Njoftime

  1. Home

  2. Informacione

  3. Njoftime

KLSH zhvillon takim me përfaqësues të Sekretariatit të Grupit të Punës së EUROSAI për Auditimet e Mjedisit

02.11.2016

Në kuadër të bashkëpunimit me Institucionet Supreme të Bashkimit Evropian në datën 1 nëntor  2016, Sekretari i Përgjithshëm i KLSH, znj. Luljeta Nano, Drejtori i Drejtorisë së Komunikimit Botimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë, znj. Irena Islami dhe Specialiste në Drejtorinë e Komunikimit, Botimit dhe marrëdhënieve me jashtë, znj. Alma Shehu, organizuan një takim pune me Drejtuesen e Sekretariatit të Grupit të Punës së EUROSAI për Auditimet e Mjedisit (WGEA) , Znj. Tuuli Rasso dhe këshilltaren e Sekretariatit, znj. Krislin Kivi.

Ky takim u zhvillua në kuadër të përgatitjeve për organizimin nga KLSH në bashkëpunim me Sekretariatin e WGEA të takimit të 15-të të këtij grupi pune  në tetor të vitit 2017. Në takimin vjetor të WGEA-s shtetet anëtare dhe të ftuar nga komuniteti i INTOSAI do të diskutojnë rreth praktikave më të mira në fushën e auditimit të mjedisit, rreth vështirësive të hasura gjatë auditimeve dhe rreth zgjidhjeve për kapërcimin e këtyre vështirësive.

Grupi i Punës së EUROSAI për Auditimet e Mjedisit është krijuar në Kongresin e 4-të të EUROSAI-t të zhvilluar në Paris në bitin 1999. Anëtarë të këtij grupi pune janë institucionet supreme të auditimit të 42 vendeve. Nëpërmjet aktiviteteve WGEA synon të promovojë frymën e bashkëpunimit në bazë të integritetit, komunikimit të hapur  dhe përsosmërisë profesionale.

Në kuadër të përmbushjes së objektivave të Strategjisë  dhe Planit të Veprimit 2015-2017 WGEA e EUROSAI-t  i inkurajon SAI-et anëtare të përmbushin katër objektivat e mëposhtme:  
Inicimin e auditimeve të përbashkëta dhe paralele mjedisore;
Inicimin e auditimeve në zonat ku politika mund të ndikojë negativisht  në arritjen e objektivave mjedisore, të cilat rrjedhimisht ndikojnë në shëndetin e qytetarëve  dhe në ekosistemet;

Rritjen e kontributit në zhvillimin e metodologjive për kryerjen e auditimeve në fushën e mjedisit;
Nxitjen e bashkëpunimit me Grupin e Punës të INTOSAI-t për Auditinet e Mjedisit dhe organizata të tjera të cilat kanë në qendër të punës së tyre çështjet mjedisore.

Kontrolli i Lartë i Shtetit është anëtar aktiv i këtij grupi pune nëpërmjet kryerjes së auditimeve paralele dhe në bashkëpunim, ku mund të përmendet kryerja gjatë vitit 2015 e auditimit paralel për Eficiencën e Energjisë. Auditimi u krye nën mbikëqyrjen e përfaqësuesve të Gjykatës Evropiane të Audituesve dhe në të u përfshinë institucionet e  auditimi të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë.  Gjatë vitit 2016 KLSH në bashkëpunim me 15 anëtarë të WGEA së EUROSAI-t është angazhuar në kryerjen e auditimit për cilësinë e ajrit .

Në vitin 2017 KLSH do të jetë pjesë e grupit që do të kryej auditimin paralel për parqet detare në rajonin e Mesdheut.

Një grup audituesish të KLSH-së zhvilluan një vizitë studimore në Poloni

03.11.2016

Nga data 24-28 Tetor 2016, një grup audituesish të KLSH-së zhvilluan një vizitë studimore në Poloni mbi forcimin e kapaciteteve të auditimit të jashtëm dhe zgjidhjet polake për të luftuar korrupsionin dhe mashtrimin. Kjo vizitë është pjesë e projektit të binjakëzimit, i cili me vendim të Komisionit Evropian po implementohet në KLSH nga SAI i Polonisë në bashkëpunim me SAI-n e Kroacisë.

Në ditën e parë të punimeve, audituesve i uroi mirëseardhjen zv/Presidenti i NIK, z. Wojciech Kutyla, i cili theksoi bashkëpunimin e suksesshëm midis NIK-ut  të Polonisë dhe KLSH-së.

Presidenti i NIK z. Krzysztof  Kwiatkowski përshëndeti audituesit, duke theksuar rolin e institucioneve supreme të auditimit në eliminimin e fenomeneve  që nuk funksionojnë  në administratën publike. Ai theksoi se lufta efektive kundër korrupsionit është e mundur nëse do të ketë një bashkëpunim të mirë ndërmjet aktorëve të angazhuar për ta kryer atë.

