KLSH Kallëzon në Prokurori Kryetaren e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve
12.08.2016
Dëmi i paarkëtueshëm për Buxhetin e Shtetit është në vlerën 2,563,349.5 EURO
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 1130/1 prot, datë 04.12.2015, i ndryshuar, ka përfunduar auditimin në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, për periudhën 01.01.2014 - 31.12.2015 të veprimtarisë së këtij institucioni, ku me Vendimin nr. 88, datë 30.06.2016 të Kryetarit të KLSH-së është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit, rekomandimet e të cilit i janë përcjellë KQZ me shkresën nr. 1131/16, datë 04.07.2016.
Më konkretisht nga auditimi i KLSH-së rezultoi:
1. Në zbatim të Kodit Zgjedhor, KQZ ka detyrimin për të emëruar një ose shumë ekspertë kontabël të licencuar, për të kryer auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara për fushatën zgjedhore. Pra në Kod përcaktohet detyrimi për auditimin e fondeve të fushatës zgjedhore duke nënkuptuar një proces auditimi të shkëputur nga aktivitetit vjetor i subjekteve zgjedhore.
Në nenin 15/2 të Ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000 “Për Partitë Politike”, i ndryshuar, cilësohet që KQZ është organi përgjegjës për monitorimin dhe mbikëqyrjen e financimit të partive, sipas rregullave të këtij ligji, ndërkohë që në këtë ligj nuk gjejmë referencë për rregullime të veçanta. Dispozitat ligjore në fuqi nuk mundësojnë rregullime të detajuara lidhur me regjistrimet kontabël, paraqitjen e tyre dhe nëse ato duhet të mbahen për një afat kohor të parashikuar. Partitë politike në Shqipëri nuk i publikojnë vetë informacionet financiare as për publikun e gjerë, as për anëtarët e tyre. I vetmi informacion është ai i mundësuar nga KQZ dhe i publikuar në faqen zyrtare të internetit të KQZ.
Sipas KLSH-së, roli i KQZ-së, si organi përgjegjës për monitorimin dhe mbikëqyrjen e financimit të partive dhe fushatave zgjedhore, është minimizuar vetëm me përzgjedhjen e listës së ekspertëve kontabël të licencuar për auditimin e fondeve dhe të shpenzimeve të partive politike, pa ndonjë rol aktiv në rritjen e transparencës së fondeve të partive politike. Për këtë arsye KLSH e gjykon si të domosdoshme ndërmarrjen nga KQZ të një iniciative ligjore për hartimin e një ligji “Për Financimin dhe Auditimin e Subjekteve Politike” me qëllim të krijimit të një kuadri rregullator në drejtim të mënyrës, kushteve të financimit, administrimit, mbikëqyrjes, transparencës dhe raportimit të përdorimit të pasurisë dhe të ardhurave të subjekteve politike sipas praktikave më të mira që rregullojnë këtë fushë.
2. Nga auditimi i programimit të buxhetit të vitit 2015, KLSH ka konstatuar që nivelet e shpenzimeve (ndonëse ishte një vit zgjedhor) ishin programuar sipas tavaneve të miratuara nga Ministria e Financave në nivelet e vitit 2014, pa parashikuar shpenzimet që nevojiten për zhvillimin e zgjedhjeve. Ky programim i gabuar ka sjellë ndryshime gjatë vitit dhe shtesë fondesh në nivelin e 612,000 mijë lekë për shpenzime operative dhe 8,000 mijë lekë për investime.
Programimi i shpenzimeve në projektbuxhetin afatmesëm është rritur në mënyrë të paargumentuar, për faktin se midis programimit, çeljes së fondeve nga Ministria e Financave dhe realizimit të tyre, u konstatuan mosrealizime të theksuara të shpenzimeve.
3. Në zgjedhjet vendore 2015, janë financuar (parapaguar) 61 subjekte politike dhe më pas, bazuar në rezultatin e zgjedhjeve, KQZ ka bërë rillogaritjet duke përcaktuar se 46 subjekte politike duhet të kthejnë vlerën prej 11,688,138 lekë, si diferencë midis paradhënies së përfituar dhe shumës që duhet të përfitonin bazuar në nivelin e rezultatit të arritur (numrit të votave në zgjedhjet vendore). Ky detyrim i takon 31 subjekteve politike që nuk kanë kaluar pragun 0.5 %, (në vlerë 2,583,323 lekë), dhe 15 subjekteve politike (në vlerën prej 9,104,825 lekë), që ndonëse kanë kaluar pragun, niveli i financimit duhet të ishte më i ulët referuar nivelit të rezultatit të arritur. Nga të dhënat që disponon KQZ, konstatuam se subjektet zgjedhore (partitë politike) fituese nuk kanë kërkuar të drejtën për fonde shtesë bazuar në nivelin e rezultatit të arritur.
Ndërkohë nga të dhënat e pasqyrave financiare të KQZ, konstatuam se janë debitorë 8 subjekte zgjedhore, për detyrime të lidhura me zgjedhjet e vitit 2003 në shumën prej 1,621,920 lekë dhe për detyrime në zgjedhjet e vitit 2009 në shumën 12,728,006 lekë. Nuk konstatuam përpjekje për mbledhjen e këtyre detyrimeve ndërkohë që KQZ vazhdon të financojë pjesëmarrjet zgjedhore për këto subjekte zgjedhore në vazhdimësi .
