Njoftime

  1. Home

  2. Informacione

  3. Njoftime

KLSH zhvillon takim me përfaqësues të Sekretariatit të Grupit të Punës së EUROSAI për Auditimet e Mjedisit

02.11.2016

Në kuadër të bashkëpunimit me Institucionet Supreme të Bashkimit Evropian në datën 1 nëntor  2016, Sekretari i Përgjithshëm i KLSH, znj. Luljeta Nano, Drejtori i Drejtorisë së Komunikimit Botimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë, znj. Irena Islami dhe Specialiste në Drejtorinë e Komunikimit, Botimit dhe marrëdhënieve me jashtë, znj. Alma Shehu, organizuan një takim pune me Drejtuesen e Sekretariatit të Grupit të Punës së EUROSAI për Auditimet e Mjedisit (WGEA) , Znj. Tuuli Rasso dhe këshilltaren e Sekretariatit, znj. Krislin Kivi.

Ky takim u zhvillua në kuadër të përgatitjeve për organizimin nga KLSH në bashkëpunim me Sekretariatin e WGEA të takimit të 15-të të këtij grupi pune  në tetor të vitit 2017. Në takimin vjetor të WGEA-s shtetet anëtare dhe të ftuar nga komuniteti i INTOSAI do të diskutojnë rreth praktikave më të mira në fushën e auditimit të mjedisit, rreth vështirësive të hasura gjatë auditimeve dhe rreth zgjidhjeve për kapërcimin e këtyre vështirësive.

Grupi i Punës së EUROSAI për Auditimet e Mjedisit është krijuar në Kongresin e 4-të të EUROSAI-t të zhvilluar në Paris në bitin 1999. Anëtarë të këtij grupi pune janë institucionet supreme të auditimit të 42 vendeve. Nëpërmjet aktiviteteve WGEA synon të promovojë frymën e bashkëpunimit në bazë të integritetit, komunikimit të hapur  dhe përsosmërisë profesionale.

Në kuadër të përmbushjes së objektivave të Strategjisë  dhe Planit të Veprimit 2015-2017 WGEA e EUROSAI-t  i inkurajon SAI-et anëtare të përmbushin katër objektivat e mëposhtme:  
Inicimin e auditimeve të përbashkëta dhe paralele mjedisore;
Inicimin e auditimeve në zonat ku politika mund të ndikojë negativisht  në arritjen e objektivave mjedisore, të cilat rrjedhimisht ndikojnë në shëndetin e qytetarëve  dhe në ekosistemet;

Rritjen e kontributit në zhvillimin e metodologjive për kryerjen e auditimeve në fushën e mjedisit;
Nxitjen e bashkëpunimit me Grupin e Punës të INTOSAI-t për Auditinet e Mjedisit dhe organizata të tjera të cilat kanë në qendër të punës së tyre çështjet mjedisore.

Kontrolli i Lartë i Shtetit është anëtar aktiv i këtij grupi pune nëpërmjet kryerjes së auditimeve paralele dhe në bashkëpunim, ku mund të përmendet kryerja gjatë vitit 2015 e auditimit paralel për Eficiencën e Energjisë. Auditimi u krye nën mbikëqyrjen e përfaqësuesve të Gjykatës Evropiane të Audituesve dhe në të u përfshinë institucionet e  auditimi të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë.  Gjatë vitit 2016 KLSH në bashkëpunim me 15 anëtarë të WGEA së EUROSAI-t është angazhuar në kryerjen e auditimit për cilësinë e ajrit .

Në vitin 2017 KLSH do të jetë pjesë e grupit që do të kryej auditimin paralel për parqet detare në rajonin e Mesdheut.