Njoftime

Profesori i shquar amerikan Sang M. Lee leksion me audituesit e KLSH-së

30.10.2016

Më datë 28 tetor 2016, në sallën e Akademisë së Shkencave, profesori i shquar amerikan, Sang M. Lee, University Eminent Scholar dhe Regents Distinguished University Professor Emeritus,  i Universitetit të Nebraskës-Lincoln, i cili erdhi në Shqipëri për një vizitë disaditore, zhvilloi një leksion me temë “Inovacioni, si mjet për krijimin e një shoqërie efiçiente në Epokën Dixhitiale”, në kuadër të çeljes së Javës së Hapur për Qytetarët nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

 

lee san 1 lee san 3

 

Në këtë aktivitet morën pjesë Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj, Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Prof. Dr Dhori Kule, Prof. Dr. Sazan Guri, Prof. Dr. Kozeta Sevrani, si dhe audituesit e KLSH-së.

Zhvillimit të leksionit i parapriu një ceremoni nderimi nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i cili i akordoi Prof. Sang M. Lee Medaljen “Për Merita të Veçanta Civile” me motivacionin: “Për kontributin e vyer dhënë në fushën e shkencës dhe në atë akademike; në vlerësim të ndihmesës së çmuar për ristrukturimin e Universitetit të Tiranës, si dhe për institucionalizimin e konsolidimin e ekonomisë së tregut sipas standardeve më të përparuara bashkëkohore”.

Ditë e enjte më datë 27 tetor 2016, me ftesë të Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta, Profesor Lee ndoqi punimet e Kuvendit në seancë plenare.

Të premten ai u prit nga Kryetari i Akademisë së Shkencave, Akademik Myzafer Korkuti dhe personalitete të tjera të shquara të shkencës shqiptare, si Prof. Shaban Sinani, Prof. Vaso Tole, etj. Akademik Korkuti vlerësoi kontributin e dhënë nga Prof. Lee gjatë viteve për Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, Programin e parë Master në Shqipëri dhe për shkencën e menaxhimit, si dhe u shpreh i gatshëm të bashkëpunojë me Universitetin e Nebraskës-Linkoln.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj, u shpreh se çelja e Javës e Hapur në Kontrollin e Lartë të Shtetit me leksionin e Profesor Lee vjen si dëshmi e transparencës dhe llogaridhënies së KLSH, nga auditorët universitare e deri tek ambientet e punës. Duke e vlerësuar personalitetin e tij si një erudit i përmasave botërore, Kreu i KLSH-së nënvizoi se Dr. Lee është një ekspert i njohur ndërkombëtarisht në fushën e shkencave të vendim-marrjes, në menaxhimin e produktivitetit, në inovacionin e veprimeve dhe në strategjinë globale. “Puna e tij prej pionieri në Programimin e Qëllimit për Vendimmarrjen Objektive të Shumëfishtë është e njohur gjerësisht në të gjithë botën. Kohët e fundit, hulumtimet e tij në ekonomitë në tranzicion, në zhvillimin e organizatave të klasit botëror, në disiplinën shkencore të Convergenomics-it dhe në inovacionin e hapur janë botuar gjerësisht. Ai është autor ose bashkë-autor i 70 librave deri në muajin tetor 2016, një pjesë e mirë e të cilëve ka njohur ribotime të shumta”, u shpreh kreu i KLSH-së.

Më tej, Kryetari Leskaj theksoi se në plejadën e angazhimeve botërore të profesor Lee, një vend të veçantë zë Shqipëria, duke dhënë një kontribut madhor në zhvillimin e mendimit shkencor ekonomik shqiptar. “ Në vitin 1996, me inisiativën personale të Prof. Lee dhe me ndihmën e programeve të USAID, Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë startoi Programin e parë Master në Shqipëri, në bashkëpunim me Universitetin e Nebraskës-Lincoln. Fillimisht lëndët e Masterit për Administrim Biznes jepeshin në gjuhën angleze nga profesorë amerikanë dhe shqiptarë, pastaj programi u dha krejtësisht në gjuhën shqipe. Me kontributin personal të Profesorit gjatë më shumë se një dekade janë trajnuar, specializuar dhe laureuar pranë Universitetit të Nebraskës me qindra studiues, përfaqësues nga profesorati dhe studentë shqiptarë. Kam patur fatin të specializohem edhe unë pranë këtij universiteti të njohur në botë dhe të ndjej nga afër mikpritjen dhe interesimin e jashtëzakonshëm të një personaliteti si Prof. Lee”, nënvizoi z.Leskaj.

lee san 2

Në përfundim të fjalës së tij, Kryetari i KLSH-së theksoi se Profesor Sang M. Lee është një mik i shtrenjtë  i Shqipërisë, i profesoratit dhe studentëve shqiptarë në fushën e shkencave ekonomike dhe. Në dekadat e fundit, mund të thuhet pa hezitim se Prof. Sang M. Lee është personaliteti ndërkombëtar që ka i dhënë më shumë shkencës dhe kërkimit të aplikuar shqiptar në fushën e ekonomisë dhe menaxhimit.

Nga ana e tij, Profesori Lee fillimisht shprehu falënderimin për nderimin e bërë nga Presidenti Bujar Nishani duke u theksuar se ndonëse ka vizituar shumë vende të botës, me Shqipërinë ka një marrëdhënie të veçantë.