4. Në zgjedhjet vendore të muajit qershor 2015, fondi i vënë në dispozicion, i ka kaluar 5 Partive Politike të renditura të parat (rreth 40 milionë lekë), ndërsa për 40 subjekte politike niveli i përfitimit ka qenë vetëm 83,333 lekë secili. Konstatuam se 31 subjekte zgjedhore (parti politike), ndonëse kanë përfituar fonde publike, nuk kanë deklaruar pranë KQZ asnjë financim apo donacion tjetër, po kështu edhe 19 kandidatë të pavarur nuk kanë përfituar fonde publike dhe nuk kanë deklaruar asnjë të ardhur apo donacion tjetër.
Nisur nga fakti që nga KQZ janë kontraktuar ekspertë kontabël për të cilët janë shpenzuar 4,239,000 lekë, nënkuptohet që Institucioni nuk ka patur një vlerësim të drejtë të fondit të përdorur për auditimin e fondeve të alokuara për zgjedhjet vendore 2015. Të dhënat tregojnë se për auditimin e subjekteve zgjedhore të cilat janë financuar me 83,333 lekë (40 subjekte politike) është paguar vlera 2,976,000 lekë që i korespondon 992 orë auditimi të faturuar nga ekspertët e kontraktuar, pra për vlerën e financimit prej 3,333,320 lekë është paguar 2,976,000 lekë si shpenzim auditimi. Gjithashtu për auditimin e 18 kandidatëve të pavarur të cilët nuk kanë deklaruar të ardhura por as dhe shpenzime për këto zgjedhje, është paguar vlera prej 1,293,000 lekësh (441 orë auditimi). Në këto kushte KLSH ka rekomanduar që të rriten kërkesat për një monitorim të kujdesshëm të shërbimit të auditimit të marrë për të eliminuar raste të pagesave për shërbim të pakryer dhe në çdo rast për programimin e fondeve të auditimit të kihet parasysh kuadri rregullator i Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar, për të mundësuar realizimin e misioneve të auditimit në kushtet e efektivitetit të përdorimit të fondeve buxhetore.
5. Nga verifikimi i kryer në inventarin fizik për gjendjen fizike të aktiveve dhe të objekteve inventar konstatohet se, në magazinë gjenden sasira të konsiderueshme për mallra, materiale dhe objekte inventari të destinuara vetëm për veprimtaritë zgjedhore (parlamentare dhe vendore) që kanë si origjinë blerjet dhe furnizimet e kryera ndër vite, të cilat kanë jo vetëm kosto të lartë por edhe vlera përdorimi. Sipas inventarit fizik të kryer në magazinë në muajin janar 2015, KQZ disponon materiale dhe objekte zgjedhore vlerën prej 208,529,995 lekë (36,640 copë kuti votimi të dimensioneve, formave dhe ngjyrave të ndryshme në vlerën prej 166,576,691 lekë, 188,692 copë kode dhe vula sigurie në vlerën prej 41,953,304 lekë). Për këtë është rekomanduar që KQZ të marrë masa konkrete për të mundësuar përdorimin e të gjitha materialeve që disponohen në magazinë.
6. Nga auditimi i ushtruar në lidhje me miratimin dhe zbatimin e dy projekteve SEN (Sistemin Elektronik të Numërimit, për qarkun Fier) dhe SEV (Sistemin Elektronik të Verifikimit, për Qarkun Tiranë) në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 23.06.2013, KLSH ka arritur në konkluzionin që nga ana e kryetarit të KQZ-së, Znj. Lefterie Luzi, janë konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga nenin 248 i Kodit Penal, dhe për rrjedhojë në lidhje me këto shkelje KLSH ka depozituar pranë organit të Prokurorisë kallëzimin penal nr. 1131/17, datë 19.07.2016.
Pavarësisht faktit që në lidhje me këto shkelje janë zhvilluar më herët hetime nga organi i Prokurorisë (si pasojë e kallëzimit penal të bërë nga Partia Socialiste) dhe është konkluduar më pas me marrjen e një vendimi për pushimin e hetimeve për procedim penal, faktet dhe provat e reja të konstatuara nga auditimi i KLSH-së (sidomos përsa i përket përcaktimeve të bëra në kontratat e lidhura nga KQZ me kompaninë sipërmarrëse), janë konsideruar si të mjaftueshme për të ridërguar sërish në Prokurori një kallëzim të ri penal, të rikonceptuar tashmë nga KLSH në fokusin e elementëve të rinj plotësues të figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Sipas kallëzimit penal, KQZ, me Vendimin nr. 23, datë 28.12.2012, vendosi që në kushtet e emergjencës për realizimin e projekteve SEN dhe SEV do të zbatohej procedura e prokurimit “negocim pa botim paraprak të njoftimit të kontratës”, pa fond limit të përcaktuar. Në përfundim të procedurave KQZ ka përzgjedhur si fituese për të dy projektet kompaninë Spanjolle Indra Sistemas S.A. me një vlerë totale prej rreth 4 milion Euro (projekte të cilat do zbatoheshin në vetëm në 20% të territorit të Republikës së Shqipërisë).
