Njoftime

Kryetari i KLSH takon Ambasadorin e ri të Polonisë

07.10.2016

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj takoi sot më datë 07 tetor 2016 Ambasadorin e ri të Polonisë në Shqipëri, z. Karol Bachura.
Ambasadori Bachura vlerësoi kontributin e KLSH në zgjerimin dhe forcimin e marrëdhënieve mes Polonisë dhe Shqipërisë, nëpërmjet një partneriteti dhe bashkëpunimi të frytshëm me Zyrën Shtetërore të Auditimit të Polonisë (NIK) gjatë viteve 2012-2016. Ai sugjeroi që kjo eksperiencë e suksesshme të shtrihej dhe në vendet e tjera të rajonit, si në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë, në marrëdhëniet e bashkëpunimit mes këtyre institucioneve supreme të auditimit(SAI-ve) dhe NIK.
Kryetari i KLSH cilësoi se audituesit shqiptarë kanë mësuar për teknikat e auditimit dhe qasjen e duhur në auditim nga eksperienca e bashkëpunimit me NIK-un polak dhe besojnë në të ardhmen e këtij bashkëpunimi.
Ambasadori polak theksoi ndjenjat e simpatisë dhe të miqësisë që populli polak ushqen ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar dhe tha se do të punojë që prania e Polonisë të ndihet më shumë në ekonominë shqiptare dhe në investimet e huaja në vend. Ai u shpreh se sot përparësitë kryesore në reformën në drejtësi janë lufta kundër krimit të organizuar dhe lufta kundër korrupsionit. Në këto dy përparësi, ai sheh një rol kryesor të institucionit suprem të auditimit.
Kryetari i KLSH nënvizoi se Polonia është një partner i rëndësishëm për Shqipërinë në BE. “Vendi juaj është një vend i madh dhe me autoritet në vendim-marrjen evropiane. Po ashtu e zhvilluar është edhe Zyra Shtetërore e Auditimit, NIK-u polak. Ajo drejton projektin e binjakëzimit IPA 2013 për KLSH-në”.
Ambasadori Bochura paraqiti idenë e tij të një dhënjeje eksperience horizontale për institucionet kryesore publike në Shqipëri, lidhur me hapat e anëtarësimit në BE, duke ndjekur një shembull të suksesshëm e konkret si anëtarësimi polak.
Z. Leskaj vlerësoi idetë e bashkëpunimit të Ambasadorit Bochura dhe u shpreh i gatshëm për të ndihmuar si KLSH në realizimin e tyre.