Trajnime nga institucionet nderkombetare

Auditues të KLSH-së trajnohen për Auditimin e Sistemeve të Kontrollit të Brendshëm në Gjykatën Turke të Llogarive.

Në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit, të nënshkruar më datë 16.11.2012, ndërmjet Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj dhe Presidentit të Gjykatës Turke të Llogarive, z. Recai Akyel, një grup prej 18 audituesish të Kontrollit të Lartë të Shtetit, në datat 13-16 Tetor 2014, morën pjesë në trajnimin e zhvilluar pranë Gjykatës së Llogarive të Republikës së Turqisë, në Ankara, me temë “Auditimi i Sistemeve të Kontrollit të Brendshëm”.
Grupi i KLSH-së u prit nga Presidenti i TCA z. Recai Akyel, i cili i uroi mirëseardhjen kolegëve dhe vëllezërve të Tij Shqiptarë, si dhe i uroi suksese të mëtejshme gjatë trajnimit.

Kryesuesi i grupit z. Ibrahim Ndreu, i shprehu falenderimet e tij Presidentit të TCA`së, për mikpritjen e ngrohtë dhe ndihmën e madhe që Gjykata Turke e Llogarive dhe veçanërisht z. Akyel si President i saj, ka dhënë në ndihmë të zhvillimit të kapaciteteve profesionale të audituesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

turqia

Gjatë trajnimit 4 ditor, të zhvilluar në ambientet e Qendrës së Trajnimeve të Gjykatës së Llogarive, u trajtuan tema të ndryshme si më poshtë:

I. Kuadri Ligjor dhe Organizimi i TCA`së
Në këtë temë u shpjegua kuadri ligjor i TCA`së, si një Gjykatë Llogarish dhe organizimi i saj. U shpjeguan dhe raportet e ndryshme që prodhonte TCA dhe mënyra e raportimit të tyre.

II. Standardet e Auditimit
Në këtë temë u trajtuan çështje të tilla si, Koncepti i Audimit, Lidhja midis Auditimit dhe Menaxhimit Publik Funksional, Llojet e Auditimit, Mjedis i përgjithshëm për mbarëvajtjen e auditimit, Konceptet Themelore të Standardeve të Audimit, Historiku i Standardeve të Audimit,
Nivelet Bazë: Parimet Themeltare: Deklarata e Limës (1977) ISSAI-1, Para-kushtet për funksionimin e Institucioneve Supreme të Auditimit, Parimet Themelore të Auditimit, Manualet e Auditimit-Zbatimit, Referencat e Standardeve të Auditimit, Zbatimet e ISSAI si dhe disa vëzhgime kritike mbi to.

III. Sistemet e Kontrollit të Brendshëm dhe Menaxhimi i Riskut Institucional,
Në këtë temë, u trajtuan çështje të tilla si Kontrolli i Brendshëm, Sistemi i Kontrollit të Brendshëm, Risku, Menaxhimi i Riskut Institucional, Elementët e Sistemit të Kontrollit të Brendshëm, Elementët e Menaxhimit të Riskut Institucional, Qëllimi i Kontrollit të Brendshëm, Qëllimi i Menaxhimit të Riskut Institucional, Fokusi dhe Objektivat e Sistemit të Kontrollit të Brendshëm dhe Menaxhimit të Riskut Institucional, Sistemi i Kontrollit të Brendshëm, Menaxhimi i Riskut Institucional, Ndryshimet e Sistemeve të Kontrollit të Brendshëm dhe Menaxhimit të Riskut Institucional, Vlerësimi i Egzistencës dhe Efikasitetit të Sistemeve të Kontrollit të Brendshëm, si dhe Natyra e Riskut për Gjykatën Turke të Llogarive.

IV. Menaxhimi i Burimeve Njerëzore
Në këtë temë, u trajtuan çështje të tilla si Koncepti i Menaxhimit të Burimeve Njerëzore, Nevoja për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Politikat kryesore të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore, Proçeset bazë të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore (Planifikimi, Zbatimi, Monitorimi dhe Raportimi), Korniza e Menaxhimit të Burimeve Njerëzore, Aktorët e Menaxhimit të Burimeve Njerëzore, Menaxhimi i Burimeve Njerëzore në Gjykatën e Llogarive,
Auditimet e Gjykatës Turke të Llogarive dhe Menaxhimi i Burimeve Njerëzore.

V. Auditimi i Informacionit dhe Treguesve të Performancës.
Në bazë të legjislacionit Turk, institucionet shtetërore janë të detyruara të pregatisin plane strategjike 5-vjeçare, të detajojnë objektivat e tyre për këtë periudhë, gjithashtu dhe realizimin e tyre vjetor. Në përfundim të çdo viti, këto institucione publikojnë raportet vjetore të aktivitetit, ku publikojnë realizimin e objektivave. Me anë të këtij auditimi, kërkohet të vlerësohet ky raport aktiviteti dhe të jepet siguri e arsyeshme mbi realizimin e këtyre objektivave. Në këtë temë, u trajtuan çështje të tilla siAuditimi i Informacioneve të Performancës, Buxhetimin e bazuar në performancë, Veçoritë e sistemit të buxhetimit bazuar në performancë, Qëllimet afat-shkurtra të sistemit të buxhetimit bazuar në performancë, Qëllimet afat-gjata të sistemit të buxhetimit bazuar në performancë, Fushëveprimi i sistemit të buxhetimit bazuar në performancë, Auditimi i treguesve të performancës, si dhe Fazat e auditimit të treguesve të performancës (Pajtueshmëria me kërkesat e raportimit, Përmbajtja e treguesve të performancës dhe Vlerësimi i sigurisë së të dhënave).

Në përfundim të trajnimit, u krye ceremonia e dorëzimit të Çertifikatave të Trajnimit, nga Presidenti i TCA`së, z. Recai Akyel. Me këtë rast, z. Akyel, theksoi se nga konsiderata e madhe që ka për Institucionin e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Kryetarin e Tij, premtoi se do vazhdojnë trajnimet e stafit auditues të KLSH`së.
Nga ana e Gjykatës së Llogarive u organizuan një sërë shëtitjesh kulturore, si vizita në Mauzoleumin e babait të kombit Turk, Mustafa Qemal Ataturk, në Muzeun e Civilizimit të Ankarasë dhe në Muzeun e Koleksionistit z. Fehmi Koç, në Parlamentin e Parë të Republikës Turke, i kthyer në muze, në Parlamentin e Tretë të Republikës së Turqisë i cili është dhe Parlamenti aktual, ku në ambientet e Komisionit të Planit dhe Buxhetit (analog me Komisionin e Ekonomisë dhe Financave) u zhvillua një takim pune midis Audituesve të KLSH dhe Drejtorit të Departamentit të Auditimit të Brendshëm të Parlamentit Turk, njëkohësisht dhe Kryetar i Shoqatës së Audituesve të Brendshëm të Turqisë, ku u shkëmbyen eksperiencat e përbashkëta për marrëdhëniet ndërmjet SAI dhe Parlamentit, si dhe marrëdhëniet SAI dhe Audit i Brendshëm, si dhe për nder të Grupit të KLSH`së u shtrua dhe një drekë pune.