Njoftime

Ban Ki-Moon përshëndet Kongresin e XXII-të të INTOSAI-t

07.12.2016

Në ditën e tretë të punimeve të Kongresit të XXII-të të INTOSAI-t që po zhvillohet në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe (datat 5-11 Dhjetor 2016), u çel me pjesëmarrjen e shkëlqesisë së tij, Sheik Mansaur Bin Zayed Al Nahyan, Zv-Kryeministër i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe me përshëndetjet e Presidentes së Gjykatës Austriake të Auditimit dhe njëkohësisht Sekretare e Përgjithshme e INTOSAI-t (nga 1 Korriku 2016), Dr. Margit Kraker, si dhe leximin e mesazhit përshëndetës të dërguar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Z. Ban Ki-Moon.

Në mesazhin e tij, z. Ban Ki-Moon i kërkoi Kongresit të INTOSAI-t që të fokusohet në mënyrat se si kjo organizatë mund të kontribuojë në luftën kundër korrupsionit dhe të promovojë llogaridhënien e të gjitha palëve. “Audituesit e jashtëm sigurojnë një depërtim tepër të rëndësishëm të trupave legjislative, qeverive dhe shoqërisë në lidhje me arritjen e qëllimeve për një zhvillim të qëndrueshëm. Unë ju inkurajoj”, theksoi Ban Ki-Moon, “që të shfrytëzoni potencialin e statistikave dhe të dhënave për të forcuar akoma dhe më tej auditimet. SAI-et janë në qendër të institucioneve efektive, të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse. Ato luajnë një rol kritik në luftën kundër mashtrimeve financiare dhe praktikave të korruptuara”.

“Kombet e Bashkuara”, përfundonte mesazhi i Ban Ki-Moon, “mbeten të vendosura për të asistuar përpjekjet e INTOSAI-t në mbrojtje të një zhvillimi të qëndrueshëm”.

Në përfundim të fjalëve përshëndetëse, u zhvillua ceremonia e kalimit të Kryesisë së Bordit të INTOSAI-t nga SAI Kinez tek SAI i Emirateve të Bashkuara Arabe, duke emëruar kështu Dr. Harib Al Amimi si Kryetarin e radhës të INTOSAI-t.
Më pas, punimet e Kongresit vijuan me miratimin e 4 dokumentave tepër të rëndësishëm që ishin 1) Rregullat Proceduriale 2) Buxheti i INTOSAI-t për vitin 2017-2019 3) Plani Strategjik i INTOSAI-t 2017-2022 dhe 4) ndryshimet në Statutin e Organizatës.

foto incosai xxii_copy_1

Gjatë pushimeve të ndërmjetme të Kongresit, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj zhvilloi një sërë takimesh me homologë dhe personalitete të shquara ndërkombëtare në fushën e auditimit, si Dr. Harib Al Amimi, President i Institucionit të Auditimit Shtetëror të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Kryetar i INTOSAI-t, z. Gene L. Dodaro, Kontrollor i Përgjithshëm i Zyrës së Llogarive Qeveritare (GAO) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Dr. Vitor Caldeira, President i Gjykatës Portugeze të Llogarive, z. Krzysztof Kwiatkowski, President i Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë, zj. Androniki Theotokatou, Presidente e Gjykats së Llogarive të Greqisë dhe me z. Besnik Osmani, Auditor i Përgjithshëm i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës , për të cilat do të paraqitet një informacion më i detajuar gjatë ditëve në vazhdim.