Njoftime

Kryetari i KLSH-së takohet me Z. Gjon Junçaj, Këshilltar Ligjor Rezident i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara.

11.02.2016

 

Në datë 09.02.2016, në ambientet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Kryetari i KLSH-së, Z. Bujar Leskaj, zhvilloi një takim pune me Z. Gjon Junçaj, Këshilltar Ligjor Rezident i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe ekspert i misionit të OPDAT në Shqipëri.

Në këtë takim Z. Junçaj vlerësoi rolin dhe kontributin e deritanishëm të Kontrollit të Lartë të Shtetit në luftën kundër korrupsionit duke shprehur dëshirën e forcimit të mëtejshëm të këtij roli dhe kontributi të KLSH-së jo vetëm në bashkëpunimin me organin e Prokurorisë dhe institucionet e tjera ligjzbatuese por edhe me strukturat e mëvonshme të specializuara hetimore si Byroja e Hetimit që priten të ngrihen në funksion të reformës në drejtësi.

Në fjalën e tij, Kryetari i KLSH-së bëri një rezyme të përgjithshme të punës dhe veprimtarisë audituese të Kontrollit të Lartë të Shtetit përgjatë këtyre viteve të fundit, duke theksuar një sërë treguesish dhe arritjesh të këtij institucioni si rritja e performancës institucionale të KLSH-së, përmirësimi i cilësisë së auditimeve, rritja e shkallës së zbulueshmërisë së dëmeve ekonomike, rritja progresive e numrit të kallëzimeve penale të depozituara pranë organit të Prokurorisë, rritja e trajnimeve të stafit të KLSH-së, rritja e bashkëpunimit të këtij institucioni me strukturat akademike dhe shoqërinë civile, si dhe rritja e prezencës së këtij institucioni në median e shkruar dhe atë elektronike në funksion të një transparence sa më të madhe institucionale, kontribuimit si institucion i rëndësishëm kushtetues në mirëqeverisjen e vendit dhe çinstalimit të antikulturës së pandëshkueshmërisë.

Z.Junçaj tregoi një interes të veçantë në lidhje me bashkëpunimin e deritanishëm të Kontrollit të Lartë të Shtetit me organin e Prokurorisë dhe institucionet e tjera shtetërore, duke kërkuar njëkohësisht edhe paraqitjen e çfarëdolloj problematike që KLSH ka hasur përgjatë këtyre viteve në kryerjen e veprimtarisë audituese si dhe dhënien e ideve se si mund të forcohet në të ardhmen roli, kontributi dhe bashkëpunimi i këtij institucioni dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese në luftën kundër korrupsionit.

Kryetari i KLSH-së, në vlerësim të bashkëpunimit të deritanishëm me organin e Prokurorisë, theksoi në mënyrë të veçantë mbështetjen dhe kontributin e rëndësishëm të Prokurorit të Përgjigjëm, Z. Adriatik Llalla, në këtë bashkëpunim, duke shprehur bindjen që pavarësisht rezultateve që ky bashkëpunim ka mundur të prekë përgjatë këtyre viteve, ende mbetet shumë punë për të bërë jo vetëm nga institucionet tona por edhe nga shumë institucione të tjera shtetërore të angazhuara në mënyrë të drejtpërdrejtë apo indirekte në luftën kundër korrupsionit. Kjo pasi pritshmëritë e opinionit të gjerë publik mbeten ende tepër të larta.

Ajo çka KLSH ka theksuar vazhdimisht përgjatë këtyre viteve, madje edhe në analizën vjetore të veprimtarisë së KLSH zhvilluar në 1 Shkurt 2016, është fakti që një numër i konsiderueshëm zyrtarësh të lartë vazhdojnë të qëndrojnë të pashqetësuar në pozicionet e tyre në administratën shtetërore, pavarësisht faktit që ndaj tyre KLSH ka depozituar pranë organit të Prokurorisë kallëzime konkrete penale për shkelje të konstatuara sidomos në lidhje me procedurat e prokurimit. Fakt ky i cili vështirëson së tepërmi pozitat e organit të Prokurorisë në hetimin dhe zbardhjen e plotë të këtyre çështjeve si pasojë e pushtetit të padukshëm që garanton qëndrimin e tyre ende në detyrë. Kjo ka kalçifikuar prej vitesh instalimin e antikulturës së pandëshkueshmërisë.

Një element i rëndësishëm në veprimtarinë tonë institucionale si institucion suprem auditimi mbetet zbatueshmëria e rekomandimeve të KLSH-së nga ana e institucioneve përkatëse shtetërore, theksuar kjo në çdo Progres Raport të viteve të fundit të Komisionit Europian. Në këtë aspekt një rol të veçant, përveç medias dhe opinionit të gjerë publik, luan edhe Kuvendi i Shqipërisë, agjent të të cilit ne konsiderohemi, dhe nisur nga ky fakt jo pa qëllim KLSH ka intensifikuar së tepërmi këto vitet e fundit bashkëpunimin me Komisionin për Ekonominë dhe Financat të Kuvendit.

Në përfundim të këtij takimi Kryetari i KLSH-së i kërkoi Z. Junçaj që ti përcjellë në mënyrë miqësore Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara Z. Donald Lu, falenderimet e tij të veçanta për prezencën e tij inkurajuese në analizën vjetore të KLSH-së 2015, si dhe mirënjohjen për kontributin e pazëvendësueshëm që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Z. Lu po japin në lidhje me reformën në drejtësi pa të cilët kjo reformë nuk mund të realizohet. Në këtë mision të rëndësishëm, theksoi Z. Leskaj, Ambasadori i SHBA, Z. Donald Lu, ka si aleat gjithë opinionin e gjerë publik dhe popullin shqiptar.

Nga ana e tij Z. Junçaj, u shpreh mjaft optimist për bashkëpunimin në të ardhmen ndërmjet OPDAT dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke kërkuar edhe angazhimin e afërt të KLSH-së sidomos në fushën e trajnimeve dhe dhënies së ekspertizës profesionale audituese.