Me Vendimin nr. 175, datë 08.03.2013, KQZ ka miratuar modelin dhe specifikimet teknike të fletës së votimit që do të përdorej në lidhje me aplikimin e teknologjisë SEN në zonën zgjedhore Qarku Fier, ku në faqen e sipërme të fletës së votimit ishte parashikuar vendosja e 42 kandidatëve të 42 subjekteve politike (42 rreshta).
Me shkresën nr. 2643, datë 12.03.2013, KQZ i ka kërkuar Avokaturës së Shtetit këshillim në lidhje me kontratën që do të lidhej me kompaninë Indra Sistemas S.A për realizimin e projektit SEN në Qarkun e Fierit. Në përgjigje të kësaj shkrese, Avokatura e Shtetit me shkresën nr. 384/1, datë 13.03.2013 (protokolluar në KQZ me nr. 2643/1, datë 13.03.2013) ka dërguar sugjerimet dhe opinionin e saj në lidhje me draft kontratën e paraqitur, duke sugjeruar, ndër të tjera, heqjen e përcaktimeve të bëra në nenin 9 të cilat mundësonin zgjidhjen e kontratës në mënyrë të njëanshme nga Kontraktori Indra Sistemas S.A si dhe heqjen e përcaktimeve të bëra në nenin 10/c pasi ato mund të bien ndesh me përcaktimet e bëra në nenin 610 të Kodit Civil.
Me shkresën nr. 3076, datë 25.03.2013, Kryetarja e KQZ i ka kërkuar sërish Avokaturës së Shtetit këshillim në lidhje me kontratën e dytë që do të lidhej me kompaninë Indra Sistemas S.A për realizimin e projektit SEV në Qarkun e Tiranës. Në përgjigje të kësaj shkrese, Avokatura e Shtetit me shkresën nr. 384/5, datë 26.03.2013 (protokolluar në KQZ me nr. 3076/1, datë 26.03.2013) ka dërguar sugjerimet dhe opinionin e saj në lidhje me draft kontratën e paraqitur.
Pavarësisht propozimeve dhe sugjerimeve të bëra nga Avokatura e Shtetit në lidhje me ndryshimin e përmbajtjes së germave të nenit 9 dhe nenit 10/c të draft kontratave, KQZ ka vendosur të mos i marrë parasysh propozimet dhe sugjerimet e Avokaturës së Shtetit, duke mos ndryshuar përmbajtjen e tyre në kontratën e parë të lidhur më datë 11.03.2013 dhe në kontratën e dytë të lidhur më datë 25.03.2013.
Referuar të përcaktimeve ligjore të bëra në nenin 15, pika 4, të Ligjit nr. 10018, datë 13.11.2008 “Për Avokaturën e Shtetit”, në të përcaktohet që: “Për hartimin dhe nënshkrimin e kontratave administrative, të parashikuara nga Kodi i Procedurave Administrative, këshillimi i organit përkatës të administratës publike me Avokaturën e Shtetit është i detyrueshëm. Në këto raste, këshillimi i organeve të administratës publike me Avokaturën e Shtetit zgjat deri në përmbushjen e detyrimeve të kontratave nga palët nënshkruese.”
Në zbatim të këtij përcaktimi ligjor, KQZ, ndonëse nuk është e detyruar të zbatojë këshillat e Avokaturës së Shtetit, ka patur detyrimin që përpara nënshkrimit të kontratave të marrë këshillimin zyrtar të Avokaturës së Shtetit (pra të njihet me të) si dhe të vazhdojë kërkimin e këtij këshillimi deri në përmbushjen e detyrimeve kontraktuale nga palët.
Nga analiza e datave në të cilat KQZ i ka përcjellë me shkrim Avokaturës së Shtetit kërkesat për dhënie mendimi në lidhje me përmbajtjen e dy kontratave, me datat në të cilat Avokatura e Shtetit ka kthyer përgjigje, si dhe datat në të cilat janë nënshkruar kontratat me kompaninë Indra Sistemas S.A., rezulton që në të dyja rastet KQZ i ka nënshkruar kontratat përpara mbërritjes së një përgjigje shkresore nga ana e Avokaturës së Shtetit.
Kështu, përsa i përket kontratës së parë, kërkesa e KQZ drejtuar Avokaturës së Shtetit mban datën 12.03.2013, përgjigja e Avokaturës së Shtetit mban datën 12.03.2013, ndërkohë që kontrata është nënshkruar më datë 11.03.2013. Ndërsa përsa i përket kontratës së dytë, kërkesa e KQZ drejtuar Avokaturës së Shtetit mban datën 25.03.2013, përgjigja e Avokaturës së Shtetit mban datën 26.03.2013, ndërkohë që kontrata është nënshkruar më datë 25.03.2013.
Sa më sipër, arrihet në konkluzionin që përsa i përket fazës përpara nënshkrimit të kontratave kërkesa e KQZ për dhënie mendimi nga ana e Avokaturës së Shtetit ka qenë fiktive ndërsa përsa i përket fazës pas nënshkrimit të kontratave KQZ nuk ka kërkuar asnjë mendim Avokaturës së Shtetit. Veprime këto të kryera në kundërshtim me përcaktimet ligjore të bëra në nenin 15, pika 4, të Ligjit nr. 10018, datë 13.11.2008 “Për Avokaturën e Shtetit”.
