Njoftime

KLSH merr pjesë në konferencën me temë “Zhvillimi i marrëdhënieve SAI-Parlament”

10.11.2016

Më datën 8-9 nëntor në Ankara të Turqisë u zhvillua Konferenca e Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve kandidate dhe vendeve të ardhshme kandidate dhe Gjykatës Europiane të Audituesve (ECA) me temë “Zhvillimi i marrëdhënieve efektive ndërmjet Institucioneve Supreme të Auditimit dhe Parlamenteve”, organizuar nga SIGMA në bashkëpunim me Gjykatën e Llogarive të Turqisë. Në konferencë morën pjesë SAI-et e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Turqisë, Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë, Malit të Zi, Letonisë si dhe përfaqësues të Gjykatës Europiane të Audituesve, DG Budged dhe SIGMA-s.

sai-081116-2

Pjesëmarrja reflektoi qëllimin e temës së përzgjedhur ku të ftuar ishin përfaqësues të SAI-ve dhe Parlamenteve të vendeve kandidate dhe potencialisht kandidate të BE-së, duke u shndërruar kështu në një forum mes parlamentarësh dhe komunitetit të audituesve të Rrjetit. KLSH u përfaqësua nga një delegacion i kryesuar nga Kryetari z. Bujar Leskaj, ndërsa Parlamenti nga deputeti Ervin Koçi, anëtar i Komisionit për Ekonominë dhe Financat.
Kjo konferencë e nivelit të lartë të këtyre SAI-ve kishte si objektiv miratimin e manualit të hartuar mbi marrëdhëniet ndërmjet SAI-ve dhe Parlamentit, i cili u hartua me kontributin e Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve kandidate dhe vendeve potencialisht kandidate dhe Gjykatës Europiane të Audituesve, një grup i njohur si Rrjeti.

Objektivi kryesor i këtij materiali udhëzues është të paraqesë një pasqyrë të praktikave nga vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe SAI-ve të vendeve pjesëmarrës, që do të kontribuojë për të bërë të mundur identifikimin e përmirësimeve të mundshme në marrëdhëniet SAI-Parlament, si dhe të japë shembuj të praktikave të mira, ku SAI-t mund të përfitojnë nga përvojat e vendeve të tjera të këtij Rrjeti si dhe nga përvojat e SAI-ve të vendeve anëtare të BE-së.
Hartimi i këtij materiali kërkoi marrjen e të dhënave jo vetëm nga SAI-t e përfshirë në këtë Rrjet, por edhe sidomos nga SAI-t të Shteteve Anëtare të BE-së. Për të minimizuar humbjen e kohës dhe që krahasimet të mund të ishin të drejtpërdrejta, materiali është  bazuar në përgjigjet e dhëna për pyetësorin që iu dërgua SAI-ve të Komitetit të Kontaktit dhe Rrjetit.
Konferenca çeli punimet me fjalën përshëndetëse të kreut të Gjykatës së Llogarive të Turqisë, z.Seit Ahmet Bash, i cili vuri theksin tek rëndësia e SAI-t si një agjent i parlamentit: “Kompetenca e Parlamentit është miratimi i buxhetit, ndërsa e qeverisë është ekzekutimi. Parlamenti mund të sigurojë llogaridhënien e qeverisë nëpërmjet Institucionit Suprem të Auditimit. Jemi ne si SAI që i ofrojmë Parlamentit mjetin që qeveria të jetë llogaridhënëse për ekzekutimin e buxhetit”.

