Përurohet fillimi i projektit të binjakëzimit, financuar nga BE, mes KLSH, NIK të Polonisë dhe Zyrës Shtetërore të Auditimit të Kroacisë
05.05.2016
Kontrolli i Lartë të Shtetit, Zyra Supreme e Auditimit të Polonisë dhe Zyra Shtetërore e Auditimit të Kroacisë, përuruan sot përpara publikut shqiptar Projektin e Binjakëzimit “Forcimi i kapaciteteve të auditimit të jashtëm ne Shqiperi”, me financim të fondeve IPA 2013 të Bashkimit Evropian, me vlerë 2.1 milionë euro.
Lançimi dhe prezantimi i Projektit u bë sot në Sallën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Morën pjesë z. Krzysztof Kwiatowski, President i Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë, z. Ivan Klesiç, Auditues i Përgjithshëm i Zyrës Shtetërore të Auditimit të Kroacisë, Ambasadorje e BE-së në Tiranë, zj. Romana Vlahutin, Ambasadori i Republikës së Polonisë në Tiranë, z.Marek Jeziorski, Ambasadorja e Republikës së Kroacisë në Tiranë, zj Sanja Bujas Juraga, përfaqësues të Ministrisë së Financave, të Shoqërisë Civile, të botës akademike, të mediave, auditues të KLSH-së, etj.
Ky Projekt vjen në kohën e duhur për institucionin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, pas një periudhe katërvjeçare 2012-2015, ku u bënë të gjitha përpjekjet nga KLSH për të modernizuar veprimtarine e tij audituese, përmes partneriteteve me SAI-t evropiane të zhvilluara, trajnimeve të shumta brenda dhe jashtë vendit dhe zbatimit me rigorozitet të standardeve ISSAI, në bazë të objektivave të Strategjisë së tij të Zhvillimit 2013-2017, të përgatitur me ndihmën e ekspertëve të Programit SIGMA të BE dhe OECD.
Projekti vjen pas miratimit nga Parlamenti shqiptar në nëntor 2014 të ligjit të ri integral të KLSH, i cili është, sipas opinionit të Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit DG-Budget të Bashkimit Evropian, tërësisht në përputhje me standardet e INTOSAI-t dhe hap perspektiva të gjera për institucionin, duke forcuar pavarësinë e tij.
Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj u shpreh se KLSH e sheh me shumë besim të ardhmen e Projektit te Binjakëzimit “Për Forcimin e kapaciteteve të Auditimit të Jashtëm ne Shqiperi”, sepse sikurse e ka theksuar Sekretari i Përgjithshëm i INTOSAI-t dhe President i Gjykatës së Auditimit të Austrise, Dr. Josef Moser, në fjalën e tij në Simpoziumin e 21-të, të OKB-INTOSAI «Si me çdo partneritet të vërtetë, bashkëpunimi mes SAI-ve është reciprokisht i dobishëm. Nëse SAI-t nëpërmjet bashkëpunimit menaxhojnë të ndihmojnë njëri-tjetrin me eksperiencat e tyre më të mira, për të mbrojtur veten e tyre si institucione të pavarura dhe objektive të auditimit publik, ata do të jenë në gjendje të forcojnë pavarësinë e tyre brenda kuadrit kushtetues, me mbështetjen e marrë nga qytetarët».
Në fjalën e saj, zj. Vlahutin shprehu vlerësimin për arritjet e derisotme të KLSH, si dhe bindjen se me kontributin e institucioneve të auditimit suprem të Polonisë dhe të Kroacisë, të cilat janë shumë të zhvilluara, Projekti i Binjakëzimit do të jetë një vlerë e shtuar në rrugën e modernizimit të plotë të institucionit shqiptar.
Zyra Supreme e Auditimit të Polonisë, e njohur dhe me emrin NIK, së bashku me Zyrën Shtetërore të Auditimit të Kroacisë, do të punojnë për këtë projekt të përbashkët me Kontrollin e Lartë të Shtetit për një periudhë dyvjeçare. SAI polak është një nga SAI-t më aktivë në arenën ndërkombëtare, duke zgjeruar njohuritë e tij të standardeve të auditimit dhe praktikat e mira, si dhe duke ndarë përvojën dhe arritjet e tij me SAI të shumtë partnerë, ndër të cilët është dhe KLSH. NIK bashkëpunon intensivisht në kuadër të EUROSAI –t. Audituesit e tij kanë ndihmuar audituesit e Gjykatës Evropiane të Audituesve në misionet e tyre të auditimit të kryera në Poloni dhe kudo në vendet e Bashkimit Evropian. Që nga viti 2010, NIK ka qenë SAI kryesues i Nënkomitetit të INTOSAI-t për Standardet e Auditimit të Brendshëm. Në vitin 2012, NIK u emërua auditues i jashtëm i Organizatës Evropiane për Kërkime Bërthamore (CERN).
Jo më pak i rëndësishëm dhe cilësor do të jetë kontributi në Projekt i Zyrës Shtetërore të Auditimit të Kroacisë. SAI kroat është një SAI modern, që ka njohur në këto vitet e fundit rritjen më të fortë dhe cilësore në auditimet e tij dhe në bashkëpunimin ndërkombëtar në kuadër të EUROSAI-t, sidomos pas anëtarësimit të Kroacisë në Bashkimin Evropian.
Objektivi i përgjithshëm i Projektit është përmirësimi i llogaridhënies në përdorimin e fondeve publike në administratën publike shqiptare. Nëpërmjet Projektit, ekspertët evropianë do të kontribuojnë në forcimin e drejtimit dhe kapaciteteve teknike të KLSH-së për planifikimin dhe kryerjen e auditimeve në përputhje me standardet dhe metodologjitë e BE-së dhe ato ndërkombëtare.
Transferimi i njohurive dhe aftësive tek KLSH do të përmirësojë standardet dhe transparencën e metodave të punës. Kontrolli i Lartë i Shtetit do të mbështetet tek një personel me kualifikime të larta dhe sisteme e procese moderne menaxhimi.
Zoti Leskaj theksoi në fund të fjalës së tij se “ ...dobia më e madhe dhe vlera e shtuar e këtij Projekti, të fnancuar nga BE, qendron ne faktin se ai projekton audituesin suprem publik shqiptar te viteve 2020-2025, kohë kur sigurisht vendi ynë do të jetë bëre vend anëtar me të drejta të plota në Bashkimin Evropian...”.
Aktiviteti u përmbyll me sukses dhe në fund pjesëmarrësit patën mundësi të diskutojnë në një koktel modest të shtruar për nder të tyre.