Në analizë të ndryshimeve ndërmjet draft kontratave të propozuara nga KQZ, kontratave të rekomanduara nga Avokatura e Shtetit dhe kontratave të nënshkruara më pas nga KQZ, evidentohet fare qartë qëllimi i KQZ për të vendosur dhe ruajtur në përcaktimet kontraktore një sërë të drejtash të kontraktorit Indra Sistemas S.A. në disfavor të interesave të ligjshme të shtetit dhe më konkretisht:
a) Dhënia e së drejtës për të anulluar kontratën.
KQZ në nenin 9, germat “a”, “b” dhe “d” të draft kontratës së propozuar, kishte përcaktuar të drejtën e kompanisë Indra Sistemas S.A. për të anulluar (zgjidhur) kontratën.
Në lidhje me këto përcaktime, Avokatura e Shtetit, në shkresën nr. 384/1, datë 13.03.2013, kishte shprehur qëndrimin që: “ ... Duke qenë përpara një interesi publik madhor, siç është garantimi i procesit zgjedhor, ne kemi kryer një ndërhyrje në kontratë ku sugjerojmë heqjen e klauzolave që mundësojnë zgjidhjen e kontratës në mënyrë të njëanshme nga Kontraktori.”
Ndërsa në shkresën nr. 384/5, datë 26.03.2013 Avokatura e Shtetit shprehet që: “ ... zgjidhja e kontratës nga ana e Kontraktorit nuk duhet të jetë aq liberale saç parashikohet në draftin e sjellë për këshillim. Rekomandimet tona në këtë drejtim jua kemi dhënë në opinionin e mëparshëm.”
Për rrjedhojë Avokatura e Shtetit, në nenin 9, germa “a”, të kontratës së rekomanduar, kishte përcaktuar që e vetmja palë e cila kishte të drejtë të zgjidhte marrëdhënien kontraktore ishte KQZ dhe jo kompania Indra Sistemas S.A.
Në kushtet kur kompania Indra Sistemas S.A. po kontraktohej nga KQZ për të kryer menaxhimin dhe administrimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të datës 23.06.2013 nëpërmjet aplikimit të projekteve SEN dhe SEV, pra po kontraktohej për të kryer një shërbim publik, kompania Indra Sistemas S.A. nuk duhej ti jepej e drejta e ndërprerjes në mënyrë të njëanshme të marrëdhënieve kontraktore me KQZ-në, pasi ashtu sikundër KQZ nuk mund të heqë dorë nga detyrimet e saj ligjore karshi administrimit dhe menaxhimit të procesit zgjedhor ashtu dhe një kompani private e kontraktuar nga KQZ nuk mund të heqë dorë apo të ndërpresë në mënyrë të njëanshme detyrimin e saj karshi kryerjes së një shërbimi publik siç ishte administrimi dhe menaxhimi i projektit SEN në Qarkun e Fierit dhe projektit SEV në Qarkun e Tiranës, të marrë përsipër nga vetë kompania.
Vendosja dhe nënshkrimi nga KQZ i përcaktimeve të tilla kontraktuale solli si pasojë ligjërimin e anullimit të kontratës nga kompania Indra Sistemas S.A. përpara përfundimit të procesit zgjedhor.
b) Krijimi i mundësive për të anulluar kontratën për shkaqe teknike.
Anullimi i menjëhershëm i kontratës në rastin e moskryerjes së pagesave nga KQZ
KQZ në nenin 9, germa “b” të draft kontratave të propozuara dhe në nenin 9, germa “b” të kontratave të nënshkruara, kishte parashikuar të drejtën e kompanisë Indra Sistemas S.A për të anulluar kontratën me efekt të menjëhershëm dhe pa mbajtur asnjë përgjegjësi në rast se KQZ nuk do të paguante në kohën e duhur kompaninë Indra Sistemas S.A sipas përcaktimeve të bëra në nenin 7/b/i të kontratës.
Normalisht mospagimi në kohën e duhur i detyrimeve monetare kontraktore nga ana e një institucioni shtetëror nuk duhet të përbënte shkak për ndërprerjen e menjëhershme dhe të njëanshme të marrëdhënieve kontraktuale. Në këto raste rregulli që aplikohet gjerësisht, në çdo kontratë, është ai i penaliteteve apo kamatëvonesave, ku për çdo ditë vonesë aplikohet si penalitet një tarifë apo përqindje e caktuar monetare.
Për më tepër, KQZ nuk kishte përse të përjashtonte kompaninë Indra Sistemas S.A. nga përgjegjësitë që ajo mund të kishte karshi KQZ deri në çastin e prishjes së kontratës. Pavarësisht momentit se kur u lind e drejta palëve në një kontratë për të ndërprerë marrëdhëniet kontraktore, palët duhet të përgjigjen respektivisht për detyrimet e tyre kontraktore deri në atë moment.
Anullimi i menjëhershëm i kontratës në rastin e modifikimit të dizenjos së fletës së votimit nga KQZ
KQZ në nenin 9, germa “d” dhe “ë” të draft kontratave të propozuara dhe në nenin 9, germa “b”, “e” dhe “f” të kontratave të nënshkruara, kishte parashikuar që kompania Indra Sistemas S.A. do të kishte të drejtë të përfundonte kontratën në mënyrë të menjëhershme, pa pasur asnjë lloj përgjegjësie dhe duke iu paguar nga KQZ të gjitha shpenzimet e kryera deri në datën e përfundimit, në rast se KQZ do të modifikonte dizenjon e fletës së votimit (çka do të cilësohej si një modifikim thelbësor i kushteve teknike të kontratës) duke shtuar në të (inkorporuar) më shumë parti/subjekte se maksimumi për të cilën është dizenjuar (42), apo ndryshimin e orientimit të saj (portret), etj, sipas modelit që ndodhej në aneksin 4 të kontratës dhe që ishte ai i miratuar nga KQZ me Vendimin nr. 175, datë 08.03.2012 (tre ditë përpara nënshkrimit të kontratës më datë 11.03.2013).
