Njoftime

Kryetari i KLSH-së, Z. Bujar Leskaj zhvillon një takim pune me Z. Gene L. Dodaro, Kontrollor i Përgjithshëm i GAO

09.12.2016

Gjatë punimeve të Kongresit të XXII-të të INTOSAI-t, Kryetari i KLSH-së, Z. Bujar Leskaj zhvillon një takim pune me Z. Gene L. Dodaro, Kontrollor i Përgjithshëm i Zyrës së Auditimit të Qeverisë (GAO) së Shteteve të Bashkuara të Amerikës

img_5618

Gjatë zhvillimeve të Kongresit të XXII-të të INTOSAI-t në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, Kryetari i KLSH-së, Z. Bujar Leskaj zhvilloi një takim të veçantë me z. Gene L. Dodaro, Kontrollor i Përgjithshëm i Zyrës së Auditimit të Qeverisë (GAO) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

takimi klsh gao

Në këtë takim Kryetari i KLSH-së, e falenderoi përzemërsisht Z. Dodaro në lidhje me mbështetjen që ai i ka dhënë deri tani Kontrollit të Lartë të Shtetit duke pranuar sërish edhe për vitin 2017, ashtu si dhe në vitin 2016, trajnimin në zyrat e GAO-s në SHBA të dy audituesve të tjerë të lartë të KLSH-s, si dhe e njohu Z. Dodaro me perfomancën institucionale të KLSH-së përgjatë këtyre dy viteve të fundit.

 
Kryetari i KLSH-së i paraqiti Z. Dodaro kërkesën zyrtare të KLSH-së që në vitet në vazhdim dy auditues të GAO-s të atashohen në KLSH, për të kontribuar kështu drejtpërsëdrejti në trajnimin e stafit auditues, kryerjen e auditimeve me synim luftën kundër korrupsionit dhe mashtrimit financiar, si dhe hartimin e Strategjisë së re institucionale 2018-2022. Kjo, u shpreh Kryetari i KLSH-së, mund të ideohet si një projekt dhe të kalojë përmes USAID-it, të cilit KLSH i është drejtuar tashmë, ose mund të mbështetet financiarisht edhe nga institucione të tjera. Dihet tashmë se prej dy vjetësh KLSH ka përkthyer dhe botuar standardet e përgjithshme të GAO-s (librin e verdhë), të cilat së bashku me standardet ndërkombëtare të auditimit (përmes projektit 3i), i konsideron si udhërrëfyes në procesin e auditimit dhe atë të zhvillimit institucional të KLSH-së.

Ne theksoi, Z. Dodaro do vazhdojmë të mbështesim SAI-n Shqiptar në rritjen e mëtejshme të kapaciteteve të tij institucionale dhe këtë propozim tuajin ne do ta shqyrtojmë me prioritet. Zoti Dodaro e njohu Kryetarin e KLSH-së me mundësitë që ofronte GAO nëpërmjet Qendrës së Ekselencës, e cila kishte si mision promovimin e mirëqeverisjes, ndërtimin e kapaciteteve organizative, vendore dhe ndërkombëtare, si dhe ofrimin e trajnimeve të cilësisë së lartë, asistencës teknike dhe produkte apo shërbime konkrete në fushën e auditimit.

Kryetari i KLSH-së, ashtu  si dhe shumë drejtues të tjerë të SAI-eve në Kongres, i shprehu konsiderata dhe falënderime Z. Dodaro në lidhje me paraqitjen në Kongres të punës që ai kishte bërë në cilësinë e kryetarit të grupit për hartimin e Planit Strategjik të INTOSAI-t 2017-2022, i cili u miratua në Kongres, duke i kërkuar që GAO të mbështeste dhe KLSH-në në hartimin e Planit të ri Strategjik të institucionit 2018-2022. Ne dëshirojmë, theksoi Kryetari i KLSH-së, që ky plan të hartohet në bashkëpunim me audituesit e GAO-s.

img_5623

Në takimin e zhvilluar mori pjesë edhe James-Christian Blockwood, Drejtor Menaxherial i Planifikimit Strategjik dhe Marrëdhënieve me Jashtë në GAO.