Për forcimin e marrëdhënieve SAI-Parlament, z.Bash vuri theksin tek forma e komunikimit dhe se raportet e auditimit duhet të jenë të kuptueshëm për deputetët, me një stilistikë koncize, larg teknikaliteteve pa humbur thelbin e përmbajtjes.
Fjala përshëndetëse e z.Bash u pasua nga fjala e Znj.Iliana Ivanova, anëtare e Gjykatës Europiane të Audituesve. Znj. Ivanova e konsideroi marrëdhënien SAI-Parlament si një duet që realizon llogaridhënien e qeverisë para qytetarëve. “Sfidat me të cilat përballemi sot si kriza e refugjatëve dhe kriza ekonomike na bëjnë të kuptojmë sesa e rëndësishme është llogaridhënia dhe transparenca. SAI ka një rol të rëndësishëm për të luajtur dhe nëpërmjet këtij institucioni, Parlamenti dhe qytetarët informohen mbi mënyrën sesi janë shpenzuar paratë publike”. Duke folur edhe nga këndvështrimi si ish-deputete e PE-së, znj. Ivanova  tha se Parlamenti nuk i ka burimet për të realizuar llogaridhënien. “Pikërisht SAI shfaqet si agjent, informues i publikut që me raportet ballafaqon qeverinë me Parlamentin dhe qytetarët”.
Drejtuesja e Programit SIGMA, znj.Karen Hill, duke përshëndetur përfaqësuesit e SAI-ve dhe Parlamenteve, bëri një konspekt të historikut që çoi në organizimin e kësaj  konference dhe miratimit të një manuali me standardet dhe praktikat më të mira për të forcuar marrëdhëniet mes SAI-t dhe Parlamentit. “Në konferencën rajonale të zhvilluar në Budva të Malit të Zi, në nëntor 2013 mbi marrëdhëniet mes SAI-ve dhe parlamenteve, Rrjeti i SAI-ve të vendeve kandidate dhe potencialisht kandidate dhe Gjykata Europiane e Audituesve (Rrjeti) ka njohur si një prioritet të përbashkët rritjen e impaktit të SAI-t, veçanërisht në bashkëpunim me Parlamentin. Rrjeti vendosi të zhvillonte një manual që mund të ndihmonte në identifikimin e mundësive për të forcuar bashkëpunimin me përfitim të ndërsjellët mes SAI-ve dhe Parlamenteve”, u shpreh Znj.Hill, duke shtuar se “konferenca do t’u ofrojë SAI-ve një mundësi për të diskutuar me parlamentarët dhe SAI-t e BE-së, si Gjykata Europiane e Audituesve, mbi praktikat e mira për të identifikuar hapat e ardhshme që mund të merren për të harlisur marrëdhënien SAI-Parlament”.

Pas fjalëve përshëndetëse, konferenca vijoi punimet nëpërmjet paneleve të diskutimit, ku mori pjesë edhe KLSH. Në prezantimin e marrëdhënieve që KLSH ka me Parlamentin, në veçanti me Komisionin për Ekonominë dhe Financat, Audituesi i Lartë, z.Sali Agaj vuri në dukje marrëdhëniet e mira që ka KLSH me Parlamentin dhe Komisionin e Ekonomisë dhe të Financave, me Kryetarin e Parlamentit dhe gjithashtu me Kryetarin e Komisionit të Ekonomisë dhe të Financave. Në vazhdën e diskutimit trajtoi kontributin Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave në miratimin e ligjit të ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit, një ligj që inkorporoi standardet e INTOSAI-t në auditimin e jashtëm në Shqipëri dhe që përforcoi pavarësinë e institucionit. Gjithashtu theksoi se prezenca e deputetit Ervin Koçi në këtë konferencë, së bashku me delegacionin e KLSH-së, është një dëshmi e marrëdhënieve të mira që ekzistojnë mes Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Komisionit për Ekonominë dhe Financat.
Në përgjigje të pyetjes së SIGMA-s sesi ky manual do të ndihmojë përforcimin e këtyre marrëdhënieve, z.Agaj theksoi se manuali do të ndihmojë KLSH- në zhvillimin e marrëdhënieve më të qarta dhe konkrete me Parlamentin, në drejtim të rritjes së transparencës, llogaridhënies dhe mirëqeverisjes. “Ky material do ta ndihmojë KLSH në drejtim të gjetjes së rrugëve të reja të bashkëpunimit me Parlamentin që do të rrisnin efektivitetin e rezultateve të auditimit të jashtëm”. Më tej, informoi pjesëmarrësit se Kuvendi i Shqipërisë në rezolutën e miratuar së fundmi mbi Raportin e Performancës së KLSH-së për vitin 2015, ndërmjet të tjerave rekomandohet krijimi i një nënkomisioni parlamentar brenda Komisionit parlamentar ekzistues të Ekonomisë dhe Financave, për monitorimin e aktivitetit dhe zbatimin e rekomandimeve të KLSH-së. “Shqyrtimi i konkluzioneve dhe rekomandimeve të auditimeve të KLSH-së nga ky nënkomision, do ta rrisë autoritetin e tij në raport me organet ekzekutive si dhe padyshim do të ndikojë pozitivisht jo vetëm në drejtim të zbatimit të rekomandimeve, por edhe të cilësisë së punës së KLSH-së. Po kështu edhe media do t’i japë më shumë hapësirë zbulimeve, konkluzioneve dhe rekomandimeve të auditimeve të KLSH-së, duke ndikuar në informimin e drejtë të taksapaguesve rreth administrimit të fondeve publike nga Ekzekutivi”. Në këtë rezolutë gjithashtu vlerësohen edhe auditimet e performancës së ushtruara nga KLSH dhe u kërkohet subjekteve të audituara të zbatojnë rekomandimet e lëna nga KLSH në këto auditime. Pjesëmarrësit u njohën shkurtimisht me ecurinë e auditimeve të performancës si histori suksesi në vitet e fundit në KLSH.

