Njoftime

Presidenti i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Polonisë, z. Krzysztof Kwiatkowski zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri

07.05.2016

 

Presidenti i  Zyrës Kombëtare të Auditimit të Polonisë, z. Krzysztof Kwiatkowski zhvilloi në datat 4-7 maj 2016 një vizitë zyrtare në Shqipëri, në kuadër të përurimit të Projektit të Binjakëzimit, IPA 2013, të fituar nga KLSH dhe të financuar nga BE. 

Gjatë kësaj vizite, zoti  Kwiatkowski  së bashku me Kryetarin e KLSH-së, z.Bujar Leskaj dhe Ambasadorin e Polonisë në Shqipëri, z.Marek Jeziorski zhvilluan disa takime të rëndësishme me drejtues të Institucioneve të Pavarura, Ministra, Deputetë, etj.  
Në datën 4 maj 2016 zoti Kwiatkowski, së bashku me delegacionin që e shoqëronte u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i Republikës SH.T.Z. Bujar Nishani.

kiatovski_2672_0

Presidenti i Republikës i uroi delegacionit përzemërsisht mirëseardhjen në Institucionin e Presidentit të Republikës,  duke shprehur respekt dhe mirënjohje personale për mbështetjen që Polonia ka dhënë ndër vite për integrimin evropian të Shqipërisë. Kreu i Shtetit nënvizoi rëndësinë që kanë  institucionet e auditimit për mbarëvajtjen e jetës në një shtet demokratik si dhe në luftën ndaj korrupsionit. Presidenti i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Polonisë, zoti Krzysztof Kwiatkowski, pasi e falënderoi Kreun e Shtetit shqiptar për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, theksoi se bashkëpunimi mes institucioneve homologe në fushën e auditimit do të vijojë të forcohet edhe nëpërmjet bashkëpunimeve të tjera, veçanërisht projektit të Binjakëzimit “Për forcimin e kapaciteteve të Auditimit të Jashtëm”, projekt i cili do të implementohet nga KLSH dhe dy SAI Evropiane, SAI Polak dhe Kroat.

Pas takimeve të zhvilluara në Presidencë zoti Kwiatkowski pati një takim me Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese zotin Bashkim Dedja.
Pas prezantimit të organizimit dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Kryetari Dedja iu përgjigj interesimit të zotit Kwiatowski për sa i përket efektit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe theksoi rëndësinë që kanë institucionet e auditimit në mirë-funksionimin e një shteti demokratik.
Presidenti i Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë Krzysztof Kwiatowski, shprehu kënaqësinë e bashkëpunimit me institucionet homologe shqiptare në fushën e auditimit në funksion të luftës ndaj korrupsionit dhe konfirmoi se ky bashkëpunim do të vijojë të forcohet duke ofruar mbështetje konkrete për rritjen e kapaciteteve audituese.

Në datën 5 maj në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, u zhvillua një takim me Kryetarin e Kuvendit, z.Ilir Meta.

kiatovski2_2673_0

Gjatë takimit Kryetari i Kuvendit theksoi rëndësinë që ka për Parlamentin e Shqipërisë funksionimi në mënyrë profesionale i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Zoti Meta theksoi se Kontrolli i Larte i Shtetit si institucion  kushtetues i pavaruar ka rritur shkallën e përgjegjshmërisë për të përmbushur jo vetëm objektivat afatshkurtër e afatmesme institucionale, por edhe ngritjen në një nivel më të lartë  të shkallës së bashkëpunimit dhe bashkëveprimit me institucionet  ligj-zbatuese si edhe përfaqësimin në strukturat ndërkombëtare, INTOSAI dhe EUROSAI. Kuvendi i ka dhënë mbështetjen maksimale veprimtarisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit me  miratimin e ligjit të ri të institucionit, tërësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare të fushës, duke hedhur bazat e një institucioni të depolitizuar dhe  të departizuar.

Nga ana e tij, Presidenti i NIK-ut zoti Kwiatowski vlerësoi mbështetjen që Parlamenti i jep Kontrollit te Lartë të Shtetit  dhe theksoi se bashkëpunimi Parlament- KLSH është një garanci për pavarësinë e plotë të institucionit dhe për rritjen e përgjegjësisë se administratës shtetërore në administrimin e fondeve publike dhe mirëqeverisjen e vendit.  

kiatovski3_2674_0

Gjithashtu, në datën 5 maj në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, u zhvillua një takim edhe me Kryetarin e Komisionit për Ekonominë dhe Financat, z.Erion Braçe. Gjatë takimit u evidentuan marrëdhëniet shumë të mira mes Komisionit për Ekonominë dhe Financat dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, veçanërisht miratimi i Ligjit të Ri të KLSH-së nga Kuvendi i Shqipërisë vitin e kaluar, për të cilin kontributi i këtij Komisioni ka qenë shumë i rëndësishëm. Mbështetja e Komisionit dhe e Kuvendit në tërësi për miratimin e Ligjit ka siguruar që veprimtaria e KLSH-së të jetë në përputhje të plotë më standardet e INTOSAI-t.

Në datën 5 maj 2016 zoti  Kwiatkowski zhvilloi një takim me Ministrin e Drejtësisë, zotin Ylli Manjani. I pranishëm në këtë takim, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj, vlerësoi me mjaft pozitivitet përqasjen e Ministrisë së Drejtësisë ndaj aktivitetit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Gjatë takimit  zoti Manjani dhe zoti  Kwiatkowski, që ka mbajtur më parë edhe postin e Ministrit të Drejtësisë së Polonisë, kanë ndarë disa ide lidhur me disa elementë të rëndësishëm të reformës në drejtësi, veçanërisht duke u ndalur tek sistemi gjyqësor.

kiatovski4_2675_0

Referuar përvojës së tij në krye të Ministrisë së Drejtësisë, z. Kwiatkowski vlerësoi se në çdo shoqëri demokratike një pjesë e shoqërisë do të jetë e pakënaqur ndaj gjyqësorit, ndaj dhe çdo ndryshim është i mirëpritur. Ai cilësoi me rëndësi që çdo ndryshim që përfshin këtë sistem duhet argumentuar mirë dhe gjithashtu ka mjaft rëndësi që të qartësohet se nuk ka interesa politike për ndryshimet e ndërmarra.

