Takim i Grupit të Punës së EUROSAI-t lidhur me Auditimin e Fondeve të Alokuara për Fatkeqësitë dhe Katastrofat
03.05.2016
Në datat 5-7 prill 2015, në Baku, Azerbajxhan u zhvillua takimi i Dytë i Grupit të Punës së EUROSAI-t për Auditimin e Fondeve të Alokuara për Fatkeqësitë dhe Katastrofat, i cili u fokusua në sfidat e inplementimit të suksesshëm dhe zbatimi praktik i ISSAI-ve 5500-5599 “Udhëzime mbi Auditimin e ndihmës për Katastrofat: risqet për mashtrim financiar dhe korrupsion, duke përdorur metodat e reja të marrjes së të dhënave”.
Organizues i këtij takimi ishte Dhoma e Llogarive (SAI) e Ukrainës që kryeson këtë grup pune të EUROSAI-t, ndërkohë që Dhoma e Llogarive e Azerbajxhanit ishte mikpritëse dhe mundësoi realizimin e aktivitetit.
Në takimin dhe diskutimet e vendeve pjesëmarrëse u sollën përvoja të shumta të përdorimit të metodave të reja në sigurimin e të dhënave, sikurse është sistemi GIS në auditimin e menaxhimit të katastrofave. U diskutua mbi eksperiencën e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Bullgarisë në parandalimin dhe menaxhimin e risqeve të përmbytjeve, apo në eksperiencat e Gjykatës së Llogarive të Italisë në auditimet për pakësimin e riskut hidrologjik të katastrofave. Me interes ishte qasja e auditimeve të realizuara nga SAI i Ukraines për menaxhimin e përmbytjeve, si dhe eksperienca e përfaqësuesve të Indonezisë lidhur me vështirësitë praktike në zbatimin e standardeve ISSAI 5510 “Mbi Auditimin e Reduktimit të Riskut të Katastrofave, ISSAI 5520 “Mbi Auditimin e Aktiviteteve Pas Katastrofës”, ISSAI 5540 “Mbi Informacionin Gjeo-hapësinor për Auditimin e Menaxhimit të Fatkeqësive”, etj.
Në takimin e Dytë të Grupit të Punës së EUROSAI-t për Auditimin e Fondeve të Alokuara për Fatkeqësitë dhe Katastrofat, morën pjesë edhe përfaqësues të Gjykatës Evropiane të Auditesve (ECA), SAI-eve të Italisë (Presidenti i Gjykatës së Llogarive të Italisë z. Raffaele Squitieri), të Turqisë, Polonisë, Shqipërisë, Letonisë, Moldavisë, Bullgarisë, Rumanisë, Rusisë, Serbisë dhe Indonezisë.
Nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave u arrit që të përcillej një qasje e koordinuar në ndihmë të qeverive respektive në zhvillimin e instrumenteve efektive për parandalimin dhe eliminimin e pasojave që shkaktojnë fatkeqësitë dhe katastrofat natyrore, pa harruar ato katastrofa që janë pasojë e aktivitetit njerëzor, duke u bazuar në përvojat e fituara dhe në standardet ISSAI 5500-5599 "Udhëzimet për auditimin e fondeve të alokuara për fatkeqësitë dhe katastrofat”. Gjithashtu u diskutua mbi parimet dhe procedurat mbi të cilat do të realizohen auditime të kësaj natyre. U ndalua në domosdoshmërinë e fondeve në parandalimin dhe vlerësimin e risqeve që mund të vijnë nga katastrofat, duke sjellë përvoja nga SAI-t të cilat kanë realizuar auditime të kësaj natyre, sidomos përvoja nga kolegët ukrainas, bullgarë, azerbajxhanas, turq dhe italianë.
Në këtë aktivitet KLSH u përfaqësua nga zj. Manjola Naço, Drejtore Departamenti në KLSH dhe znj. Amantja Patozi, specialiste në Drejtorinë e Komunikimit, Publikimeve dhe Marrëdhënieve me Jashtë.