Referimet në këtë vizitë u hapën nga z. Zbyslaw Dobrowolski, Drejtor i Degës Rajonale të Zielna Gora, i cili bëri një prezantim të Strategjisë Qeveritare Antikorrupsion, duke theksuar rolin e përcaktuar të NIK në këtë strategji, në bashkëpunim me strukturat e tjera antikorrupsion, si dhe rezultatet e arritura nga zbatimi i kësaj strategjie. Gjithashtu z. Dobrowolski bëri prezantimin e sistemit të menaxhimit të kontrollit në Poloni dhe rolin e tij në luftën kundër korrupsionit.

Në referimin e tij z. Jacek Koscielniak, Këshilltar i Presidentit të NIK, identifikoi parregullsitë e rëndësishme të zbuluara nga audituesit e NIK-ut, duke paraqitur edhe rezultatet e këtyre auditimeve.

Gjatë kësaj dite referoi edhe përfaqësuesi i Ministrisë së Brendshme dhe Administratës mbi Strategjinë Qeveritare Antikorrupsion 2014-2019 dhe rolin e kësaj ministrie si koordinatori i strategjisë.
Në ditën e dytë, grupi i audituesve u takua me përfaqësues të Byrosë Qendrore të Hetimit dhe të Policisë Kombëtare, të cilët referuan për aktivitetin antikorrupsion dhe kundër mashtrimit të këtyre institucioneve dhe rolin e tyre në implementimin e Strategjisë Qeveritare Antikorrupsion.

Në po këtë ditë, grupi i audituesve të KLSH-së bëri dy vizita të rëndësishme, në zyrat e Kryeministrisë dhe të Ministrinë e Financave. Në Kryeministri, u prit nga përfaqësuesja e Kryeministres znj. Malgorzata Sokoloëska, Drejtore e Kontrollit në Administratën Shtetërore, e cila referoi mbi organizimin e kontrollit të brendshëm në administratën publike dhe qeveritare, ndërsa në Ministrinë e Financave, nga përfaqësues të kësaj ministrie u referua mbi sistemin e kontrollit për pastrimin e parave.

Dita e tretë e kësaj vizite, u karakterizua nga një debat interaktiv me ekspertët e Byrosë Qendrore Antikorrupsion, lidhur me trajtimin e rasteve të korrupsionit në administratën publike, mënyrën e trajtimit të tyre nga kjo njësi, bashkëpunimi i saj me NIK-un e Polonisë, si dhe gjetjet e konstatuara nga audituesit e KLSH-së.

Dita e katërt dhe e pestë e kësaj vizite u zhvilluan në Degën Rajonale të NIK-ut në Zielona Gora. Në këto ditë referuan përfaqësuesit e Rajonit të Policisë së Distriktit të Zielina Gora, mbi rolin e policisë në mbrojtje të interesave ekonomike të shtetit, përfaqësues të Dhomës Rajonale të Llogarive, mbi rolin e këtij institucioni në sigurimin e menaxhimit financiar nga qeverisja vendore, profesori i Fakultetit Juridik të Zielona Gora Boguslaw Banazak, mbi korrupsionin në jetën publike, përfaqësues të Bashkisë, mbi menaxhimin e sistemit të kontrollit si mjet për të luftuar parregullsitë në qeverisjen vendore, përfaqësues të Zyrës së Taksave, mbi mbrojtjen e interesave ekonomike të Shtetit, parandalimin dhe identifikimin e parregullsive në administratën publike, si dhe profesorë të universiteteve publike, mbi rolin e universiteteve dhe të OJQ-ve në luftën kundër korrupsionit.

Ditët e vizitës studimore, përfshinë shkëmbimin e eksperiencës dhe praktikave më të mira  midis institucioneve të Polonisë të përfshira në luftën antikorrupsion dhe KLSH-së, si pjesë e programit të binjakëzimit të financuar nga BE.

Në këtë vizitë studimore merrnin pjesë 20 nëpunës të KLSH-së, ku në përbërje kishte Drejtor Departamenti Auditimi, Kryeauditues, si dhe Auditues me një eksperiencë pune të konsiderueshme dhe auditues të rinj, duke u nisur nga vjetërsia në punë në këtë institucion. Duke gjykuar në këtë mënyrë, ky shkëmbim eksperience do ti shërbejë institucionit si në të tashmen ashtu dhe në të ardhmen. 

poloniviz1

poloniviz2

poloniviz3

poloniviz4

poloniviz5

Audituesit e KLSH-së që morën pjesë në këtë vizitë studimore :
Z. Ermal Yzeiraj   Z. Alush Zaçe
Z. Selfo Zeneli   Z. Muhamed Kavaja
Z. Fatmir Zilja   Z. Bajram Lamaj
Z. Artan Topjana   Z. Luan Kuka
Z. Agron Opari   Z. Altin Dinaj
Z. Benet Koka   Z. Anesti Gjika
Z. Andi Buzo   Z. Emiliano Doko
Z. Flavio Xhuveli   Z. Erion Muho
Znj. Jorida Zhegu   Z. Besmir Pajaj
Z. Albert Meçaj   Z. Engjëll Musai, Ekspert i jashtëm