Trajnime nga institucionet nderkombetare

Trajnim i audituesve të KLSH-së, pranë Gjykatës Turke të Llogarive

Në datat 24 – 28 Gusht 2015, një grup prej 16 audituesish të Kontrollit të Lartë të Shtetit, morën pjesë në trajnimin e zhvilluar pranë Gjykatës së Llogarive të Republikës së Turqisë, në Ankara, me temë “Auditimi Publik”.

turqi trajnim2

Gjatë trajnimit u trajtuan tema të ndryshme, të cilat në mënyrë të përmbledhur paraqiten si më poshtë vijon:
I. Kuadri Ligjor dhe Organizimi i Gjykatës së Llogarive
Në këtë temë u trajtua kuadri ligjor i SAI`t të Turqisë si një Gjykatë Llogarish dhe organizimi i saj.
II. Marrëdhëniet Parlament – Gjykatë Llogarie
Në këtë temë u trajtuan këto çështje kryesore:
1.Funksionet themelore të Parlamentit, si bërja e ligjeve, vendim-marrje për çështjet e rëndësishme, marrja e informacionit nga Qeveria dhe kontrolli i saj, përcaktimi e rishikimi i buxhetit, si dhe kontrolli i përdorimit të burimeve publike.
2.Marrëdhëniet Parlament – SAI, ana teorike: Auditimi i lartë është auditimi i pavarur i përdorimit të burimeve publike, i cili zë vend në Kushtetutë, është i pajisur me autoritetin e duhur, si dhe kryhet në emër të Parlamentit. Parlamenti dhe SAI janë institucione që mbështesin dhe plotësojnë njëri-tjetrin, në sigurimin e efikasitetit të menaxhimit publik. Gjatë komunikimit me Parlamentin, SAI siguron transparencën në përdorimin e fondeve publike, për arsye se e informon për efektivitetin e përdorimit të këtyre fondeve në planet dhe programet kombëtare të zhvillimit.
3.Kuptimi i ri i llogaridhënies: problemet kryesore. Mos-funksionimi në mënyrë efektive i sistemit të menaxhimit të burimeve publike; Mos-përdorimi me efiçencë i burimeve publike; Dështimi i Parlamentit në luajtjen e një roli aktiv në procesin e buxhetimit dhe sidomos në procesin e auditimit; Mos-raportimi i auditimeve të kryera në emër të Parlamentit si dhe mos-diskutimi nga Parlamenti të raporteve të paraqitura.
4.Kuptimi i ri i llogaridhënies: konceptet kryesore. Përgjegjshmëria politike në llogaridhënie (Qytetarëve dhe Parlamentit); Përgjegjshmëria menaxheriale në llogaridhënie (llogaridhënie financiare dhe llogaridhënie performance).
5.Raportet që Gjykata e Llogarive e Turqisë i dërgon Parlamentit: Deklarata e përgjithshme e pajtueshmërisë; Raporti i përgjithshëm i vlerësimit të auditimit të jashtëm; Raporti i përgjithshëm e vlerësimit të aktivitetit; Raporti i vlerësimit të statistikave financiare, Raportet e auditimit të ndërmarrjeve shtetërore; Raporte të tjera; si dhe Raportet e auditimit të çdo institucioni.
6.Marrëdhëniet Parlament-SAI: Pavarësia e SAI. Rëndësia e pavarësisë së SAI; Nuk duhet të ketë lidhje, marrëdhënie apo varësi me asnjë institucion (pavarësi institucionale); Në planifikimin, zbatimin dhe raportimin e auditimeve nuk duhet të ndikohet nga asnjë institucion (pavarësi funksionale); Pasja e një buxheti të veçantë, i cili të miratohet direkt nga Parlamenti (pavarësi financiare).