Leksioni i Profesorit të shquar amerikan kishte në fokus disiplinën shkencore të Convergenomics-it dhe inovacionin. Dr. Lee solli në vëmendjen e pjesëmarrësve etapat e zhvillimit njerëzor: revolucionin bujqësor, atë industrial me automatizimin e punës së dorës, revolucionin informativ dhe së fundi revolucionin që ai e quajti të konvergjencës me optimizimin dhe shtimin e punës mendore dhe të dijeve. Në mënyrë analoge, shoqëria njerëzore ka kaluar nga një shoqëri agrare, në një shoqëri industriale, shoqëri informatike dhe tani sfida e saj është të kthehet në një shoqëri të dijeve.

Prof. Lee trajtoi raportin e inovacionit me historinë dhe zhvillimin e njerëzimit, duke e parë të parin në funksion të përgjigjes së pyetjes: si të jemi me efiçientë në atë që bëjmë? Ai dha edhe etapat e zhvillimit të vetë inovacionit, për të ardhur sot në trajtën e tij dixhitale, në epokën e njohurive dhe të dinamikës së konvergjencës. 90 përqind e njohurive që disponon shoqëria njerëzore sot është krijuar në 10 vitet e fundit.

Pajisjet e ndërlikuara, makinat që ecin vetë, sensorët që shikojnë majtas/djathtas, para/prapa dhe inteligjenca artificiale po ndryshojnë jetën tonë.

Mesazhi qëndror i leksionit, ndoshta edhe risia dhe investimi themelor i jetës dhe veprës së Profesorit të shquar dhe të njohur në mbarë botën Sang M. Lee, ishte  teza e përqëndrimit të informacionit për të krijuar një shoqëri të zgjuar, duke zëvendësuar “të mundshmen”me “mundësinë”, duke gjetur zgjidhje inteligjente  për te adresuar pabarazitë shoqërore, si pabarazia dhe ndarja ekonomike, ndarja dixhitale dhe ndarja e qëllimeve. Sipas Lee, inovacioni duhet të vihet tërësisht në shërbim të rritjes së GDP-së, Produktivitetit, Vendeve të Reja të Punës dhe Të Ardhurave. E gjitha kjo skemë gjendet e trajtuar imtësisht në disiplinën e re shkencore  të Convergenomics-it, të krijuar nga Profesori, dhe në inovacionin e hapur. Dr. Lee ngriti pyetjen: a do të jetë Procesi i Inovacionit Dixhital eskluziv? Ai i kategorizoi fazat e inovacionit si (a) interneti; (b) interneti i gjërave; (c) interneti i makinave që mendojnë dhe (d) interneti i trurit, për të kaluar në inteligjencën artificiale dhe makinat që marrin informacionin direkt nga truri i njeriut.

Profesori i shquar ngriti problemin si të përdorim inovacionin që të kemi një shtet më krijues, që të krijojë vende të reja pune. Teza e Prof. Lee është që teknologjia krijon vende të reja pune, dhe jo nuk i shkatërron ato. Beteja për vendet e reja të punës është Lufta e Tretë Botërore! Më tej, ai analizoi zhvillimin e teknologjisë në raport me krijimin e vendeve të reja të punës, duke prezantuar kategoritë e reja dhe premtuese të vendeve të punës, të lidhura me aplikimet e reja të inxhinierisë, matematikës, kurseve masive online, kujdesit personal, metodave të reja mjekësore, etj. 

Profesor Sang M. Lee prezantoi shifrat globale impresionuese të ndarjes ekonomike(p.sh. 80 njerëzit më të pasur të botës kanë sa 3.4 miliardë banorët më të varfër), të ndarjes dixhitale (p,sh.  4 miliard njerëz kanë internet, kurse 3.3 miliardë nuk kanë), apo të ndarjes së qëllimeve (me konfliktet në Lindjen e Mesme, terrorizmi-shteti islamik, konfliktet raciale, të pabarazisë gjinore, etj.).
“Problemi kryesor sot, sfida me të cilën përballemi është ndarja e objektivave”, theksoi ai. 47 përqind e punëve do të automatizohet. Sfida është të rekrutosh persona të talentuar. Gjithshka do të mbështetet në katërkëndëshin “STEM”(Shkence-Teknologji-Inxhinieri-Matematikë).

Indeksi i mirëqënies varet nga :
1) Qëllimi –të pëlqen puna që bën
2) Marrëdhëniet – relatat me kolegët
3) Siguria Financiare dhe jeta në një komunitet të mirë
4) Gjendja Fizike- të jemi të shëndetshëm.

Sipas Lee, njerëzit që mësojnë çdo ditë gjëra të reja nuk mplaken kurrë. “Shqiptarët janë shumë krijues”, u shpreh Profesori. “Duhet të kërkojmë të kemi një qeveri të zgjuar, e cila ndihmon krijimin e shoqërisë së zgjuar”, cilësoi Profesori i shquar, duke shpalosur kërkesat e sistemit dhe kërkesat e kulturës dhe mendësisë, për të realizuar shoqërinë e zgjuar në epokën dixhitale. Duhet të kemi po ashtu drejtësi sociale dhe llogaridhënie (nëse thua diçka duhet ta mbash: përgjegjësi për atë që ke thënë). Inovacion do të thotë IDE. Sipas Prof. Lee, qeveria nuk duhet ta shikojë veten si ligjvënëse, edhe pse ajo qëndron prapa shumicës së projekt-ligjeve, por si shërbestare e qytetarëve. Njerëzit kanë nevojë të shërbehen, jo të drejtohen. 

Shënim: Për jetën dhe veprën e Prof. Sang M. Lee foli edhe Kryetari i KLSH-së, z. Bujar Leskaj.

Kjo fjalë që gjendet bashkëlidhur, është botuar si shkrim në gazetën Panorama dt. 30.10.2016

Jetë e pastër, Krijuesi i disiplinës shkencore të Convergenomics