Një delegacion i KLSH merr pjesë në punimet e Kongresit të XXII-të të INTOSAI-t
05.12.2016
Në datat 5-11 dhjetor 2016, në Abu D’habi të Emirateve të Bashkuara Arabe zhvillohet Kongresi INCOSAI XXII i INTOSAI-t. Kongresi organizohet një herë në çdo tre vjet dhe është aktiviteti më i rëndësishëm i INTOSAI-t, Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit(SAI-t), e cila përmbledh 192 SAI anëtare dhe 5 vëzhguese.
Temat e Kongresit të XXII-të janë:
1. Si INTOSAI mund të kontribuojë në Axhendën 2030 të OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm, duke përfshirë qeverisjen e mirë dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit?
2. Profesionalizmi: çfarë mund të nxisë besueshmërinë e INTOSAI-t për ta bërë një organizatë më të shquar ndërkombëtare?
Kongresi do të diskutojë dhe miratojë strategjinë e re të zhvillimit të INTOSAI-t 2017-2022, përditësimin e plotë të standardit ndërkombëtar ISSAI 30, “Kodit të Etikës”, si dhe ISSAI të tjera të reja që kanë dalë nga praktikat e mira të punës audituese në të gjithë botën.
Një delegacion i KLSH, i përbëre nga z. Bujar Leskaj, Kryetar, z. Ermal Yzeiraj, Drejtor i Departamentit Juridik, të Kontrollit të Zbatimit të Standardeve dhe Etikës dhe Muhamed Kavaja, Kryeauditues merr pjesë në punimet e INCOSAI XXII.