Njoftime

KLSH organizon Javen e Hapur per Qytetarët

28.10.2016

Mbështetur në standardin ndërkombëtar të institucioneve supreme të auditimit, ISSAI 12, “Vlerat dhe dobitë e Institucioneve Supreme të Auditimit-të bësh ndryshimin në jetën e qytetarëve”, parimi 6 “Komunikimi efektiv me palët e interesit”, dhe me qëllim njohjen më të plotë dhe të drejtpërdrejtë të veprimtarisë së Institucionit nga qytetarët, Kontrolli i Lartë i Shtetit organizon Javën e Hapur për Qytetarët, nga datat 28 Tetor-04 Nëntor 2016.

Duke vlerësuar misionin e tij si agjent i publikut dhe i Kuvendit, për përdorimin me efektivitet, efiçiencë dhe ekonomicitet të burimeve dhe fondeve publike, KLSH synon forcimin e besimit të qytetarit dhe publikut ne tërësi, nëpërmjet njohjes me nga afër te veprimtarisë se tij, auditimeve dhe rezultatet nga auditimet, si dhe partneritetet që ka krijuar brenda dhe jashtë vendit për të përmirësuar qeverisjen publike, duke u përpjekur të luftojë në thellësi korrupsionin.

Gjate kësaj jave, qytetaret që do të vizitojnë mjediset e Kontrollit të Larte të Shtetit dhe do të mund të njihen me historikun dhe arritjet e institucionit ne 91 vitet e ekzistencës së tij nëpërmjet mini-muzeut në koridorin qendror të KLSH, do të takohen me punonjës, auditues dhe ekspertë të ndryshëm të institucionit, për të marrë të gjithë informacionin që ata do të dëshirojnë të kenë, përfshirë edhe auditimet në proces.

Dita e parë e Javës së Hapur për Qytetarët do të fillojë në orën 13.00, datë 28 tetor 2016 në sallën e Akademisë së Shkencave, me një leksion të Profesorit Sang M. Lee, nga Universiteti i Nebraskës, SHBA.
Në datën 3 nëntor, ora 09.00-12.00 do të zhvillohet një workshop në bashkëpunim me “Albanian Platform for Policy Advocacy (APPA)” dhe do të trajtohet tema “Prezantimi i gjetjeve nga monitorimi i qeverise për vitin 2015 dhe  6 mujorin e parë të vitit 2016”.

Në datën 4 nëntor, ora 10.00-12.00 do të zhvillohet prezantimi i Raportit final të Peer Review (rrishikim mes kolegesh) lidhur me “Pavarësinë e SAI-t” realizuar nga Gjykata Austriake e Auditimit.
Gjithashtu gjatë kësaj javë do të realizohet edhe workshop-i mbi auditimin e Performances të realizuar nga KLSH “Rehabilitimi i ish- të përndjekurve politikë në periudhën e tranzicionit”, leksione në Universitete të ndryshme të vendit, etj.

Orari i vizitave në KLSH gjatë gjithë Javës së Hapur për Qytetaret do të jetë:

08.00-16.00 dhe

18.00-20.00

(përfshirë edhe ditën e shtunë dhe të djelë, datë 29 dhe 30 tetor 2016).