KLSH Kallëzon në Prokurori 3 anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO) të Njësisë Administrative Maqellarë
28.12.2016
Me Vendimin nr. 151, datë 19.12.2016 të Kryetarit të KLSH-së, është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe me shkresën nr. 733/12, datë 23.12.2016, me qëllim përmirësimin e gjendjes i janë rekomanduar Bashkisë Dibër masa me karakter organizativ dhe masa për shpërblimin e dëmit të shkaktuar në vlerën totale 80,7 milion lekë, nga ku përmendim:
Në 38 raste janë dhënë leje ndërtimore mbi troje shtetërore, por pa ju llogaritur qiraja e truallit për m2, në vlerën prej 58,7 milion lekë.
Në 7 raste janë konstatuar mosshlyerje e detyrime kontraktore nga subjektet qiramarrëse në vlerën prej 9,4 milion lekë.
Në 2 raste janë realizuar investime nga ku ka rezultuar se janë paguar subjektet private zbatues të investimit për punime të situacionuara por të pa kryera në fakt në vlerën prej 5 milion lekë.
Gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi në fushën e zbatimit të procedurave të prokurimit publik lidhur me vlerësimin e ofertave ekonomike, për investimin “Sistemim asfaltim rruga e fshatit Bllatë e Poshtme dhe Bllatë e Epërme”, Komuna Maqellarë” dhe konkretisht:
Nga KVO është shpallur fitues bashkimi i operatorëve ekonomik (BOE) me ofertë më të lartë duke skualifikuar pa të drejtë ofertën ekonomike më të ulët, ku nga diferenca e ofertës ekonomike më të ulët, e skualifikuar pa të drejtë, me ofertën e shpallur fituese të tenderit, është shkaktuar për pasojë dëm ekonomik në vlerën prej 3,230 mijë lekë.
Skualifikimi i operatorit me ofertë më të ulët është bërë me argumentin se “Nuk përmbush kriterin për kryerjen e punimeve të përcaktuara në aktin e marrëveshjes mes tyre si bashkim operatorësh ekonomikë sipas përqindjes së përcaktuar në këtë akt marrëveshje. Për makineritë e kërkuara për kryerjen e punimeve, pika g, Kritere të veçanta të kualifikimit, edhe në disa raste dokumentacioni shoqërues nuk është i qartë dhe vështirësisht i lexueshëm”, në fakt sipas dokumentacionit të ngarkuar në sistemin elektronik nga BOE i skualifikuar, rezulton se ka përmbushur kriterin për punë të ngjashme dhe përmbush kriterin për aftësi teknike e profesionale”, duke bërë që argumentimi i KVO të jetë i pabazuar dhe të jetë marrë në kundërshtim me nenet 1, pika 2, gërma d/dh, nenin 2, 20, nenin 53, pika 4, të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik” i ndryshuar dhe VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave për Prokurimin Publik”.
KLSH, duke i konsideruar veprimet e kryera nga B.S. në cilësinë e Kryetarit të KVO, B.GJ. dhe G.M. në cilësinë e anëtarëve të KVO, si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme sipas ligjit nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i RSH”, me shkresën nr. 533/14 datë 23.12.2016, ka bërë kallëzim pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Dibër, për konsumimin e elementëve të figurës së veprave penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankande publike” dhe “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga nenet 258 dhe 248, të Kodit Penal.