Ndër të tjera, gjatë takimit bashkëbiseduesit vlerësuan se koncepti i auditimit të performancës është një proces i domosdoshëm dhe z. Manjani u shpreh se do t’i ndjekë me interes rezultatet që do të prodhohen.
Në vijim të vizitës së tij, Presidenti i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Polonisë, z. Krzysztof Kwiatkowski zhvilloi dhe një  takim me Prokurorin e Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla.
Për zotin  Llalla, bashkëpunimi ndërmjet Prokurorisë dhe KLSH-së duhet të shërbejë si shembull që duhet ndjekur për të arritur suksesin e pritshëm në vënien para përgjegjësisë ligjore të zyrtarëve të përfshirë në veprime antiligjore gjatë detyrës.

Prokurori i Përgjithshëm shprehu në takim angazhimin e institucioneve ligj-zbatuese në Shqipëri për të luftuar korrupsionin. Ai theksoi se ”të gjithë bashkë po mundohemi që të forcojmë institucionet, kryesisht ato audituese, për të goditur fenomenin e korrupsionit dhe abuzimit me detyrën. Në këtë sfidë, është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi ndërmjet Prokurorisë dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit”.

kiatovski5_2676_0

Z. Kwiatkowski, i cili më parë ka mbajtur edhe detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Polonisë, shprehu vlerësimet për rezultatet konkrete, si edhe, nisur nga përvoja e tij personale, e konsideroi shumë të rëndësishëm bashkëpunimin e ngushtë ndërinstitucional.

kiatovski6_2677_0

Në datën 4 maj, zoti Kwiatowski bëri një vizitë në Bashkinë e Elbasanit dhe zhvilloi një takim me Kryetarin e Bashkisë, z.Qazim Sejdini.
Z. Sejdini u tregoi të pranishmëve për historinë e pasur të Elbasanit dhe vlerave të këtij qyteti, pa harruar edhe resurset e mëdha turistike që ofron ky qytet me tradita.
Z. Sejdini përmendi gjithashtu edhe mënyrën e funksionimit të Bashkisë së Elbasanit dhe bashkëpunimin me Këshillin Bashkiak duke u ndalur tek "Buxhetimi me Pjesëmarrje". Kryebashkiaku i shpjegoi Z. Kwiatowski se buxhetin e Elbasanit e përcaktojnë qytetarët duke vetëvendosur për problemet e tyre parësore.

kiatovski7_2678_0

Z. Krzysztof Kwiatowski duke treguar edhe eksperiencën e tij si ish-nënkryetar bashkie vlerësoi punën e Z. Sejdini në krye të Bashkisë së Elbasanit. Ai tha se vetëm një kryetar që punon fort për qytetin e tij dhe nuk bën dallime mes qytetarëve për shkak të bindjeve politike, merr besimin e qytetarëve për një mandat të tretë.
Z. Kwiatowski, në datën 4 maj u nderua nga Këshilli Bashkiak i Elbasanit për kontributin e shquar në rritjen e kapaciteve profesionale të audituesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe administratës publike në përgjithësi me titullin "Qytetar Nderi" i Elbasanit. 

kiatovski8_2685_0

Në fjalën e tij para të pranishmëve në ceremoninë e organizuar në teatrin "Skampa", z. Kwiatowski u shpreh i vlerësuar për këtë vendim të Këshillit Bashkiak të Elbasanit. Ai tha se, përveç Kryetarit të Bashkisë, z. Qazim Sejdini, i cili është mik i tij, tashmë miq të tij janë edhe të gjithë qytetarët e Elbasanit.

kiatovski9_2679_0

Në datën 5 maj, Presidenti Krzysztof Kwiatkowski dhe Kryetari i KLSH-së, zoti Leskaj bënë homazhe dhe vendosen kurora me lule në Varrezat e Dëshmoreve të Kombit në respekt të ditës së dëshmorëve.

 

kiatovski10_2680_0 kiatovski11_2681_0

 

Kryetari i KLSH-së, zoti Leskaj dhe Delegacioni Polak, në respekt të bashkëkombësit të tyre,  Atit të Shenjtë Papa Gjon Pali II,  bënë një vizitë dhe vendosen lule në monumentin e vendosur për nder të tij, në periferi të qytetit të Tiranës.
Trashëgimia e Papës i kalon caqet e kishës katolike. Ati i Shenjtë  ishte një njeri, i cili me shpresën dhe besimin e tij ndihmoi në trasformimin e botës. E gjithe Bota katolike, por edhe ajo e besimeve të tjera ka nderuar njeriun, që kontribuoi  për Paqen në Botë dhe për shembjen e Komunizmit. Krahas shumë të tjerëve, një nderim i vecantë, Papa Gjon Palit të II-të i është atribuar edhe nga Shteti Shqiptar, për të cilin ai ka kontribuar direkt me besimin e tij. Papa Gjon Pali II-të ka vizituar Shqipërinë  në 25 Prill të vitit 1993.

kiatovski12_2682_0

Në ditët e qëndrimit në Shqiperi Zoti Kwiatkowski dhe delegacioni polak gjithashtu vizituan dhe qytetet e Vlorës, Durrësit, Elbasanit dhe Krujës.

kiatovski13_2683_0

kiatovski14