Së fundi u theksua se ky material do ta ndihmojë KLSH-në në drejtim të gjetjes së rrugëve të reja të bashkëpunimit me Parlamentin që do të rrisnin efektivitetin e rezultateve të auditimit të jashtëm, në konsolidimin e reputacionit të KLSH-së si një organ profesional, jashtë influencës së politikës, me besueshmëri të lartë publike dhe rol vendimtar në zvogëlimin e korrupsionit në Shqipëri.
Por, si mund të përfitojnë Parlamentet nga puna e SAI-t? - ishte kjo pyetja që shtroi Prof. Dr. Klaus Goetz, ekspert i SIGMA-s. Prezantimi i z.Goetz theksoi domosdoshmërinë për përfshirjen e SAI-ve në ciklin buxhetor. Profesori i shquar nënvizoi se Parlamenti duhet të shohë tek një SAI- një këshilltar për politikat buxhetore, duke vënë në dukje evoluimin e SAI-t nga një institucion i auditimit ex-post në një institucion këshillimor ex-ante.  Z.Goetz solli shembullin e Gjermanisë, ku Parlamenti, para miratimit të një legjislacioni, kërkon një opinion këshillimor nga SAI. Një gjë e tillë u kërkua në adoptimin e ligjit mbi Modernizimin e Taksimit.

Eksperienca e pasur e marrëdhënieve të Gjykatës Europiane të Audituesve(ECA) me Parlamentin Europian, një punim i z.Tony Murphy, Shef i Zyrës së znj.Ivanova, Kryetares së Dhomës II, u prezantua z. Jan Pieter Lingen, eksperti i SIGMA-s. Z.Lingen bëri një rezyme të marrëdhënieve e ECA-s me Komisionin për Kontrollin e Buxhetit të PE-së, por edhe me komisionet e tjera, duke asistuar kështu Parlamentin Europian dhe Këshillin e Ministrave në procedurën e shqyrtimit të buxhetit të BE-së. “Sfidë për ECA-n mbetet forcimi i marrëdhënieve me komisionet kombëtare dhe rajonale në Parlamentet e  shteteve anëtarë”, përfundoi z. Jan Pieter Lingen.
Konferenca i vijoi punimet përmes një paneli me auditues e deputetë, të cilët shkëmbyen idetë dhe propozimet e tyre mbi mënyrat sesi mund të avancohet marrëdhënia SAI-Parlament. Ky panel, me një prezencë të ndërthurur mes përfaqësuesi të një SAI dhe të një Parlamenti, përcolli mesazhin qendror të konferencës se SAI dhe Parlamenti janë përplotësues të njëri-tjetrit.
Përfaqësuesi i Komisionit Europian, z.Raymond Hill, duke përshëndetur bisedimet produktiveve që nxiti Konferenca theksoi se marrëdhëniet SAI-Parlament kanë një rëndësi madhore në menaxhimin e financave publike, për të siguruar që ato janë përdorur me efiçiencë, efikasitet dhe ekonomicitet. Z.Hill theksoi se zhvillimi i kësaj marrëdhënieje do të përfshihet në negociatat për integrim mes BE-së dhe vendeve kandidate.
Punimet e Ditës së parë u mbyllën me një fjalë të shkurtër falënderimi nga kreu i Gjykatës Turke të Llogarive, z.Seit Ahmet Bash dhe drejtuesja e SIGMA-s, Karen Hill, të cilët falënderuan të pranishmit për pjesëmarrjen aktive dhe për kontributin që dhanë në hartimin e manualit mbi marrëdhëniet SAI-Parlament.

