Presidenti Nishani dekoron drejtuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit të Polonisë dhe të Kroacisë
06.05.2016
Në datën 6 maj 2016, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, SHTZ.Bujar Nishani, në vlerësim të bashkëpunimit dhe të kontributit konkret që kanë dhënë për Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe për forcimin e kapaciteteve të audituesve të këtij institucioni, u akordoi Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” zotit Krzysztof Kwiatowski, Presidenti i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Polonisë, zotit Ivan KLEŠIĆ, Auditues i Përgjithshëm i Zyrës Supreme të Auditimit të Kroacisë dhe zotin Wojciech Kutyla, Zv/President i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Polonisë, me motivacionin :
Z.Krzysztof Kwiatowski, për kontributin e tij të spikatur në sigurimin e vijimësisë së një raporti intensiv bashkëpunues ndërmjet Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë, pas zgjedhjes së tij në korrik të vitit 2013 si President i kësaj Zyre, për iniciimin dhe nënshkrimin e një Deklarate të Përbashkët mes KLSH-së dhe Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë në mars 2016, në Krakow, Poloni, që synon angazhimin e stafit të të dy institucioneve në implementimin me sukses të projektit të binjakëzimit IPA për Kontrollin e Lartë të Shtetit, për mundësimin e trajnimit të dhjetëra audituesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit në Poloni në shumë fusha si në auditimin financiar, të përputhshmërisë, të performancës, të prokurimeve publike, etj, gjë që ka sjellë rritje të ndjeshme të dijeve të tyre në këto fusha dhe për rrjedhojë rritjen e cilësisë së auditimit suprem publik në Shqipëri.
Z.Wojciech Kutyla, për investimin e tij personal, me përkushtim të lartë dhe suport cilësor në krijimin e kushteve optimale për trajnimin e dhjetëra audituesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit në Poloni në fushat kryesore dhe me më shumë të ardhme të auditimit publik dhe në shkëmbimin e eksperiencave reale të punës mes stafeve të të dyja institucioneve, duke i dhënë një shtysë të ndjeshme përmirësimit të kapaciteteve audituese të stafit të Kontrollit të Lartë të Shtetit si dhe për kontributin e qenësishëm dhe konstant gjatë katër viteve të fundit në promovimin e marrëdhënieve reciproke, të ngushta, të drejtpërdrejta dhe transparente ndërmjet KLSH dhe Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë.
Z.Ivan Klešić, për zgjerimin dhe optimizimin e partneritetit dhe marrëdhënieve të bashkëpunimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Zyrës Supreme të Auditimit të Kroacisë, për mundësimin e trajnimit të dhjetëra audituesve të KLSH-së në Kroaci, të cilët nën përkujdesjen personale të tij dhe të stafit që ai drejton kanë kryer trajnime në fushën e auditimit të performancës dhe kanë shkëmbyer eksperienca me mjaft vlerë për auditimin në fusha të tjera kryesore, si në prokurimet publike, auditimet financiare, etj., duke përmirësuar dhe shtuar ndjeshëm dijet e tyre në këto fusha dhe për rrjedhojë, duke sjellë rritjen e cilësisë së punës audituese të KLSH dhe një kontribut të shtuar në mirëqeverisjen e vendit, për ndihmesën në angazhimin e stafit të Zyrës Supreme të Auditimit të Kroacisë në zbatimin me sukses të projektit të binjakëzimit IPA për Kontrollin e Lartë të Shtetit.
Në ceremoni morën pjesë Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z.Bujar Leskaj, përfaqësues të Presidencës, pjesëtarët e delegacioneve të SAI-ve të Polonisë dhe të Kroacisë, si edhe disa drejtues të KLSH-së.