Njoftime

Kryetari i KLSH, Z.Leskaj takon Këshilltarin e Projektit për hartimin, koordinimin dhe implementimin e politikave në luftën kundër korrupsionin,Z Detlef Kreuzer.

28.04.2017

Në datën 25 prill 2017, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj  priti në një takim Këshilltari e Projektit të financuar nga Bashkimi Evropian “Mbështetje për hartimin, koordinimin dhe implementimin e politikave në luftën kundër korrupsionin”, z. Detlef Kreuzer.

Z. Kreuzer prezantoi qëllimin dhe objektivin e këtij projekti kaq të rëndësishëm për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit evropian. Z. Kreuzer theksoi rëndësinë që ka përfshirja e Kontrollit të Larë të Shtetit në ketë projekt si një institucion i cili ndesh fenomenin e korrupsionit në veprimtarinë e tij  dhe jep një kontribut të qenësishëm në luftën kundër këtij fenomeni. Z. Kreuzer paraqiti një panoramë që qartë  të legjislacionit dhe eksperiencës  së institucioneve gjermane për këtë çështje,  duke theksuar rëndësinë që kanë institucionet supreme të auditimit në referimin pranë prokurorisë të fenomeneve korruptive në përdorimin e parasë publike.  

takimi

Z. Leskaj duke vlerësuar kontributin që ka dhënë qeveria gjermane në kryerjen e reformave institucionale në Shqipëri nënvizoi rëndësinë e këtij projekti,  i cili synon vendosjen e bazave solide të bashkëpunimit midis institucioneve të qeverisjes qendrore dhe institucioneve të pavarura në hartimin e politikave të suksesshme  mbarëkombëtare për luftën kundër korrupsionit  theksoi se KLSH në përmbushje të misionit kushtetues ka qenë dhe është shumë aktive në luftë kundër këtij fenomeni.
Z. Leskaj nënvizoi se misioni i institucioneve të auditimit është shqyrtimi i  implementimit  të politikave të hartuara nga qeveria dhe jo përfshirja në hartimin e politikave. I vetëdijshëm për misionin kushtetues si agjent i Parlamentit për  mbikëqyrjen e përdorimit të fondeve publike Kontrolli i Lartë i Shtetit ka intensifikuar dhe ka marrëdhënie mjaftë të mira institucionale me të gjitha institucionet ligj-zbatuese të cilat luajnë një rol kyç në luftën kundër korrupsionit dhe mashtrimit ku duhet përmendur bashkëpunimi i ngushtë me Prokurorinë e Përgjithshme, ILDKPKI dhe Shërbimin Informativ Shtetëror.  

Gjatë viteve të fundit shihet qartas instalimi i kulturës së pandëshkueshmërisë  ndaj akteve korruptive të zyrtarëve të lartë e të mesëm. Provë e qartë për këtë është qëndrimi në detyrë i zyrtarëve të lartë pavarësisht rekomandimeve të KLH për largimin nga detyra për shkak të përfshirjes në afera korruptive.
“Kontrolli i Lartë i Shtetit për 4 vjet me radhë i ka propozuar qeverisë hartimin dhe përcjelljen për miratim nga Kuvendi të Ligjit për Përgjegjësinë Materiale, ligj i cili do të kishte një rol vendimtar në luftën kundër korrupsionit. Megjithatë konstatohet me keqardhje se si maxhoranca qeverisëse ashtu edhe opozita nuk kanë shprehur interes për miratimin e këtij ligji” – theksoi Kryetari i KLSH, z. Leskaj.
Ndonëse lufta kundër korrupsionit duhet të jetë në fokusin e të gjitha institucioneve konstatohet se kallëzimet penale të kryera nga KLSH në 5 vitet e fundit janë 5 herë më shumë në numër krahasuar me kallëzimet e bëra nga njësitë e auditimit të brendshëm. KLSH referon pranë Prokurorisë një kallëzim në javë, çka evidenton më së miri rëndësinë që ka lufta kundër korrupsionit për institucionin e Kontrollit të Lartë të Shtetit..

Duke vlerësuar bashkëpunimin e suksesshëm me Parlamentin dhe Komisionet e tij Kryetari i KLSH, z. Leskaj theksoi se institucioni krahas përcjelljes së raportit për zbatimin e buxhetit të shtetit dhe raportit të performancës së institucionit i ka përcjellë Kuvendit edhe raportin për implementimin e rekomandimeve. KLSH ka intensifikuar përpjekjet e tij dhe ka marrë mbështetje e Komisionit për Ekonominë dhe Financat për krijimin e një nënkomisioni,  i cili do të shqyrtojë raportet e paraqitura nga KLSH dhe ndjekjen e rekomandimeve nga institucionet shtetërore.
Ndonëse niveli i zbatimit të rekomandimeve të KLSH-së shkon në 60-70% , nivel ky i krahasueshëm me raportimet e bëra nga institucionet evropiane të auditimit, KLSH ka kërkuar nga qeveria prej vitit 2013  miratimin e një urdhri, i cili i detyron institucionet të zbatojnë rekomandimet e tij. Ky urdhër ende nuk është miratuar nga Qeveria, çka e vështirëson implementimin e suksesshëm të rekomandimeve të KLSH. 
Lidhur me reformat e rëndësishme të cilat po përpiqet të implementojë qeveria shqiptare z. Leskaj u shpreh se është krijuar ideja se korrupsioni është vetëm në gjykata dhe prokurori. Korrupsioni është një fenomen i cili ka prekur të gjithë strukturat në Shqipëri, ndaj reforma e shumë diskutuar në drejtësi  duhet të prek të gjitha këto struktura.

Lidhur me propozimet e bëra nga ekspertet austriak dhe gjermanë për nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi midis institucioneve qeverisëse dhe institucioneve ligjzbatuese, z. Leskaj theksoi se KLSH është e gatshme të shqyrtojë propozimet dhe të nënshkruaj një memorandum,  i cili është hartuar nga ekspertët gjermanë e austriak me përvojë në këtë fushë, në hartimin e të cilit të cilin nuk konstatohet përfshirja e  politikës dhe ekzekutivit. Krahas nënshkrimit të memorandumit nga institucionet shqiptare, z. Leskaj nënvizoi se  ndryshimet ligjore që i shërbejnë intensifikimit të luftës kundër fenomeneve të mashtrimit dhe korrupsionit janë një bazë më solide për një luftë të suksesshme ndaj këtyre fenomeneve.

Në takimin me Këshilltarin e Projektit për hartimin, koordinimin dhe implementimin e politikave në luftën kundër korrupsionin, Z. Detlef  Kreuzer merrte pjesë gjithashtu edhe Sekretari i Përgjithshëm i KLSH, znj. Luljeta Nano