Audituesi i Përgjithshëm i Kosovës viziton KLSH, takon Presidentin e Republikës dhe personalitete të tjera të vendit
17.10.2016
Audituesi i Përgjithshëm i Kosovës, z. Besnik Osmani zhvilloi sot më datë 17 tetor 2016 një vizitë pune në Kontrollin e Lartë të Shtetit.
Në takimin me Kryetarin e KLSH, z. Bujar Leskaj, z. Osmani, duke vlerësuar partneritetin e ngushtë të dy institucioneve supreme të auditimit të Kosovës dhe Shqipërisë, të nisur me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit në shkurt të vitit 2012, bëri një prezantim të punës dhe rezultateve të institucionit të tij pas emërimit të tij si Auditues i Përgjithshëm në mars 2016, si dhe të riorganizimit dhe ndryshimeve thelbësore të fundit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) të Kosovës, duke fituar një qasje më efektive në auditim, e orientuar nga auditime më cilësore dhe më pranë qytetarit kosovar, si dhe me informacione më të drejtpërdrejta për Kuvendin e Kosovës.
Z. Leskaj prezantoi punën e institucionit të KLSH gjatë vitit 2016, rezultatet dhe auditimet më të rëndësishme, si dhe kontributin e institucionit për përmirësimin e mirëqeverisjes publike, nëpërmjet thellimit te luftës kundër korrupsionit. Më tej, të dy drejtuesit e institucioneve supreme të auditimit të Kosovës dhe Shqipërisë diskutuan për planin e ardhshëm të aktiviteteve, si në kuadrin e bashkëpunimit dypalësh dhe në atë më të gjerë të bashkëpunimit rajonal dhe mbarë evropian mes institucioneve anëtare të organizatës EUROSAI.
Aktivitetet do të jenë të larmishme, nga shkëmbimi i përvojave në nivel praktik dhe teknik për zbatimin e plotë të standardeve ndërkombëtare të auditimit publik dhe praktikave të mira evropiane, nëpërmjet seminareve dhe konferencave vjetore individuale ose të përbashkëta, e deri tek auditime të përbashkëta për tema me rëndësi si për ekonominë dhe administrimin publik të Kosovës, ashtu dhe të Shqipërisë.
Për këtë qëllim, do të rinovohet marrëveshja e lidhur mes dy institucioneve në vitin 2012, duke zgjeruar gamën e aktiviteteve të përbashkëta dhe duke përfshirë Planin e Veprimit KLSH-ZKA të vitit 2017. Z. Osmani u takua dhe me Prof. Dr. Lindita Lati, Kryetaren e Autoritetit të Konkurrencës së Shqipërisë. Zj. Lati e njohu Kryeaudituesin e Kosovës me eksperiencën e një partneriteti të suksesshëm me KLSH, të nisur që në vitin 2012, me shkëmbimin e informacioneve dhe të rasteve kur aktiviteti i strukturave publike sillte deformimin e konkurrencës në treg.
Audituesi i Përgjithshëm i Kosovës u takua në mesditë me Inspektorin e Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe të Konfliktit të Interesave z. Shkëlqim Ganaj. Z. Ganaj i paraqiti z. Osmani rezultatet e bashkëpunimit me KLSH dhe praktikën efiçiente të deritanishme të shkëmbimit të indicieve mes të dyja institucioneve të kontrollit.
Në mjediset e KLSH, z. Besnik Osmani u takua dhe me deputetin e Kuvendit z. Florjon Mima, një nga themeluesit e sistemit modern fiskal të Shqipërisë dhe personalitet i mendimit ekonomik shqiptar.
Z. Osmani dhe z. Mima kanë dhënë kontribut të përbashkët në ndërtimin e sistemit fiskal të Kosovës. Z. Mima e njohu Audituesin e Përgjithshëm të Kosovës me raportet e frytshme të punës që Komisioni për Ekonominë dhe Financat ku ai bën pjesë, ka me institucionin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Z. Osmani nga ana e tij solli praktikën shumë pozitive dhe efektive të bashkëpunimit mes Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike të Kuvendit të Kosovës.
Në orën 16.00, Audituesi i Përgjithshëm i Kosovës takoi Presidentin e Republikës, SH.T.Z. Bujar Nishani. Presidenti vlerësoi kontributin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës në mirëqeverisjen publike të shtetit më të ri të Evropës.