Referuar nenit 9, germa “c” dhe “d” të kontratës së rekomanduar nga Avokatura e Shtetit, në të përcaktohej në mënyrë kategorike që KQZ nuk kishte të drejtë të modifikonte në mënyrë thelbësore kushtet teknike të kontratës pra të modifikonte dizenjon e fletës së votimit të miratuar tashmë nga KQZ me Vendim nr. 175, datë 08.03.2013. Siç evidentohet edhe nga tabela e mësipërme, KQZ nuk e ka marrë fare në konsideratë këtë propozim të Avokaturës së Shtetit duke i qëndruar variantit të draft kontratës.
Në fakt, vendosja e një përcaktimi të tillë kontraktual nga ana e KQZ, i cili në vetvete pranonte mundësinë e një ndryshimi në të ardhmen nga KQZ të dizenjos së fletës së votimit dhe shtimin e numrit të subjekteve/partive politike në të, ishte edhe justifikimi teknik që kompania Indra Sistemas S.A. shfrytëzoi për të anulluar në mënyrë të njëanshme kontratën me KQZ.
c) Limitimi i përgjegjësive të kompanisë, në kundërshtim me përcaktimet e bëra në Kodin Civil.
KQZ në nenin 10, germa “a”, “b” dhe “c” të draft kontratave të propozuara, kishte parashikuar që përgjegjësitë e kompanisë Indra Sistemas S.A. duhet të jenë të limituara për dëmet dhe humbjet që do të paguhen në rastet e thyerjes së kontratës me faj ose neglizhencë të vetë Indra-s, duke mos kaluar në asnjë rast shumën ekuivalente të sasive të pagesave që kanë mbetur për tu paguar, nga KQZ për Indra-n.
Nga ana tjetër, referuar këtyre përcaktimeve, evidentohet një pabarazi e theksuar ndërmjet rasteve kur dëmi i shkaktohet kompanisë Indra Sistemas S.A. dhe rasteve kur dëmi i shkaktohet KQZ. Sipas përcaktimeve të bëra në nenin 10, germa “b” përgjegjësia e KQZ është totale për të gjitha dëmet që i bëhen kompanisë Indra Sistemas S.A. qoftë edhe kur ato nuk shkaktohen për faj të KQZ-së, ndërsa sipas nenit 10, germa “c” kompania Indra Sistemas S.A. në çdo rast nuk mund të paguajë më shumë se totali i pagesave që kanë mbetur pa paguar nga KQZ. Pra pavarësisht se sa do të ishte dëmi i shkaktuar nga kompania Indra Sistemas S.A. kjo kompani nuk do paguante asnjëherë si dëmshpërblim më shumë se sa totali i çmimit që kishte mbetur pa marrë nga KQZ. Për më tepër që në rast se dëmi do të konstatohej apo do të vërtetohej pasi të ishte bërë edhe pagesa e fundit, atëherë KQZ nuk do të mund të pretendonte asnjë dëmshpërblim nga ana e kompanisë Indra Sistemas S.A. pasi totali i pagesave që nuk do ishin paguar ende nga KQZ do të ishte “zero”.
Në lidhje me këto klauzola, Avokatura e Shtetit është shprehur që ato bien në kundërshtim me nenin 610 të Kodit Civil, sipas të cilit palët nuk mund të lidhin marrëveshje të cilat përjashtojnë apo kufizojnë përgjegjësinë e personit që ka kryer dëm apo faj. Në këtë përcaktim, Kodi Civil nuk bën asnjë dallim ndërmjet fajit të qëllimshëm apo atij me neglizhencë.
Duke mos i marrë fare parasysh rekomandimet e Avokaturës së Shtetit, KQZ në variantin përfundimtar të kontratës ka bërë vetëm një ndryshim të vogël në lidhje me llojin e fajit, çka sërish bien në kundërshtim me përcaktimet e bëra në nenin 610 të Kodit Civil.
Siç evidentohet edhe nga klauzolat e sipërcituara të nenit 9 dhe 10 të kontratës, KQZ ka krijuar me dashje që në fillim kushtet optimale për një ndërprerje të qëllimshme (madje të paramenduar) të kontratës, duke i dhënë kompanisë Indra Sistemas S.A. të drejtën për të ndërprerë në mënyrë të njëanshme marrëdhënien kontraktore, duke i dhënë asaj dy variante se si ajo mund të ndërpriste në mënyrë të menjëhershme kontratën në rastin e mosplotësimit nga KQZ të dy kushteve teknike që kishin të bënin me moskryerjen në kohë të pagesave dhe ndryshimin e fletës së votimit, si dhe duke limituar dhe shmangur totalisht në shumicën e klauzolave përgjegjësinë e kompanisë në rastin e shkaktimit të dëmeve.
