Njoftime

Drejtoresha e Qendrës së Ekselencës në Auditim të GAO-s, Znj. Janet St.Laurent, zhvillon një leksion me audituesit e KLSH

24.03.2017

Më datën 24 mars, në sallën e Akademisë së Shkencave, znj.Janet St.Laurent, Drejtoreshë e Qendrës së Ekselencës në Auditim të Zyrës së Auditimit të Qeverisë së SHBA-së (GAO), zhvilloi një leksion të hapur me audituesit e KLSH-së. Tema e leksionit ishte “Roli i GAO-s në provimin e llogaridhënies, rezultateve dhe bashkëpunimit”. Leksioni vjen në kuadër të vizitës dyditore të znj.Janet St.Laurent në Shqipëri, ku mori pjesë edhe në Seminarin “SAI dhe Parlamenti”.

Në prezantimin e këtij leksioni, znj.Janet St.Laurent i njohur audituesit shqiptarë me misionin e GAO-s dhe parimet ku bazohet puna audituese amerikane. “Roli i GAO-s është që të mbështesë Kongresin e SHBA-së në ushtrimin e përgjegjësive kushtetuese, të asistojë në performancën e mirë dhe rritjes së llogaridhënies së qeverisë amerikane, për të mirën e popullit amerikan.  Për të realizuar këtë mision, GAO mbështetet në disa parime thelbësore si: llogaridhënia, integriteti dhe besueshmëria për të garantuar që punë audituese të jetë profesionale, objektive, jo-partizane, jo ideologjike, e drejtë dhe e balancuar për të ofruar raporte të qarta e më cilësi të lartë mbi mënyrën sesi shpenzohet fondet federale”.
Shumica e raporteve të adutimit në GAO janë të llojit të performancës dhe bazohet në një metodologji të pasur që përfshinë: rastet studimore, kampionimin statistikor, anketimet, intervistat dhe krahasimin e të dhënave.

Për znj. St.Laurent, pavarësia e një Institucioni Suprem Auditimi është parakusht për realizimin e këtij misioni dhe në GAO, Audituesi i Përgjithshëm i GAO-s ka një mandatin 15 vjeçar,  më të gjerë që mund të kenë drejtuesit e institucioneve, me qëllim që veprimtaria audituese të mbetet e pacenuar nga rotacionet politike. “Audituesi i Përgjithshëm konfirmohet përmes një procesi emërimi të përbashkët, që përfshin Kongresin dhe Presidentin. Ai mund të largohet përmes “impeachment” ose një rezolute të përbashkët në Kongres, për arsye të mirëpërcaktuara”.

Në vijim të leksionin, znj.St Laurent u ndal në një pikë të rëndësishme, të rolin thelbësor që ka Kongresi në efektivitetin e punës së një institucioni suprem auditimi, duke vlerësuar gjetjet dhe rekomandimet e SAI-t, si dhe duke kërkuar zbatimin e tyre nga institucionet e audituara.   Zj. St. Laurent solli eksperiencën e pasur te GAO-s ne raportet me Kongresin Amerikan, ku çdo vit GAO merr pjese në qindra seanca dëgjimore te Kongresit dhe i dërgon atij me qindra raportime.  “Raporti GAO-Kongres institucionalizohet përmes një Dokument Protokolli. Tashmë kemi një traditë të konsoliduar besimi reciprok ku në shumicën e ligjeve të miratuara, Kongresi sanksionon dispozita të veçanta që i atribuojnë GAO-s të drejtën e auditimit për fushën që rregullon ligji. Në marrëdhëniet SAI- Parlament, raportet e performancës kanë rëndësi pasi zgjerojnë bashkëpunimin me komisione të ndryshme”.

