Njoftime

KLSH në takimin e EUROSAI-t në Qipro, për auditimin e zonave të mbrojtura detare

15.12.2016

Në kuadër të takimeve të organizuara nga EUROSAI WGEA (Grupi i Punës mbi Auditimin e Mjedisit), në datat 14-15 Dhjetor 2016, në qytetin e Nikosisë, Qipro, u zhvillua takimi paraprak për auditimin e përbashkët të zonave të mbrojtura detare, në të cilin morën pjesë edhe përfaqësues të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Në këtë aktivitet morën pjesë gjithashtu përfaqësues nga Institucionet Supreme të Auditimit të Qipros, Portugalisë, Maltës dhe Greqisë.
Në ditën e parë të takimit pjesëmarrësit u përshëndetën nga Audituesi i Përgjithshëm i Zyrës së Auditimit të Republikës së Qipros z.Odysseas Michaeidas, i cili pasi uroi punime të mbara të këtij takimi, nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të Institucioneve të auditimit të vendeve pjesëmarrëse, për auditimin e përbashkët të zonave të mbrojtura detare.

Në këtë ditë u prezantua nga Drejtori i Kërkimeve Detare dhe Peshkimit të Republikës së Qipros znj. Marina Argyrou, mbi politikat e ndjekura nga ky institucion për menaxhimin e zonave detare të mbrojtura, duke e shoqëruar këtë prezantim me një material filmik interesant. Më pas u fol rreth qëllimit të këtij takimi dhe miratimit të një strukture auditimi të zonave të mbrojtura detare, mbi të cilën u diskutua gjerësisht nga pjesëmarrësit.

Nga përfaqësuesit e KLSH-së u prezantua materiali i përgatitur për identifikimin e risqeve në zonat e mbrojtura detare, material që u ndoq me interes nga pjesëmarrësit, të cilët bën pyetje të ndryshme rreth këtij materiali.
Në fund të ditës së parë u bënë diskutime nga të gjithë pjesëmarrësit në lidhje me pikat e strukturës së auditimit të zonave të mbrojtura detare.

Në ditën e dytë të takimit, u prezantua nga përfaqësuesit e SAI-t të Republikës së Qipros, përmbledhja e diskutimeve të ditës së parë, e cila përfundoi me përcaktimin e matricës së auditimit, pikat kryesore të të cilës ishin Informacioni i përgjithshëm, Baza ligjore dhe strategjia kombëtare, Përcaktimi i zonave të mbrojtura detare, Plane e menaxhimit, Implementimi, Monitorimi dhe feedback-u, si dhe Konkluzionet dhe rekomandimet. Nga përfaqësuesit në këtë takim, u ra dakord që nga ana e të gjithë SAI-ve pjesëmarrës, të realizohen brenda vitit 2017 auditimet për menaxhimin e zonave detare të mbrojtura në rang kombëtar, të cilat do të jenë bazë e një auditimi të përbashkët në vitin 2018 me të gjithë pjesëmarrësit.

 

img-20161215-wa0000(1) qipro 2

 

Në këtë takim, organizuar në Qipro në datat 14 - 15 dhjetor 2016, nga Kontrolli i Lartë i Shtetit morën pjesë z.Alush Zaçe, Drejtor i Departamentit të Administrimit të Aseteve, Kontrollit të Territorit dhe Mbrojtjes së Mjedisit dhe Prof. Sazan Guri, ekspert i jashtëm.