Në funksion të qëllimit për të ndërprerë marrëdhëniet kontraktore, KQZ kishte parashikuar në kontratë edhe mënyrën se si kompania Indra Sistemas S.A. do të përfitonte maksimalisht (70% dhe 60% të vlerës së kontratës) përpara ndërprerjes së parashikuar të marrëdhënieve kontraktore. Sipas kontratave, KQZ, për realizimin e projekteve SEV dhe SEN, do ti jepte kompanisë Indra Sistemas S.A., 90% të çmimit të kontratave prej 3,637,863 Euro vetëm për fazën përgatitore dhe 10% të çmimit të kontratave prej 404,207 Euro nëse kjo kompani do ti kryente më pas shërbimet ditën e zgjedhjeve.
Gjithashtu referuar renditjes së zërave të pagesave, evidentohet fakti që pagesa për pajisjet hardëare (zërat e dytë në të dyja tabelat e kontratave SEN dhe SEV) kryhet përpara bërjes së provës së brendshme apo dhe provës së përgjithshme (zërat e tretë dhe të katërt në tabelën e kontratës SEN dhe zëri i tretë në tabelën e kontratës SEV). Nëpërmjet vendosjes së një renditje të tillë të zërave në tabelat e pagesave, KQZ i ka paguar kompanisë Indra Sistemas S.A. shuma të konsiderueshme monetare për blerjen e pajisjeve hardëare, të cilat nuk dihej nëse do të përdoreshin ose jo ditën e zgjedhjeve për aq kohë sa ende nuk ishin zhvilluar dhe kaluar me sukses provat në lidhje me sistemet softëare. Për realizimin e këtyre provave nuk kërkohej domosdoshmërish blerja e të gjitha pajisjeve hardëare por vetëm një numër i vogël pajisjesh të cilat do mjaftonin për simulimin e një procesi zgjedhor sipas përcaktimeve të bëra në projektet SEV dhe SEN. Vetëm në rast se provat do të rezultonin të suksesshme do të lindte nevoja e blerjes së të gjitha pajisjeve hardëare. Për më tepër, të gjitha këto pajisje hardëare që do të bliheshin nga kompania Indra Sistemas S.A. nuk do të ngeleshin pronë e KQZ dhe nuk do mund të përdoreshin më nga ana e saj në zgjedhjet e tjera por do mbeteshin pronë e kompanisë.
Sa më sipër, arrihet në konkluzionin që qëllimi i vetëm i kryerjes së këtyre pagesave nga KQZ, për blerjen paraprake të të gjitha pajisjeve hardëare, ishte rritja fiktive e pagesave që kompania Indra Sistemas S.A. do të merrte përpara prishjes së kontratës.
Me Vendimin nr. 442, datë 20.05.2013, KQZ ka miratuar përmbajtjen e fletës së votimit për zgjedhjet për Kuvendin të datës 23.06.2013, për zonën zgjedhore Qarku Fier. Sipas këtij vendimi fleta e votimit do të përmbante 67 subjekte zgjedhore dhe jo 42 sa ishte vendosur me Vendimin nr. 175, datë 08.03.2013. Kompania Indra Sistemas S.A. me shkresën e datës 30.05.2013 (protokolluar në KQZ me nr. 26/31, datë 30.05.2013) i ka komunikuar KQZ përfundimin me efekt të menjëhershëm të kontratës së datës 11.03.2013 në lidhje me implementimin e sistemit SEN në Qarkun e Fierit, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 9, germa “d” të kontratës, duke u shprehur që nuk është teknikisht i mundur asnjë variant tjetër përveç zgjidhjes që është miratuar në Kontratë (42 subjekte).
Referuar afateve kohore të parashikuara në nenet 64, 65, 67, 69 dhe 73 të Kodit Zgjedhor, KQZ e ka të pamundur që të konkludojë në një listë përfundimtare të subjekteve zgjedhore, koalicioneve dhe kandidatëve, përpara 40 ditëve nga data e zgjedhjeve. Për rrjedhojë, në kushtet kur zgjedhjet për Kuvend do të zhvilloheshin më datë 23.06.2013, Vendimi i KQZ në lidhje me përmbajtjen e fletës së votimit për zonën zgjedhore Qarku Fier, nuk mund të dilte përpara datës 13.05.2013. Ky fakt konfirmohet edhe në vetë arsyetimin e Vendimit nr. 576, datë 17.06.2013 të KQZ për numërimin me dorë të votave në zonën zgjedhore Qarku Fier.
KQZ, në dijeni të këtyre përcaktimeve ligjore, duhet të kishte evidentuar (ruajtur, garantuar) në kontratën e datës 11.03.2013 faktin që Vendimmarrja e KQZ në lidhje me listën përfundimtare të subjekteve zgjedhore nuk mund të jetë definitive përpara datës 13.03.2013 (40 ditë përpara datës së zgjedhjeve). KQZ nuk duhet të kishte vendosur ndryshimin e formatit të fletës së votimit (i cili lidhet në mënyrë direkte me numrin e subjekteve zgjedhore) si një kusht për ndryshimin e menjëhershëm dhe të njëanshëm të kontratës nga ana e kompanisë Indra Sistemas S.A. por përkundrazi KQZ duhet ti garantonte vetes të drejtën e miratimit të fletës së votimit deri 40 ditë përpara datës së zgjedhjeve.