7.Marrëdhëniet Parlament-SAI: Kërkesat që vijnë nga Parlamenti. Parlamenti, mund të kërkojë nga SAI që përveç raporteve të paraqitura, të kryejë auditime të veçanta dhe të paraqesë raporte për to, për çështje të cilat gjykohen të arsyeshme nga vetë Parlamenti. Kërkesave për auditime nga Parlamenti, i jepen përparësi.
8.Marrëdhëniet Parlament-SAI: Auditim i SAI`t. Auditimi i llogarive të SAI Turk, kryhet çdo vit nga një komision i përcaktuar nga Kryesia e Parlamentit, komision i cili duhet të zotërojë aftësitë e duhura.
9.Përpjekjet për zhvillimin e marrëdhënieve Parlament-SAI.
a.Përpjekjet për rregullimin e akteve nënligjore të Parlamentit: Neni 79 i ligjit të SAI, përcakton se paraqitja dhe marrja në konsideratë e raporteve të SAI nga Parlamenti, rregullohet me anë të akteve nënligjore të Parlamentit, akte të cilat akoma nuk janë hartuar dhe miratuar.
b.Aktivitetet e kryera në fushën e strategjisë së komunikimit: Ngritja e vetë-dijes në përmirësimin e marrëdhënieve Parlament-SAI, nëpërmjet aktiviteteve të përbashkëta si konferenca, mbledhje, simpoziume, seminare etj.
10.Përfitimet nga zhvillimi i marrëdhënieve SAI-Parlament. Rritja e kapaciteteve të parlamentit në vlerësimin e raporteve të SAI; Parlamentit i jepet informacion i saktë, besueshëm dhe në kohë për përdorimin e burimeve publike; Për Ministrat kemi llogaridhënie më të saktë në përdorimin e efektivitet, efiçencë dhe ekonomicitet të burimeve publike, ndaj kryeministrit dhe parlamentit; Krijon mundësinë e llogaridhënies më të saktë ndaj ministrave, në përdorimin e burimeve publike nga zyrtarët e lartë; Krijon mundësinë e kryerjes së një auditimi më të saktë në institucionet publike.
11.Vlerësimi i shembujve ndërkombëtarë.
12.Marrëdhëniet Parlament-SAI në raportet e progresit.
III. Auditimi i informacionit të performancës
Në këtë temë u shpjeguan këto çështje kryesore:
1.Buxhetimi i bazuar në performancë, i cili mundëson që Institucionet Publike të orientohen drejt realizimit të misionit dhe vizionit të tyre, duke përcaktuar burimet për arritjen e qëllimeve dhe objektivave të tyre.
2.Ligji Turk nr. 5018, analog i ligjit Shqiptar nr. 10296 “Për menaxhimin financiar dhe Kontrollin”, ligj i cili disiplinon menaxhimin financiar, si dhe mundëson përdorimin me efiçencë, efektivitet dhe ekonomicitet të burimeve publike, në drejtim të llogaridhënies dhe transparencës publike.
3.Parimet e përgjithshme mbi përdorimin e burimeve publike: Transparenca, Llogaridhënia si dhe Planifikimi strategjik dhe Buxhetimi i bazuar në performancë.
4.Auditimi i performancës.
5.Objektivat e auditimit.
6.Fokusi i auditimit.
7.Fazat kryesore të auditimit: Planifikim, Zbatim, Raportim dhe Monitorim.
8.Planifikimi: Ngritja e grupit të auditimit; Vendosja e komunikimit me subjektin që do auditohet; Njohja e subjektit që do auditohet; Marrja e informacionit të përgjithshëm të menaxhimit të performancës për subjektin që do auditohet; si dhe përgatitja e planit të auditimit.
9.Zbatimi: Vlerësimi i planit strategjik; Vlerësimi i programit të performancës; Matja dhe vlerësimi i përfundimeve të aktivitetit; si dhe Vlerësimi i raporteve të aktivitetit.
