Njoftime

KLSH Kallëzon në Prokurori Regjistruesin, dy ish-Regjistrues dhe 13 Specialistë dhe ish Specialistë të ZVRPP Berat

09.09.2016

 

Kanë kryer regjistrime të pasurive me sipërfaqe më tepër nga sa përcaktuar në Ligj, duke lëshuar çertifikata mbi këto pasuri. Kanë lejuar tjetërsimin e këtyre pasurive në 20 raste dhe kanë regjistruar 43626 m2 sipërfaqe tokë arë, pa patur aktin e marrjes së tokës në pronësi.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 189/1,  datë 12.02.2016,  ka audituar Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Berat, për periudhën 01.01.2013- 31.12.2015. Në përfundim të auditimit u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, për të cilat janë rekomanduar masat përkatëse për përmirësimin e gjendjes dhe nxjerrjen e përgjegjësive, të miratuara me Vendimin e Kryetarit të KLSH-së me nr. 70, datë 29.06.2016, të cilat janë përcjellë në subjekt me shkresën nr. 189/7, datë 30.06.2016.

Nga auditimi u konstatuan një sërë shkeljesh, ndër të cilat më kryesoret janë:

1. Në 15 raste janë regjistruar 43626 m2 sipërfaqe, bazuar në Aktin e Marrjes së Tokës në përdorim,  që nuk përbëjnë titull pronësie, veprim në papajtueshmëri me nenin 25/a dhe pika 5 neni 45, të Ligjit nr. 33, datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” dhe UKM nr. 2, datë 13.06.2013 “Për mënyrën e procedimit të organeve të administratës publike, për pasuritë e paluajtshme, të fituara me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP)”. 

2. Në 20 raste, janë kryer veprime tjetërsimi nëpërmjet transaksioneve mbi këto pasuri, si pjesëtim pasurie, bashkim pasurie, pa patur dokumentacionin ligjor për regjistrimin e pasurive.

3. Në 27 raste janë regjistruar pasuri të cilat nuk janë përfituar me Ligjin nr. 7501, datë 17.09.1991 “Për tokën”, veprim në papajtueshmëri me nenin 25/a, të Ligjit nr. 33, datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, germa ç pika 1, të UKM nr. 2, datë 13.06.2013 “Për mënyrën e procedimit të organeve të administratës publike, për pasuritë e paluajtshme, të fituara me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP)”.

4. Në 5 raste janë regjistruar më tepër 9756 m2 ullishte se AMTP, veprim në papajtueshmëri me nenin 25/a, të Ligjit nr. 33, datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” dhe pika 1, të UKM nr. 2, datë 13.06.2013 “Për mënyrën e procedimit të organeve të administratës publike, për pasuritë e paluajtshme, të fituara me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP)”.

5. Në 21 raste janë regjistruar pasuritë  me mangësi në dokumentacion si mungesa e vulave, nënshkrimeve nga Kryetari i Komisionit të Tokës në fshat, veprim në papajtueshmëri me nenin 25/a, të Ligjit nr. 33, datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” dhe pika 1, të UKM nr. 2, datë 13.06.2013 “Për mënyrën e procedimit të organeve të administratës publike, për pasuritë e paluajtshme, të fituara me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP)”.

6. Në 1 rast është bërë pa patur akt pronësie, regjistrimi i pasurisë truall me sipërfaqe 951 m2 dhe ndërtesë me sipërfaqe 180 m2, veprim në papajtueshmëri me nenin 24/a, Ligjin nr. 7843, datë 13.07.1994“Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, i ndryshuar.

Për shkeljet e konstatuara, KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat për Regjistruesin e ZVRPP-së A.B., dy ish regjistruesit A.M. dhe F.P., për 7 ish-specialistë: A.ZH. ish-specialist i Regjistrimit Fillestar, R.A. ish-Përgjegjës i Regjistrimit dhe Hartografisë, O.G. ish-hartograf, A.M. ish-Përgjegjës i Sektorit të Regjistrimit Fillestar, S.S. e J.D. ish-hartograf e L.E. ish-Specialist i Regjistrimit Fillestar si dhe për 5 specialistë Sh.D. hartograf, F. Rr. Përgjegjës i Sektorit të Regjistrimit e Hartografisë, Z.C. e E.Ç. juristë, dhe A.Gj. juriste (apo dhe persona të tjerë që mund të rezultojnë si përgjegjës gjatë hetimeve), për konsumim e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, neni 248 i Kodit Penal.