Në mënyrën se si KQZ kishte formuluar përmbajtjen e germave “d”, “e”, “f” të nenit 9 të kontratës, kompania Indra Sstemas S.A. do të mund ta anullonte kontratën në mënyrë të njëanshme qoftë edhe vetëm me shtimin e një subjekti zgjedhor, pra nga 42 subjekte zgjedhore të parashikuara në Vendimin nr. 175, datë 08.03.2013 në 43 subjekte zgjedhore. Për më tepër, ndërmjet dy varianteve të fletës së votimit (me 42 subjekte zgjedhore në formatin portrait dhe 66 subjekte zgjedhore në formatin landscape) të paraqitura nga administrata përpara marrjes së Vendimit nr. 175, datë 08.03.2013, KQZ nuk kishte përse të zgjidhte variantin me më pak subjekte zgjedhore, duke ditur që për sistemin elektronik është më e vështirë të shtohen subjektet zgjedhore sesa të hiqen (reduktohen).
Pra KQZ ka vendosur në kontratën e datës 11.03.2013, si kusht për zgjidhjen e kontratës në mënyrë të njëanshme, një kusht i cili jo vetëm nuk ishte në përputhje me përcaktimet ligjore të bëra në Kodin Zgjedhor dhe rrezikonte të shpërdoronte në mënyrë të padobishme një investim disa milionësh të shtetit por rrezikonte vetë procesin zgjedhor i cili do zhvillohej në Qarkun e Fierit sipas projektit SEN duke e bazuar gjithë suksesin e këtij projekti dhe investimit shtetëror në lidhje me të në shpresën e pabazë që formati i fletës së votimit nuk do të ndryshonte (pra që në zgjedhje do të merrnin pjesë as më shumë dhe as më pak por 42 subjekte zgjedhore) si dhe në shpresën që kompania Indra Sistemas S.A. do të kishte në radhë të parë vullnetin dhe në radhë të dytë aftësinë për të ndryshuar në minutë të fundit gjithë sistemin elektronik për t’iu përshtatur ndryshimeve të kërkuara nga KQZ.
Sa më sipër, në kushtet e një dijenie të plotë në lidhje me pasojat, risqet dhe procedurat e zbatimit të projektit SEN, vendimmarrja e KQZ në lidhje me përcaktimet kontraktore që kishin të bënin me zgjidhjen e kontratës, favorizimin e kompanisë dhe dhënien ndaj saj të pagesave të panevojshme, ka qenë e qëllimshme. Dështimi i paramenduar i këtij projekti çon në konkluzionin që ky projekt ka qenë një projekt fiktiv, i cili në mënyrën se si ishte kontraktuar kishte të garantuar dështimin dhe jo suksesin e tij.
Me Vendimin nr. 589, datë 18.06.2013, KQZ ka vendosur mosaplikimin e teknologjisë elektronike SEV të identifikimit dhe regjistrimit të pjesëmarrjes së zgjedhësve në Qarkun e Tiranës dhe kalimin në variantin manual të identifikimit dhe regjistrimit. Referuar pjesës arsyetuese të këtij vendimi, KQZ shprehet që nga provat e zhvilluara më datat 17.05.2013 dhe 08.06.2013 për testimin e sistemit SEV u konstatuan katër problematika madhore, të cilat sipas KQZ komprometojnë procesin elektronik të votimit, duke u shprehur: “Sistemi i demonstruar më datë 8 Qershor realizoi pjesërisht vetëm disa kërkesa bazë të përcaktuara në shtojcën III të ligjit Nr. 74/2012 Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë. ... Gjatë demonstrimit u vërtetuan mangësi të theksuara në elementët e sigurisë dhe dyshime mbi integritetin e sistemit në përgjithësi.”
Normalisht në këto kushte, KQZ duhet të kishte ndërprerë marrëdhëniet kontraktore me kompaninë Indra Sistemas S.A., duke ngritur ndaj saj edhe pretendime për dëmshpërblim në lidhje me dëmet që kjo kompani i kishte shkaktuar KQZ-së (shtetit Shqiptar).
Në fakt, përcaktimet që KQZ kishte vendosur në kontratën e datës 25.03.2013, nuk i mundësonin dhe KQZ-së kryerjen e një ndërprerje normale të marrëdhënieve kontraktore dhe as ngritjen e pretendimeve normale në lidhje me dëmshpërblimin.
Referuar përcaktimeve të bëra në nenin 9 të kontratës, KQZ nuk ka asnjë mundësi për ndërprerje të menjëhershme të kontratës, ndryshe nga kompania Indra Sistemas S.A. e cila një sërë mundësish. Sipas nenit 9, germa “a” të kontratës, KQZ ishte e detyruar që të njoftonte paraprakisht me shkrim kompaninë Indra Sistemas S.A., duke i lënë asaj një afat 30 ditor për të rifituar situatën dhe nëse kompania, brenda këtij afati, nuk do të kishte asnjë plan shpëtimi ose nuk do kishte propozuar një të tillë, atëherë KQZ do të kishte të drejtë të anullonte kontratën.
