Njoftime

Presidenti i Republikës së Polonisë, dekoroi Kryetarin e KLSH-së, z.Bujar Leskaj

19.04.2017

Presidenti i Republikës së Polonisë, z.Andrzej Duda dekoroi me Urdhrin “Kryqi kalorsiak i urdhrit për merita në dobi të Republikës së Polonisë”, Kryetarin e Kontrollit të Lartë të shtetit, z.Bujar Leskaj.

Ceremonia u zhvillua në datën 19 prill 2017 në Varshavë, në ambientet e Institucionit Suprem të Auditimit të Republikës së Polonisë (NIK). Në ceremoninë e dekorimit morën pjesë Ministri i Shtetit, pranë Presidentit z. Andrzej Dera, zv/Ministri i Punëve të Jashtme, zj.Renata Szczech, Presidenti i NIK-ut polak, z. Krzysztof  Kwiatkowski, zv/Presidenti i NIK, z.Wojciech Kutyla, Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Poloni, zj.Shpresa Kureta, deputetë të Kuvendit të Republikës së Polonisë, drejtues dhe auditues të NIK-ut polak dhe  përfaqësues të KLSH. Dekorata akorduar nga Presidenti i Republikës, z.Andrzej Duda iu dorëzua z.Leskaj nga Sekretari i Shtetit, pranë Presidentit z. Andrzej Dera.

dekorata poloni 1

Për autoritetet polake, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit mund të konsiderohet padyshim si një mik i Polonisë dhe promovues i kulturës polake. “Zoti Leskaj që në filim të mandatit të tij si Kryetar i KLSH-së ka mbështetur dhe ka qenë promotor i bashkëpunimit mes dy institucioneve supreme të Auditimit. Ky bashkëpunim ka qenë i frytshëm në drejtim të forcimit të kapaciteteve të audituesve dhe vecanërisht në drejtim të mbështetjes që institucionet i kanë dhënë njëri tjetrit në komunitetin e INTOSAI-t dhe të EUROSAI-t. Edhe në të shkuarën, në cilësinë e Ministrit të Kulturës të Shqipërisë, Z.Bujar Leskaj ka promovuar kulturën polake në Shqipëri.Kryetari Leskaj ka mbështetur iniciativa për njohjen në Shqipëri të letërsisë, artit dhe muzikës klasike të Polonisë si dhe të historisë dhe traditës së kulturës polake, përmes botimeve dhe artikujve në shtypin dhe mediat shqiptare”, theksoi Sekretari i Shtetit pranë Presidentit z. Andrzej Dera.

dekorata poloni 2 dekorata poloni 3

Presidenti i NIK-ut polak, z.Krzysztof Kwiatkowski në fjalën e tij theksoi : “Falë mbështetjes dhe angazhimit të Kryetarit Bujar Leskaj ka njohur dritën e botimit në shqip libri “Simbolet Polake”. Ky libër është botimi i parë që ofron një tablo gjithëpërfshirëse dhe të thellë mbi historinë dhe simbolet polake, ku paraqiten më shumë se qindra vende dhe ngjarje historike, si rezultat i ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur në Poloni, Europë dhe në të gjithë botën. Botimi përshkruan njëqind ikonat polake, nga himni dhe emblema polake, betejën e famshme të Grunwaldit, Kështjellën Vavel, Varshavën dhe vijon me profilet e personaliteteve polake me përmasa botërore si nobelistin Les Valesa të Lëvizjes Solidarnos, Papa Gjon Palin e II-të, Frederic Chopin, dhe zgjerohet më tej me përshkrime të monumenteve polake”.

dekorata poloni 4

Presidenti i NIK-ut polak, z.Krzysztof Kwiatkowski evidentoi edhe bashkëpunimin e ngushtë dhe produktiv me Kontrollin e Lartë të Shtetit, vecanërisht në kuadër të projektit të binjakëzimit. Zoti Kwiatkowski nënvizoi faktin që Z.Leskaj është miku dhe Ambasadori më i mirë i Polonisë në Shqipëri, për këtë arsye “ne sot nuk po dekorojmë vetëm Kryetarin e KLSH-se por edhe mikun e madh të Polonisë”- vijoi z. Kwiatkowski.

Nga ana  e tij, z.Bujar Leskaj falenderoi Presidentin e Republikës së Polonisë, z.Andrzej Duda  per akordimin e medaljes, Presidentin dhe drejtuesit e NIK për mbështetjen si dhe përfaqësuesit e institucioneve polake për këtë vlerësim. Gjatë fjalës së tij, z.Leskaj evidentoi historinë e popullit polak, përpjekjet e tij për liri dhe vlerat e përbashkëta mes kombit polak dhe shqiptar, si dashuria për atdheun, lirinë, demokracinë dhe mikëpritjen.

dekorata poloni 5

Pas ceremonisë, u zhvillua një bisedë miqësore, në të cilën morën pjesë të gjitha personalitet e ftuara. Gjatë bisedës e mori fjalën edhe Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Poloni, zj.Shpresa Kureta, e cila vlerësoi faktin që një zyrtar i lartë i shtetit shqiptar u dekorua nga Presidenti i Republikës së Polonisë dhe që kjo ngjarje koencidon me 80 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Polonisë.

Vizita në Poloni e Kryetarit të KLSH-së do të vijojë me një udhëtim drejt qytetit të Vroclavit, i cili është shpallur në vitin 2016 si Kryeqyteti Europian i Kulturës. Në këtë vizitë, z.Leskaj do të vizitojë edhe zyrën rajonale të NIK-ut në këtë qytet.

Shënim : Fotografitë janë marrë nga njoftimi zyrtar i Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë në faqen e tyre të WEB :www.nik.gov.pl