Njoftime

Kryetari i KLSH-së Bujar Leskaj, takim me Presidentin e Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, z. Zühtü Arslan dhe anëtarin e Gjykatës, z.Recai Akyel

11.11.2016

Më 9 nëntor 2016, në ambientet e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Turqisë, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z.Bujar Leskaj, u prit në një takim nga Presidenti i Gjykatës, z. Zühtü Arslan dhe anëtari i Gjykatës, z.Recai Akyel, ish-president i Gjykatës Turke të Llogarive.

turqi viz1

Duke i uruar mirëseardhjen z.Leskaj, Presidenti i Gjykatës Kushtetuese, z. Arslan vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Gjykatës Turke të Llogarive (TCA) në veçanti dhe mes institucioneve turke dhe institucioneve shqiptare në përgjithësi. Në këtë kuadër, presidenti Arslan e njohu z.Bujar Leskaj me projektin e binjakëzimit mes Gjykatës Kushtetuese të Turqisë dhe Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.

Në përfundim, z. Zühtü Arslan theksoi se takimi me z.Leskaj do t’i shërbejë përforcimit të marrëdhënieve TCA-KLSH dhe reflekton marrëdhëniet e veçanta që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Turqisë. Si bazë të këtyre marrëdhënieve, z. Arslan solli si shembull faktin se shumë personalitete turke janë me orgjinë shqiptare, si Mehmet Aqif Ersoji, autor i himnit të flamurit turk.

Nga ana e tij, Kreu i KLSH-së, z.Bujar Leskaj i falënderoi për mikëpritjen z.Arslan dhe z.Akyel dhe e konsideroi një privilegj takimin me dy nga personalitetet shtetërore më të shquara të Turqisë në ambientet e një institucioni të rëndësishëm si Gjykata Kushtetuese, duke e uruar z.Recai Akyel për detyrën e re si anëtar i kësaj gjykate.

turqi viz2

Në vlerësimin e marrëdhënieve mes TCA-KLSH, z.Leskaj u shpreh se ky bashkëpunim i ngushtë dhe produktiv është meritë e z.Akyel, ish-presidentit të Gjykatës së Llogarive. Kryetari Leskaj theksoi se z.Akyel ka treguar jo vetëm një angazhim institucional, por edhe personal, duke patur një kontribut të spikatur në rritjen e kapaciteteve audituese të KLSH-së në nivelin e standardeve INTOSAI, ku falë intensitetit të trajnimeve, çdo auditues i KLSH-së është trajnuar të paktën një herë pranë Gjykatës Turke të Llogarive. Z.Leskaj theksoi se z.Akyel është afirmuar si një personalitet i lartë në komunitetin e SAI-ve dhe ka mbështetur KLSH-në edhe në cilësinë e zv/Presidentit të EUROSAI-t.

Në përfundim, Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj vlerësoi edhe bashkëpunimin  me Agjencinë Turke për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe e konsideroi këtë takim si një mbështetje të dyfishtë për Kontrollin e Lartë të Shtetit, e cila sipas z.Leskaj, është edhe një projeksion i marrëdhënieve të mira që ekzistojnë mes Turqisë dhe Shqipërisë.