Vendosja e këtij përcaktimi në kontratë, e kufizonte KQZ akoma dhe më shumë, pasi KQZ e cila ishte gjithnjë e detyruar të zbatonte rregullin e dhënies së një afati 30 ditor, nuk mund ta zbatonte atë në rast se distanca kohore deri në datën e zgjedhjeve do të ishte më pak se 30 ditë. Pra teknikisht, në kushtet kur KQZ e mori vendimin për mosaplikimin e teknologjisë elektronike SEV dhe kalimin në variantin manual të identifikimit dhe regjistrimit më datë 18.06.2013, KQZ do mund të anullonte kontratën me kompaninë Indra Sistemas S.A. vetëm pas kalimit të një afati 30 ditor, që i bie data 19.07.2013 (25 ditë pas zgjedhjeve).
Sa më sipër, arrihet në konkluzionin që KQZ, në mënyrën se si kishte hartuar termat e kontratës së datës 25.03.2013, jo vetëm që i kishte kufizuar vetes të drejtën e zgjidhjes së marrëdhënieve kontraktore në vetëm një mënyrë (pra vetëm nëpërmjet dhënies së një afati 30 ditor) por kishte i kishte hequr vetes të drejtën për zgjidhjen e marrëdhënieve kontraktore brenda 30 ditëshit të fundit përpara datës së zgjedhjeve.
Në kushtet kur në kontratë, KQZ nuk kishte parashikuar, për veten e saj, asnjë variant tjetër për zgjidhjen e marrëdhënieve kontraktore përveç atij të respektimit të detyruar të afatit 30 ditor (nuk kishte të drejtë të zgjidhte kontratën në mënyrë të menjëhershme, ndryshe nga kompania Indra Sistemas S.A.), çdo zgjidhje tjetër e kontratës nga ana e KQZ-së e cila nuk do respektonte këtë përcaktim do të konsiderohej si një zgjidhje e paligjshme (nisur nga fakti që kontrata ka fuqinë e ligjit).
Në përgjigje të shkresës nr. 5528, datë 19.06.2013 (nëpërmjet së cilës KQZ i ka përcjellë përfaqësuesit të kompanisë Indra Sistemas S.A. Vendimin nr. 589, datë 18.06.2013), kompania Indra Sistemas S.A. i ka dërguar KQZ shkresën nr. 25/45, datë 20.06.2013, në të cilën shprehet: “... pretendoni të zgjidhni kontratën, mbi bazën e një mospërmbushje të bazuar në ato konkluzione, për të cilën nenin 9.a i kontratës parashikoi një paralajmërim 30 ditor për korrigjim që Ju nuk jeni duke e respektuar dhe duke dhënë vetëm një afat 5 ditor, duke bërë të paefektshme çdo lloj mase korrigjimi që mund të aplikohej. ... Si rrjedhojë e asaj ç’farë u tha më sipër ju komunikojmë vendimin tonë për zgjidhjen, me efekt të menjëhershëm, të kontratës Nr. 25/29 Prot. të datës 25 Mars 2013 që na u lidh, duke u mbështetur në atë ç’farë përcakton nenin 9.b.”
Në fakt, siç evidentohet edhe në arsyetimin e Vendimit nr. 589, datë 18.06.2013 të KQZ, faji për dështimin e kontratës i takon kompanisë Indra Sistemas S.A. si pasojë e mospërmbushjes nga ana e saj të detyrimeve kontraktore në lidhje me sigurinë e pajisjeve dhe sistemit. Për rrjedhojë kjo kompani duhet të mbante përgjegjësi edhe në lidhje me dëmet që i ishin shkaktuar KQZ-së (shtetit Shqiptar) ku minimalisht duhet të përfshihej e gjithë vlera e shpenzuar deri në atë moment për realizimin e projektit SEV në Qarkun e Tiranës. Edhe në rast se KQZ do të kishte respektuar përcaktimet kontraktore në lidhje me ndërprerjen e kontratës duke mos i dhënë shkak kompanisë Indra Sistemas S.A. që të përfitonte nga shkeljet e KQZ-së, përgjegjësitë kontraktore të kompanisë Indra Sistemas S.A. ishin reduktuar qëllimisht që në hartimin e kontratës.
Kështu referuar përcaktimeve të bëra në nenin 10, germa “c” të kontratës, në të përcaktohej që: “Dëmet dhe humbjet që do të paguhen në rast zgjidhje kontrate që nuk rrjedhin nga një faj i qëllimshëm ose një neglizhencë e rëndë e vetë INDRA-s duhet të jenë të kufizuara dhe si rezultat në asnjë rast nuk duhet të kalojnë shumën ekuivalente të sasive të pagesave që kanë mbetur për tu paguar, nga KQZ për INDRA-n në bazë të parashikimeve të kësaj kontrate.”
Sa më sipër, arrihet në konkluzionin që KQZ nëpërmjet vendosjes në të dyja kontratat të përcaktimeve të disfavorshme për KQZ-në ka favorizuar kompaninë Indra Sistemas S.A. në ofrimin e një shërbimi të pavlefshëm, marrjen e pagesave të pamerituara dhe ndërprerjen e marrëdhënieve kontraktore pa kurrfarë detyrimi karshi dëmeve të shkaktuara KQZ-së, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm ekonomik në vlerën 2,563,349.5 Euro.
Më hollësisht, argumentimi i plotë në lidhje me konsumimin e figurës së kësaj vepre penale pasqyrohet në kallëzimin penal të KLSH-së, në Raportin Përfundimtar të Auditimit si dhe provat e tjera dokumentare bashkëngjitur kallëzimit.