Njoftime

Kryetari i KLSH takon z. Dennis Wesner, Zyrtar i Përgjithshëm për Zhvillimin pranë USAID

11.02.2016

 

20.01.2016

Në datën 19 janar 2016, Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj takoi në ambientet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Dennis Wesner, Zyrtar i Përgjithshëm për Zhvillimin, pranë USAID.

image_4_2301_0

Zoti Wesner theksoi rëndësinë e KLSH si institucion kushtetues. Ai u shpreh se SHBA janë të interesuara për të luftuar korrupsionin ne Shqipëri. “Mbështetja jonë për KLSH nuk do të mungojë”, tha Wesner, duke nënvizuar rëndësinë që ka bashkëpunimi i KLSH me institucione të tjera si Avokati i Popullit, ILDKP, etj.

Nga ana e tij, Kryetari i KLSH-së vlerësoi projektet e realizuara nga USAID-i në Shqipëri dhe shprehu dëshirën dhe vullnetin për të bashkëpunuar me USAID-in në projekte që do të propozohen nga kjo agjenci. Duke bërë një panoramë të punës së institucionit në katër vitet e fundit, ai veçoi rekomandimet e dhëna nga KLSH për përmirësimin e qeverisjes, si propozimi për vendosjen e një tavani për borxhin publik, për pagesën e borxheve të prapambetura bizneseve, rekomandimet për sektorin e energjisë dhe të hidrokarbureve, propozimin për miratimin e një ligji për përgjegjësitë materiale të nëpunësve publikë, me qëllim që të luftohet efektivisht anti-kultura e pandëshkueshmërisë në Shqipëri, etj. Kryetari i KLSH-së cilësoi se të gjitha rekomandimet e dhëna nga KLSH kanë qenë në linjë me rekomandimet e FMN-së.

KLSH është në fazën e transformimit dhe  modernizimit, duke pasur si model SAI-et më të zhvilluara evropiane. Në këtë drejtim,  institucioni ka synuar transparencën e plotë, duke vendosur një raport të ri me shoqërinë civile (janë nënshkruar në këto vite më shumë se 20 marrëveshje bashkëpunimi), duke u hapur dhe qenë pro-aktiv ndaj medias dhe publikut, me botimin e 51 librave, me zhvillimin e analizës së punës së institucionit nën frymën e INTO-Saint (vetëvlerësimi i integritetit) dhe në praninë e medias, etj.

Kryetari i KLSH përmendi që në kuadër të bashkëpunimit me OJF-të, u përfundua projekti « Forcimi i Ligjit përmes zbatimit të rekomandimeve të KLSH-së » që Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë (QTIL) realizoi me financim të USAID-it, nëpërmjet programit «Assist-Impact ». Në raportin final të projektit janë trajtuar çështje të rëndësishme që lidhen me zbatimin e rekomandimeve te dhëna nga KLSH, referuar auditimeve te vitit 2014. “Ne si institucion”,-vijoi z. Leskaj-“vlerësojmë rekomandimet e QTIL dhe jemi duke hartuar një plan veprimi të detajuar për zbatimin e rekomandimeve të lëna nga kjo OJF”.

Kryetari i KLSH-së më tej u ndal në bashkëpunimin e rritur ndjeshëm me SAI-et e rajonit dhe me ato evropiano-perëndimore, si dhe me institucionet e BE-së. Një shembull në këtë drejtim është projekti IPA 2013(me vlerë 2.1 milion euro),  komponenti i I-rë, që KLSH ka fituar që në vitin 2014 dhe që lidhet me forcimin e kapaciteteve te auditimit të jashtëm publik.

Zoti Wesner shprehu gatishmërinë për të mbështetur KLSH në Auditimet e Performancës dhe Kryetari i KLSH-së i bëri një përmbledhje të auditimeve të Performancës të realizuara deri tani nga KLSH, duke theksuar se institucioni është i hapur dhe çdo propozim i USAID-t është i mirëpritur.
Të dyja palët ranë dakort që bashkëpunimi të jetë konkret dhe në fusha me interes reciprok. Kontrolli i Lartë i Shtetit do t’i propozojë USAID-it projekte konkrete dhe të qarta me kohëzgjatje 1-2 vjeçare.

Bashkëpunimi mes KLSH dhe USAID-it do të jetë i drejtpërdrejtë ose nëpërmjet OJF-ve, projekte në të cilat KLSH do të mbështesë organizata të shoqërisë civile që kanë fituar projekte nga USAID, në fusha që lidhen me aktivitetin e KLSH-së.

Gjithashtu, zoti Leskaj e ftoi z.Wesner që të auditojnë KLSH nëpërmjet projekteve që financojnë, duke theksuar që institucioni është e hapur dhe mund të auditohet në fusha që janë me interes për USAID-in dhe publikun e gjerë.

Në takim morën pjesë gjithashtu zj. Elina Koçi (USAID), z. Ermal Yzeiraj, Drejtor Departamenti dhe zj.Irena Islami, Drejtore Drejtorie (KLSH).