gao klsh2

Në raportet me Kongresin, një rol të rëndësishëm luan Raporti i Riskut të Lartë që nxjerr çdo dy vjet GAO, me nisjen e legjislaturës së re në Kongres. Ky raport identifikon zonat me risk të lartë, të cilat janë më të cenueshme nga keqmenaxhimi, mashtrimi dhe abuzimeve si dhe ofron një informacion më të gjerë për të arritur  ekonomistet, efiçiencë dhe efektivitet më të lartë”,  u shpreh znj.St.Laurent.
Lektorja amerikane vuri në dukje se kjo marrëdhënie solide GAO-Kongres ka krijuar një mekanizëm efektiv për ndjekjen e rekomandimeve që ka rezultuar në një impakt pozitiv në buxhetin amerikan. “Për vitin fiskal 2016, arritjet e GAO-s përfshijnë një përfitim financiar për buxhetin në masën $ 63,4 miliardë dhe 1234 përmirësime në programe dhe ligje qeveritare. Nga 2000 rekomandime të bëra, 73% e tyre janë implementuar”, theksoi znj.St.Laurent.

Në vazhdën e leksionit, znj.Laurent bëri një prezantim edhe të Qendrës për Ekselencë në Auditim të GAO-s, me qëllim ndarjen e eksperiencës së GAO-së me SAI-t homologe nëpër botë. “Misioni i Qendrës së Ekselencës në Auditim është që të promovojë mirëqeverisjen dhe të ndërtojë kapacitete institucionale të organizmave kombëtare e ndërkombëtare të auditimit, duke ofruar trajnime, asistencë teknike dhe metodologji inovative. Kjo qendër është një strukturë qendrore e GAO-s, që punon me të gjitha institucionet e auditimit dhe llogaridhënies qeveritare në botë, për të përmirësuar dhe shtuar, nëpërmjet trajnimeve të saj, kapacitetetet e tyre në auditim. Qendra ndihmon institucionet supreme të auditimit publik (SAI-t) të zhvillojnë dhe zbatojnë korniza të shëndosha të sigurimit të cilësisë në auditim dhe plane strategjike e strategji të zhvillimit të burimeve të tyre njerëzore, duke rritur njohuritë për standardet ndërkombëtare të INTOSAI-t”.
Leksioni vijoi me pyetje-përgjigje nga audituesit shqiptarë për identifikimin e fushave dhe prioriteteve të KLSH-së, me qëllim konkretizimin e kornizës së bashkëpunimit, ku do të bazohet asistenca e GAO-s për Kontrollin e Lartë të Shtetit.

Leksioni përfundoi me një fjalë përshëndetëse të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, z.Bujar Leskaj, i cili shprehu mirënjohjen për mbështetjen që GAO i ka ofruar KLSH-së. “Në këto vitet e fundit, marrëdhënia jonë si KLSH me GAO-n po forcohet dhe po merr trajta konkrete bashkëpunimi. I jemi mirënjohës GAO-s dhe në veçanti z. Dodaro, drejtuesit të saj, që në harkun kohor të dy viteve 2016-2017 mundësuan dhe po realizojnë trajnimin e tre audituesve tanë për 4 muaj pranë zyrave të GAO-s në Uashington D.C. Kjo eksperiencë që po merret është e një vlere të jashtëzakonshme për ne”.

Kryetari i KLSH-së theksoi se GAO, si lider i komunitetit INTOSAI, përbën një model për të gjitha institucionet supreme të auditimit në botë, për pavarësinë, profesionalizmin, transparencën dhe integritetin, vlera këto të përmbajtura në standardet ISSAI të INTOSAI-t. “Mbështetur në këto tradita dhe vlera të patjetërsueshme të kontributit të një SAI si GAO në mbajtjen të përgjegjëshme të administratës së shtetit më të fuqishëm dhe demokratik në botë, por dhe në zhvillimin e auditimit suprem publik, ne si KLSH përkthyem në shqip dhe botuam në vitin 2015 standardet e auditimit të GAO-s, «Yelloë Book(Libri i Verdhë)”. Leximi dhe përvetësimi i këtyre standardeve nga audituesit e KLSH-së po i ndihmon ata në punën e tyre të përditshme për të realizuar auditime cilësore. Sfida jonë është të implementojmë standardet e GAO-s, pra të përgatisim “The Albanian Yellow Book”, standardet e auditimit suprem publik të Shqipërisë”, përfundoi Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj.

Fjala e Plotë e Kryetarit të KLSH Z. Bujar Leskaj