KLSH zhvillon konferencën e tij të parë shkencore vjetore
28.12.2012
Më datën 28 dhjetor 2012, Kontrolli i Lartë i Shtetit organizoi konferencën vjetore shkencore të institucionit, me temë:
"87 vjet KLSH në 100 vjet shtet shqiptar”.
Është Konferenca e parë e këtij lloji për institucionin, që i referohet historikut të tij dhe punës shumëvjeçare të të gjithë personave që kanë kontribuar për ngritjen dhe mbarëvajtjen e tij në periudha kohore të ndryshme. Vlerat e Konferencës, per nga mënyra se si ajo u zhvillua, pjesëmarrësit, diskutimet, temat e trajtuara dhe marrëveshjet e nënshkruara në të, sollën në vëmendje veç të tjerave faktin se historia e Shqipërisë nuk është vetëm akti i themelimit të saj, por edhe puna e jashtëzakonëshme e atyre qindra burrave e grave që u munduan që atë krijesë të sapolindur ta mësojnë “të flasë e të ecë”, ta vendosin në baza ligjore me orientim perëndimor.
Në fjalën e tij të hapjes, Kryetari i KLSH-së Dr. Bujar Leskaj theksoi: “Le t’i lejojmë kujtesës historike të KLSH-së, historikut të denjë të këtij institucioni të na drejtojë në rritjen e vetëdijes dhe përgjegjësisë ndaj rolit tonë dhe sfidave që kemi përpara dhe me vlerësimin maksimal qytetar të përkulemi përpara figurave dhe personaliteteve që kanë drejtuar këtë institucion, veçanërisht në vitet 1925-1944, si Kol Thaçi, Lac Gera, Llambi Aleksi, Lame Kareco, Eqerem Libohova, Xhafer Ypi, Rrok Gera, Fejzi Alizoti, Izedin Beshiri dhe të tjerë më tej”. Me këtë rast z. Leskaj u paraqiti pjesëmarrësve kopjen e parë të librit “Historiku i Kontrollit të Lartë të Shtetit 1925-2012”, hartuar nga një grup punonjësish të stafit, në bashkëpunim me historianë. Konferenca vjetore shkencore e KLSH do të jetë një veprimtari e përvitshme, dhe do të shërbejë si forum i prezantimit të mendimit shkencor të auditimit suprem në Shqipëri, në përsiatje me eksperiencën e huaj të vendeve të zhvilluara evropiane dhe duke u bazuar në eksperiencën pozitive të akumuluar në vend
Historiania e njohur Dr. Kaliopi Naska bëri një përmbledhje të shkurtër të krijimit të Këshillit të parë Kontrollues, si një organ që kontrollonte financat e shtetit, nga viti 1925 deri në vitin 1944, vit kur në Shqipëri u vendos diktatura komuniste. Ajo solli evoluimin e strukturës së parë të kontrollit të Shtetit shqiptar, rritjen e përgjegjësisë, të funksioneve kontrolluese dhe të komunikimit të Këshillit Kontrollues. Për periudhën 1944-1990 foli audituesi Bashkim Spahia, i cili pershkroi evoluimin e strukturës, deformimin dhe varësinë e plotë nga partia-shtet, por edhe përpjekjet e izoluara të kontrollorëve me kërkesa profesionale, për të kryer detyren brenda atyre kushteve të vështira. Audituesja Luljeta Nano prezantoi historinë në vitet 1990-2012, ndryshimet radikale që pësoi KLSH për të ardhur në formën e tanishme të një institucioni të auditimit më të lartë të jashtëm publik (SAI), që identifikohet me dhe përpiqet të zbatojë standardet ndërkombëtare INTOSAI.
Konferenca vazhdoi me përshëndetjet e të ftuarve, deputetit Kosta Barka, ish-kryetarit të KLSH-së z. Mustafa Kërçuku, As. Prof. Dr. Lindita Lati, Kryetare e Autoritetit të Konkurencës (AKK), Prof. Dr. Jorgji Bollano, Kryetar i Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit(KKK), z. Sazan Guri, Kryetar i Institutit “G&G Group”, zj. Blerta Selenica drejtore e Departamentit të Administratës Publike (DAP), zj. Klodiana Cankja, drejtore e Agjencisë së Prokurimit Publik (APP) dhe drejtori i Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA), Prof. Dr. Hysen Çela, të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit midis institucioneve të tyre dhe KLSH. Konferenca vijoi me diskutimin e z. Robert Gjini, Drejtor i Përgjithshëm i KLSH, i cili vuri theksin në rritjen graduale të kërkesave për standarde profesionale gjatë punës kontrolluese dhe audituese në 20 vitet e fundit. Në fjalën e saj, Drejtoresha e Përgjithëshme Helga Vukaj u ndal në një nga shtyllat që konsolidon dhe i jep forcë aktivitetit kushtetues të institucionit, dhe pikërisht garancive ligjore që duhet të përmbushë procesi auditues. Ndërsa Dr. Reinald Muça, Drejtor i Departamentit të Performancës foli për një filozofi të re të drejtimit të institucionit, për një auditim modern integral, që të ndërthurë shumë këndvështrime e metoda.
Në vitet në vijim, konferenca vjetore e KLSH do të thellojë karakterin shkencor, duke synuar të kontribuojë në shndërrimin e tij në një strukturë moderne të auditimit publik më të lartë, që mbështetet në standartet e INTOSAI dhe që ecën përpara, duke u bazuar në eksperiencat ndërkombëtare të institucioneve homologe, por edhe në eksperiencën shumëvjeçare të vetë institucionit. Kjo është dhe një nga detyrat e vënë nga BE-ja për integrimin e plotë të Shqipërisë, sjellja e veprimtarisë audituese të institucionit në përputhje të plotë me standardet e INTOSAI. Konferenca e II-të shkencore e KLSH e vitit 2013 do të zhvillohet në tetor ose nëntor me partnerë ndërkombëtarë, si institucionet supreme të auditimit të Polonisë, Sllovenisë, Turqisë, Kosovës, Kroacisë, etj..
Në përfundim të konferencës, fjalën e mori sërish Dr. Bujar Leskaj, i cili foli për Strategjinë e Zhvillimit të KLSH 2013-2016, të përgatitur me ndihmën e eksperteve të SIGMA dhe në përputhje të plotë me drejtimet e Planit Strategjik 2011-2017 të EUROSAI, të cilat janë: ndërtimi i kapaciteteve, forcimi i zbatimit të standardeve profesionale, shkëmbimi i eksperiencave në auditim dhe më gjerë, nxitja e qeverisjes së mirë dhe zhvillimi i komunikimit dhe bashkëpunimit me veprimtarë të tjerë. Krahas këtyre objektivave, në respekt të pritshmërive të publikut, KLSH ka si objektiv strategjik kryesor edhe forcimin e rolit anti-korrupsion të institucionit për sigurimin e mirëqeverisjes.
Punimet e kësaj konference vijuan me nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit mes KLSH dhe Agjensisë së Prokurimit Publik, Departamentit të Administratës Publike, Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar(IEKA), Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit dhe Institutit “G&G Group”.
Kontrolli i Lartë i Shtetit është në proces reformimi dhe këto marrëveshje janë thelbësore për institucionin, sepse mundësojnë bashkëpunimin me partnerë profesionalë që do ta ndihmojnë për t’u orientuar më mirë në sfidat e ardhshme, siç janë modernizimi i institucionit si edhe thellimi i luftës kundër korrupsionit dhe për parandalimin e tij.