10.Raportimi: Mënyra e përgatitjes së raportit të auditimit të informacionit të performancës, proceset e raportimit (Ballafaqimi para raportimit, hartimi i projekt-raportit të auditimit, opinioni i institucionit të audituar, si dhe raporti përfundimtar i auditimit), si dhe përmbajtja e raportit.
11.Monitorimi:
a.Në çfarë shkalle zbatohen rekomandimet?
b.Cila është vlera e shtuar e SAI?
c.Cila është vlera e shtuar e auditimit?
d.A ishte i suksesshëm auditimi i performancës i kryer nga SAI?
IV. Auditimi financiar
Në këtë temë u trajtuan këto çështje kryesore:
1.Përkufizimi: Auditimi financiar, si auditimi i kryer mbi llogaritë dhe transaksionet financiare, sistemin e menaxhimit financiar, si dhe sistemin e kontrollit të brendshëm, me qëllim vlerësimin e besueshmërisë së pasqyrave financiare.
2.Parimet e Auditimit Financiar:
a.Kryhet mbi vitin ushtrimor dhe përfshinë të gjitha llogaritë dhe transaksionet,
b.Mund të kryhet ushtrohet dhe mbi tema, sektorë, aktivitete dhe projekte, ose mbi më shumë se një vit ushtrimor,
c.Vlerëson sistemet e menaxhimit financiar dhe kontrollit të brendshëm,
d.Kryhet sipas Standardeve Ndërkombëtare,
e.Bazohet në risk dhe sistem.
3.Veçoritë e auditimit financiar.
4.Siguria e arsyeshme.
5.Auditimi dhe Risku: Risku i auditimit, risku strukturor, risku i kontrollit dhe risku i zbulimit.
6.Objektivat e auditimit: Llogaritë e aseteve e burimeve, llogaritë e të ardhurave e shpenzimeve, si dhe përbërja e pasqyrave financiare dhe shënimeve shpjeguese të lidhura me to.
7.Standardet Ndërkombëtare të auditimit.
8.Procedurat e auditimit.
a.Testet e kontrollit,
b.Procedurat analitike,
c.Procedurat e drejtpërdrejta substanciale.
9.Teknikat e mbledhjes së dëshmive të auditimit.
10.Dokumentimi i auditimit.
11.Letrat e punës.
12.Dosja e përditësuar e auditimit.
13.Dosja e vazhdueshme e auditimit.
14.Njohja me subjektin.
15.Njohja me sistemin e kontrollit të brendshëm.
16.Përcaktimi i materialitetit.
17.Përcaktimi i fushave të llogarive.
18.Vlerësimi i riskut.
19.Përcaktimi i qasjes së auditimit.
20.Përzgjedhja dhe përcaktimi i shembujve që do auditohet.
21.Përgatitja e Planit dhe Programit të Auditimit.
22.Përftimi i dëshmive të auditimit.
23.Vlerësimi i përfundimeve të auditimit.
24.Përfundimi i auditimit.
25.Përgatitja e raportit të auditimit.
26.Opinioni i auditimit:
a.Opinion pozitiv,
b.Opinion i kualifikuar:
i.Opinion i kushtëzuar,
ii.Opinion negativ,
iii.Refuzim në dhënien e opinionit.
27.Rishikimi dhe monitorimi.
28.Kontrolli i Cilësisë.
29.Rishikimi i përfundimeve të auditimit.

turqi trajnim1
Në përfundim të trajnimit, pjesëmarrësve ju dorëzuan certifikatat nga Presidenti i Gjykatës së Llogarive të Republikës së Turqisë, Prof.Ass. Dr. Recai Akyel.
Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua në këtë aktivitet nga këta auditues:
z. Qemal Meta, z. Alfonc Gabili, znj. Nikoleta Piranjani, z. Josif Lile, znj. Elfrida Agolli, z. Piro Bregaj, z. Taulant Dervishaj, z. Blerin Shkurti, znj. Eni Kabashi, znj. Alketa Kalleshi, znj. Arminda Bushi, znj. Migena Nushi, z. Erion Muho, z. Benard Haka, znj. Elisa Metaj dhe z. Berti Meçaj.