KLSH dhe SAI Hungarez drejt një marrëveshje bashkëpunimi për zhvillimin e auditimeve të integritetit
06.12.2016
Në ditën e dytë të punimeve të Kongresit të XXII-të, të INTOSAI-it që po zhvillohet në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe (5-11 Dhjetor 2016), Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj zhvilloi një takim me Presidentin e Zyrës së Auditimit Shtetëror të Hungarisë z. Laszlo Domokos.
Qëllimi i këtij takimi ishte rritja e bashkëpunimit ndërmjet dy SAI-ve në zhvillimin e auditimeve të integritetit si pjesë e rolit dhe veprimtarisë që SAI-t duhet të luajnë tashmë në luftën kundër korrupsionit.
Në këtë takim Kryetari i KLSH-së, i bëri me dije homologut Hungarez faktin që tashmë auditimi i integritetit do të jetë pjesë e planeve të përvitshme të auditimit të KLSH-së, kjo në zbatim edhe të rekomandimeve të bëra në raportin më të fundit të Transparency International. KLSH ka mbi 3 vite që i është përkushtuar studimit teorik dhe marrjes së eksperiencës së SAI-ve më të përparuara Evropiane në lidhje me auditimin e integritetit. Për këtë, KLSH ka dërguar përgjatë këtyre viteve në këto SAI, përfshirë këtu edhe SAI-in Hungarez, një numër të konsiderueshëm audituesish dhe drejtuesish të institucionit si dhe ka përkthyer dhe botuar së fundmi edhe Manualin e Vetëvlerësimit të Integritetit për Institucionet Supreme të Auditimit – INTOSAINT. Madje në vitin janar 2015 KLSH vendosi që ta bazonte analizën vjetore të veprimtarisë së institucionit pikërisht në frymën e INTOSAINT.
SAI Shqiptar, në ndërmarrjen e këtij hapi të rëndësishëm institucional të angazhimit në kryerjen e auditimeve të integritetit, kërkon mbështetjen dhe partneritetin e një SAI me eksperiencë në këtë fushë, siç është edhe SAI Hungarez, eksperienca gati 10 vjeçare e të cilit evidentohet fare qartë edhe në dokumentat dhe raportet më të fundit të këtij SAI.
Për këtë arsye, theksoi Kryetari i KLSH-së, “Ne kërkojmë që SAI Hungarez, së bashku me ndonjë SAI partner, si psh., SAI Hollandez apo ai Austriak, të jetë lideri dhe partneri ynë kryesor në zhvillimin e auditimeve të integritetit në Shqipëri. Këto auditime, të cilat do të fillojnë në radhë të parë nga institucioni i KLSH-së dhe më pas do të shtrihen në institucione të tjera qendrore dhe vendore do t’i shërbejnë detyrimeve dhe angazhimeve që shtrohen në Progres Raportet e Komisionit Evropian mbi Shqipërinë.
Në fjalën e tij Presidenti i SAI-it Hungarez, Z. Laszlo Domokos shprehu gatishmërinë e tij dhe të stafit të tij për të ndihmuar dhe bashkëpunuar me SAI-in Shqiptar në zhvillimin e auditimeve të integritetit. SAI hungarez do të sjellë në Shqipëri drejtpërdrejt përvojën e auditimeve të tij që ai ka zhvilluar në Hungari, veçanërisht dy vitet e fundit.
Në fund të takimit Kryetari i KLSH-së dhe Presidenti i SAI-it Hungarez ranë dakord që gjatë ditëve në vazhdim të zhvillimit të Kongresit të XXII-të, të INTOSAI-it në Abu Dhabi të nënshkruajnë edhe një marrëveshje të re bashkëpunimi ndërmjet të dyja SAI-ve.