSH me shkresën nr. 501/7, datë 25.07.2015 mbështetur në germa “e” dhe “ç”, neni 11, kreun IV, dhe nenin 37 të ligjit nr. 7691, datë 12.07.1995 “Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar dhe kontratës individuale tip, i ka rekomanduar Kryetarit të Bashkisë Shkodër (në të cilën është përfshirë komuna Velipojë), fillimin e procedurave administrative për dhënien e masës disiplinore, nga “Vërejtje” deri “Ndërprerje të marrëdhënie të punës”, sipas shkallës së përgjegjësisë, për 6 ish-Drejtues të kësaj komune.