Vizita studimore e përfaqësuesve të KLSH-së në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Polonisë për çështjet e komunikimit
02.12.2016
Në kuadër të implementimit të projektit të binjakëzimit “Ngritja e kapaciteteve të auditimit të jashtëm në Shqipëri”, financuar nga Bashkimi Evropian, në datat 28 nëntor- 2 dhjetor 2016 një grup drejtuesish dhe audituesish të Kontrollit të Lartë të Shtetit po kryejnë një vizitë studimore për çështjet e komunikimit në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Polonisë (NIK).
Një ndër tre objektivat kryesorë të projektit të binjakëzimit, i cili ka filluar të implementohet në KLSH që prej muajit mars 2016 është përmirësimi i impaktit të rezultateve të auditimit. Për rritjen e perceptimit pozitiv të rezultateve të auditimit një rol vendimtar luan komunikimi i institucionit të auditimit me palët e interesit. Për shkak të zhvillimeve të shpejta që ka pësuar teknologjia e informacionit dhe komunikimit, institucionet supreme të auditimit gjenden përpara sfidave për të shfrytëzuar dhe përdorur sa mirë këto mjete për informimin e publikut mbi përdorimin me efektivitet, efiçencë dhe ekonomicitet të fondeve publike.
Presidenti i NIK- ut, z. Kwiatkowski duke i uruar mirëseardhjen përfaqësuesve të KLSH-së vuri theksin tek bashkëpunimi dhe marrëdhëniet shumë të mira midis dy institucioneve tona. Ai theksoi se projekti i binjakëzimit do ti shërbejë forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencës së ndërsjellë.
Në ditën e parë të vizitës studimore, ish Presidenti i NIK dhe Këshilltari i Presidentit aktual, z.Jezierski bëri një prezantim të organizimit të Zyrën Kombëtare të Auditimit të Polonisë duke vënë theksin në rëndësinë që ky institucion i jep komunikimit me palët e interesit dhe përdorimit të teknologjisë së informacionit për informimin cilësor të publikut.
Në ditën e dytë të vizitës studimore përfaqësues të drejtorisë së komunikimit pasi bënë prezent ambjentin mediatik në Poloni, perceptimin e publikut për Zyrën Kombëtare të Auditimit të Polonisë, përdorimin e mjeteve të ndryshme të komunikimit në etapa të ndryshme në të cilat ka kaluar ky institucion, spjeguan në mënyrë të detajuar hapat që ndiqen nga kjo drejtori për përgatitjen në bashkëpunim me departamentet e auditimit të komunikatave për shtyp dhe të paketës mediatike për informimin e publikut. Bazuar në rëndësinë që paraqet për publikun një temë e caktuar auditimi, paketa mediatike përveç një përmbledhje të gjetjeve dhe rekomandimeve më të rëndësishme, përmban një prononcim të shkurtër të Presidentit të NIK për çështjet e audituara, video, fotografi dhe elementë grafikë që ilustrojnë raportin e auditimit.
Kolegët polakë të komunikimit theksuan se në një ambjent si ai i komunikimit, që evoluon me shpejtësi, institucionet tona nëpërmjet njohjes dhe studimit të këtij ambjenti duhet të synojnë përdorimin e atyre mjeteve, të cilat arrijnë të përcjellin informacionin në një publik sa më të gjerë.
Për një komunikim të sukseshëm me palët e interesit, një rol të veçantë luan dhe rëndësia që i kushton institucioni komunikimit të brendshëm të strukturave të tij. Duke qene se Zyra Kombëtare e Auditimit të Polonisë ka ne strukturën e saj 1700 punonjës dhe është e organizuar në 16 zyra rajonale, komunikimi i brendshëm është jetik për mbarëvajtjen e institucionit. Në faqen e brendshme të internetit(intranet) gjenden jo vetëm informacione që lidhen me punën audituese por edhe me “bankën” e formularëve ku gjenden dokumentat standarte, informacione për organizimin dhe funksionimin e brendshëm, trajnimet që ofrohen nga institucioni dhe informacione për jetën sociale. Në faqen kryesore të intranetit çdo zyrë rajonale ka hapsirën e saj, në të cilën vendosen informacione vetëm për këtë zyrë.
Në ditët në vazhdim përfaqësuesit e KLSH u njohën nga afër me mënyrën se si është i organizuar dhe funksionon komunikimi me palët e interesit në Zyrën rajonale të Wroclaw-it, në të cilën qëndruan dy ditë. Kjo zyrë e organizuar me 14 departamente kryen e vetme dhe në bashkëpunim me institucionin qëndror auditime në subjektet e rajonit që mbulon. Raportet e kryera për subjektet rajonale publikohen në faqen e internetit të zyrës rajonale dhe ashtu si institucioni qëndror përgatitet paketa mediatike, e cila ju përcillet medjave të shkruara dhe atyre vizive rajonale.
Në këtë vizitë studimore KLSH u përfaqësua nga Drejtori i Departamentit të Auditimit të Investimeve dhe Projekteve me Financime të Huaja dhe Shoqërive Publike, znj. Albana Agolli, Drejtori i Komunikimit, Botimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë, znj. Irena Islami, Drejtori i Burimeve Njerëzore, znj. Edlira Sako, Kryeaudituesi, z. Gjovalin Preci dhe audituesit e specialistët, znj. Brunida Zeneli, znj. Nikoleta Piranjani, z. Kristaq Gjurgjaj, znj. Mimoza Lloji, znj. Armanda Begaj, znj. Alma Shehu, znj. Amantja Patozi, znj. Ermira Vojka, znj. Eva Leka, z. Petrit Tusha, znj. Gentiana Sinojmeri, znj. Eni Kabashi dhe z. Klejvis Kule.
Vizita studimore për çështjet e komunikimit është e vizita e dytë studimore që zhvillohet në kuadër të projektit të binjakëzimit. Vizitat që do të zhvillohen gjatë vitit të ardhshëm lidhen me çështjet e auditimit të përformancës, të përputhshmërisë dhe atij financiar, sigurimin dhe kontrollin e cilësisë dhe çështjet e burimeve njerëzore.