Njoftime

Në datat 26-29 shtator u zhvillua në Shkup - Maqedoni, takimi i 14-të i Grupit të Punës për Auditimin e Mjedisit të EUROSAI-t.

29.09.2016

Ky takim u organizua nga SAI i Estonisë i cili është edhe drejtues i EUROSAI/WGEA, ndërsa vendi mikpritës ishte Maqedonia. Në të morën pjesë 74 përfaqësues nga 23 Institucione Supreme Auditimi anëtarë të EUROSAI-t, të ftuar specialë nga ECA dhe INTOSAI/WGEA si dhe ekspertë të çështjeve mjedisore nga vende të ndryshme të Europës. Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua nga z. Artur Hasanbelliu Drejtor Drejtorie, zj. Alma Shehu audituese, zj. Ermira Vojka audituese dhe Prof. Dr. Sazan Guri Ekspert i Jashtëm.

maqedoni_wga_2868_0

Në ditën e parë më datë 26 shtator, u zhvilluar seminari me temë “Auditimi i Zhvillimit të Qëndrueshëm” në të cilin ekspertë të njohur ndërkombëtar shpjeguan konceptin e tyre mbi zhvillimin e qëndrueshëm dhe rolin e Institucioneve Supreme të Auditimit në arritjen e objektivave të tij. Qëllimi i këtij seminari ishte:
•Njohja me konceptin e zhvillimit të qëndrueshëm;
•Njohja me tendencat e fundit dhe zhvillimet në lidhje me zhvillimin e qëndrueshëm të miratuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara;
•Prezantimi me aktivitetet e vazhdueshme në nivel të INTOSAI-t në lidhje me auditimin e zhvillimit të qëndrueshëm;
•Raste praktike mbi auditimin e zhvillimit të qëndrueshëm.
Në seminar referuan kolegë nga Gjykata Evropiane e Audituesve, Polonia, Austria, Gjermania, Bullgaria dhe Indonezia. Gjithashtu referuan edhe përfaqësues të Kabinetit të Zëvendës Kryeministrit të Maqedonisë dhe përfaqësuesi i Ministrisë së Mjedisit të Maqedonisë.
Referuesit përveç njohjes me konceptet e zhvillimit të qëndrueshëm sollën edhe përvojën e SAI-ve respektive mbi auditimin e zhvillimit të qëndrueshëm. Gjatë seminarit u diskutua mbi rëndësinë që kanë Institucionet e Auditimit në sigurimin e qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm.
Në panelin e diskutimeve i cili u drejtua nga z. Alar Karis Auditues i Përgjithshëm i SAI-t të Estonisë dhe njëkohësisht Kryetar i EUROSAI/WGEA ku morën pjesë drejtues të SAI-ve të rajonit u diskutua mbi sfidat dhe mundësitë për auditimet në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të mjedisit si dhe u ndanë eksperiencat që secili kishte në këto auditime.
Bazuar në axhendën e planifikuar në datat 27-29 shtator takimi i përvitshëm vazhdoi nën moton “Let’s audit Green” ku u diskutuan dy tema kryesore:
1) Instrumentat e tregut me bazë mbrojtjen e mjedisit, teme e cila kishte për qëllim të prezantonte përfundimet e një projekti kërkimor të INTOSAI WGEA si dhe eksperiencat e fituara nga auditimet e kryera apo që ishin në zhvillim.
Gjatë zhvillimit të takimit u prezantuan përmbledhje nga auditimet e mjedisit të kryera nga SAI të ndryshme, si dhe një prezantim nga Dr. Stefan Speck, Ekspert i Pavarur i cili më herët kishte punuar si drejtues projektesh pranë Agjencisë Europiane të Mjedisit.
Në referimin që mbajti Dr. Speck foli mbi rëndësinë që kanë taksat mjedisore, racionalitetin e tyre si dhe situatën reale të tyre në Eoropë.
Nga audituesit e SAI të Estonisë u diskutua tema e ndikimit të instrumenteve të tregut në mbrojtjen mjedisore. Një temë tjetër e mbajtur nga përfaqësuesit e Gjykatës Europiane të Auditimit ishte integriteti dhe zbatimi i skemës së emetimeve në tregun Europian. Përfaqësuesit e SAI-t Norvegjez sollën eksperiencën e tyre në auditimin e instrumenteve bazë të tregut në mbrojte të mjedisit.
2) Standardet Ndërkombëtare ISSAI mbi Auditimin e Mjedisit, ku u diskutua eksperienca e SAI-ve lidhur me implementimin e këtyre standardeve specifike.
Për pjesëmarrësit u bënë me dije përditësimet që janë bërë në standardet e auditimit të mjedisit përkatësisht në:
ISSAI 5110 – Udhëzues mbi zhvillimin e auditimeve me fokus çështjet e mjedisit;
ISSAI 5120 – Auditimi i Mjedisit, auditimi financiar dhe auditimi i përputhshmërisë;
ISSAI 5130 – Zhvillimi i qëndrueshëm – roli i Institucioneve Supreme të Auditimit;
ISSAI 5140 – Si SAI-t mund të bashkëpunojnë në auditimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të mjedisit.
Këto standarde të përditësuara do të miratohen në Kongresin e XXII INCOSAI që do të zhvillohet në dhjetor 2016.
Takimi u mbyll me prezantimin e aktiviteteve të INTOSAI/EUROSAI WGEA si dhe me përthithjen e ideve nga pjesëmarrësit për hartimin e Strategjisë dhe Planit të Zhvillimit 2018-
2020 të EUROSAI/WGEA.