Dita e dytë e Konferencës kishte në fokus të diskutimit marrëdhëniet SAI-Parlament në rrafshin e zbatimit të rekomandimeve. Punimet u çelën me prezantimin e znj. Zita Zariņa, anëtare e këshillit të SAI-t të Letonisë. Znj. Zarini i njohu pjesëmarrësit me eksperiencën e Letonisë veçanërisht mbi kalendarin e raportimit të SAI Letonez në takime të koordinuara me komisionet parlamentare dhe përgjegjësinë e komisioneve për të ndjekur  zbatimin e rekomandimeve.
Prezantimi i znj. Zarini u pasua me ngritjen e një paneli me auditues e parlamentarë për të diskutuar mbi mënyrat e arritjes së një shkallë të lartë të zbatimit të rekomandimeve. Diskutimi i fokusua mbi atë se SAI-t nuk janë të përgjegjësit e vetëm për ndjekjen e rekomandimeve. Parlamenti, si hallkë e rëndësishme e “trekëndëshit” të llogaridhënies, luan një rol të rëndësishëm në amplifikimin e zbatimit të rekomandimeve duke rritur llogaridhënien e qeverisë përmes shfrytëzimit të mekanizmave të tillë si komisionet apo interpelancat.
Panelistët ritheksuan se puna e një SAI është punë integrale e vetë Parlamentit, e parë kjo në këndvështrimin e formulës se “SAI është agjent i Parlamentit”. Si e tillë, ndjekja e rekomandimeve shtron detyra edhe për vetë Parlamentin dhe kësodore projektimi i rekomandimeve nga vetë Parlamenti  e adreson punën audituese kah transparaencës dhe llogaridhënies, duke përmirësuar kështu menaxhimin e fondeve publike të qytetarëve.
Manuali i hartuar për të ndihmuar Parlamentet dhe SAI-t në përmirësimin e marrëdhënieve u përfshi në sitën e një diskutimi nga Rrjeti si terësi dhe nga SAI-t individualisht. Secili SAI u ftua që të kontribuonte me ide dhe sugjerime mbi hapat që rrjeti apo vetë SAI-t mund të ndërmarrin në të ardhmen për të avancuar më tej marrëdhëniet SAI-Parlament.

sai-081116-4

Delegacioni i KLSH-së, duke e vlerësuar Manualin si një udhërrëfyes të rëndësishëm në përforcimin e marrëdhënieve me Parlamentin, në seancën e fundit të Konferencës propozoi që në aktivitetet e ardhshme të Rrjetit të Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve kandidate dhe vendeve të ardhshme kandidate të drejtuara nga SIGMA të shtjellohet tema mbi “Auditimet e përbashkëta dhe paralele ndërmjet SAI-ve të rajonit”, duke qenë se SAI-t tona ndajnë shumë çështje audituese të cilat kanë problematika të ngjashme dhe do të ndihmonte konkretisht në shkëmbimin e përvojave të mira ndërmjet tyre.

Konferenca u mbyll me fjalën e z.Seit Ahmet Bash i cili falënderoi SIGMA-n për kontributin e vyer që u jep SAI-ve të vendeve kandidate dhe potencialisht kandidate nëpërmjet konferencave, workshopeve dhe tryezave të rrumbullakëta. Z.Bash theksoi rëndësinë që kanë evente të tilla, të cilat sipas tij ndihmojnë jo vetëm në zhvillimin e SAI-ve, por ndihmojnë në forcimin e marrëdhënieve mes SAI-ve të vendeve të ndryshme, ku audituesit ndajnë eksperiencat me njëri tjetrin bazuar në moton e INTOSAI-t, “Experientia Mutua Omnibus Prodest”. Në përfundim të fjalës së tij, Kreu i Gjykatës Turke të Llogarive falënderoi të gjithë SAI-t pjesëmarrës për kontributin e tyre në hartimin e Manualit mbi zhvillimin e marrëdhënieve SAI-Parlament, i cili do të finalizohet në fillim të vitit 2017.

Delegacioni i KLSH-së, i kryesuar nga Kryetari Bujar Leskaj, përbëhej nga Drejtori i Auditimit të Brendshëm, z. Artur Hasanbelliu, Audituesi i Lartë, z. Sali Agaj, dhe audituesit, z. Alfonc Gabili, z.Redi Ametllari dhe znj.Nertila Dule.